Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Një qengj për person, një lopë dhe një deve për shtatë persona

Imam Jahja bin Sharaf en-Neueui (v. 677)
Sherh Sahih Muslim (9/56-57)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Muslimi -rahimahullah- ka thënë:

1318 – Kutejbeh bin Seid na tregoi: Maliku na tregoi… ح Jahja bin Jahja na tregoi: I lexova Malikut, nga Ebuz-Zubejr, nga Xhabir bin Abdil-lah, i cili tha:

“Gjatë vitit të Hudejbijes kemi therur një deve për shtatë persona dhe një lopë për shtatë persona.”

Kjo do të thotë se lejohet që disa njerëz të marrin pjesë në një kurban. Përndryshe ka mospajtime lidhur me këtë vepër. Medhhebi i Shafeiut lejon pjesëmarrjen e disa personave në një kurban, pavarësisht nëse therja e kurbanit është e rekomanduar apo e detyrueshme, pavarësisht nëse disa kanë për qëllim adhurimin me therje, ndërsa të tjerët kanë për qëllim vetëm ngrënien e mishit.

Dëshmia janë këto hadithe. Këtë mendim e ka edhe Ahmedi dhe shumica e dijetarëve. Daudi dhe disa Maliki e lejojnë këtë vetëm nëse therja e kurbanit e rekomanduar dhe jo nëse është i detyrueshëm. Maliku nuk e lejon fare veprimin. Ebu Hanife e konsideron të lejuar vetëm nëse të gjithë kanë për qëllim adhurimin.

Megjithatë, ata pajtohen se nuk lejohet që disa njerëz të marrin pjesë në therjen e një qengji. Këto hadithe vërtetojnë se një deve dhe një lopë, që mbulojnë shtatë persona janë të barabartë me shtatë qengja. Pra, nëse muhrimi detyrohet të bëjë kefara (shpagim) me shtatë qengja – përveçse në lidhje me bërjen kefara (shpagim) pas gjuetisë – dhe në vend të kësaj ai ther një deve ose një lopë, sipas konsensusit veprimi është i vlefshëm.

Shpërndaje: