Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Besimi i Grupit të Shpëtuar dhe të Ndihmuar deri në ditën e gjykimit

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 10-12

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ahmed Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Më tej…

Ky është besimi i Grupit të Shpëtuar dhe të Ndihmuar, Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit, deri në ditën e gjykimit. Është që të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, ringjalljen pas vdekjes dhe kaderin, të mirën dhe të keqen në të.

Shpjegimi

Fjala “Më pas” përdoret për të ndarë fjalët e kaluara me ato që vinë më pas. Pra kjo përdoret me qëllim për të kaluar nga fjalët paraprake tek ato vijuese.

Atë që ai përmendi është besimi i Grupit të Shpëtuar dhe të Ndihmuar, Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit deri në ditën e gjykimit. I dërguari tregoi se umeti do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe dhe se të gjithë do të hyjnë në zjarr përveç një grupit.

Sahabët thanë: ”Cili është ai grup, o i dërguari i Allahut?”

Ai tha: ”Ata që pasojnë atë që unë dhe shokët e mi pasojmë.”

Transmeton Ibn Maxheh (3992), Tirmidhi (2641) dhe Ebu Daudi (4596). I mirë sipas Albanit në ”Mishkat-ul-Mesebih (171)”.

Këta njerëz janë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati. Ata gjithashtu quhen “Grupi i Shpëtuar” dhe “Grupi i Ndihmuar”. Të dy emrat përdoren për njerëzit e të njëjtit grup. Ai quhet edhe i ndihmuar edhe i shpëtuar. Ata gjithashtu quhen “Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati” dhe “Ehl-us-Sunneh”. Grupi përbëhet nga sahabët (radijAllahu anhum) dhe të gjithë të tjerët të cilët i përmbahen metodologjisë së tyre, e pasojnë rrugën e tyre dhe ecin në gjurmët e tyre. Këta njerëz janë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati. Ndërsa përjashtohen Xhehmitë, Mutezilitë, Murxhiat, Kaderitë dhe gjithë të tjerët që kundërshtojnë sahabët (radijAllahu anhum) nga ky grup. Këto grupe i përkasin shtatëdhjetë e dy grupeve. Grupi i shpëtuar është grupi që ka të njëjtin besim si sahabët kur është fjala për të adhuruar vetëm Allahun, pasimin e librit të Tij dhe respektimin e urdhërave dhe ndalimeve të përmendura në Kuran dhe sunnet. Ky është Grupi i Shpëtuar.

Besimi i tyre është të besuarit Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarët e Tij, ditën e fundit (ose ringjalljen pas vdekjes, e cila është përmendur në një transmetim) dhe kaderin, të mirën dhe të keqen në të. Besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit përbëhet nga këto gjashtë baza.

Shpërndaje: