Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Kushti për t’u falur korrekt

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 33-35

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Katër vite më parë kur unë e kisha mbaruar leximin e kapitullit të namazit në librin ”Et-Terghib Ue-Terhib”El-Hafidh El-Mundhirit -rahimehullah- dhe ua mësova atë disa vëllezërve tanë selefi u bë e qartë për të gjithë ne se sa e madhe është rëndësia e namazit në Islam dhe sa shpërblim i madh dhe mirësi i jepen personit i cili e kryen atë në mënyrën më të mirë. Megjithatë, kjo varet se sa është në përputhje namazi i tij me namazin e profetit ﷺ i cili ka thënë:

”Vërtet robi e fal namazin por nuk i shkruhet si shpërblim vetëm se një e dhjeta, e nënta, e teta, e shtata, e gjashta, e pesta, e katërta, e treta apo gjysma e tij.”

Autentik. Transmetuar nga Ibn-ul-Mubarak në ”Ez-Zuhd (1-2/21/10)”, Ebu Daudi dhe Nesai me një zinxhir të mirë transmetimi. Unë e kam dhënë takhrixhin (nxjerrjen e hadithit) në ”Sahih Sunen Ebi Daud (761)”.

Prandaj u tërhoqa vërejtjen vëllezërve se ne nuk mund të falemi si duhet në qoftë se ne nuk e dimë se si u fal profeti ﷺ në mënyrë të detajuar dhe nëse nuk e dimë se cilat janë obligimet e namazit, edukata e namazit, forma, lutjet dhe dhikret e namazit. Pastaj ne duhet ta praktikojmë atë me përkushtim. Vetëm atëherë ne mund të shpresojmë që namazi ynë të na largojë nga veprat e turpshme dhe të këqija dhe të shpërblehemi me shpërblimet që janë përmendur.

Megjithatë, njohja e namazit në formë të hollësishme është e paarritshme për shumicën e njerëzve madje edhe për shumë prej dijetarëve sepse ata kufizohen në një medhheb të caktuar. Të gjithë ata që i shërbejnë sunnetit të pastër e dinë mirë se çdo medhheb përmban ndonjë sunnet të cilin medhhebet e tjera nuk e kanë ashtu sikurse çdo medhheb i caktuar përmban fjalë dhe vepra të të dërguarit të Allahut ﷺ që nuk janë transmetuar në mënyrë autentike nga profeti ﷺ. Kjo gjendet kryesisht në librat e dijetarëve të mëvonshëm2. Shpesh ne shohim se si ata me siguri të plotë këto transmetime ia atribuojnë profetit ﷺ3. Për këtë shkak dijetarët e hadithit, Allahu i shpërbleftë me të mira, kanë shkruar libra për të verifikuar burimet dhe vërtetësinë e këtyre haditheve, nëse hadithi është i saktë, i dobët apo i shpikur. Disa prej tyre janë ”El-‘Inejeh bi Ma’rifeti Ahadith-il-Hidejeh” dhe ”Et-Turuk uel-Uese’il fi Takhrixh Khuleset-id-Dala’il” nga shejkh Abdul-Kadir bin Muhamed El-Kureshi El-Hanefi, ”Nasb-ur-Rajah li Ahadith li-il-Hidajeh” nga Hafidh Zejla’i, shkurtesën e tij ”Ed-Dirrajeh” dhe ”Et-Telkhis El-Khabir fi Takhrixh Ahadith Er-Rafi’i El-Kebir” nga Hafidh Ibn Haxher El-Askalani dhe libra të tjerë përmendja e të cilëve do të na e zgjaste këtë diskutim.

Them: Meqenëse njohja e namazit në formë të hollësishme është e paarritshme për shumicën e njerëzve, e shkrova këtë libër për ta në mënyrë që ata të mësojnë se si e falte namazin profeti ﷺ dhe që të veprojnë në përputhje me udhëzimin e tij ﷺ duke shpresuar prej Allahut -subhanehu ue te ala-, atë që Ai ka premtuar në gjuhën e profetit të Tij ﷺ, i cili ka thënë:

 ”Ai që thërret në udhëzim merr të njëjtin shpërblim sikurse ai që e pason atë udhëzim pa iu pakësuar shpërblimi asnjërit prej tyre.”

Transmeton Muslimi dhe të tjerët. Ky përmendet në ”Silsileh-ul-Ahadith Es-Sahihah (863)”.

2 – Ebul-Hasan El-Lakneui në librin e tij ”En-Nefi el-Kebir li men juteli El-Xhemi El-Kebir, fq. 122-123″ pasi përmendi renditjen e librave të fikhut Hanefi dhe se në cilat libra prej tyre duhet bazuar dhe në cilat nuk duhet bazuar, pastaj tha:

”Ne kemi përmendur renditjen e librave në bazë të çështjeve të fikhut dhe jo në bazë të haditheve që gjenden në to. Sa libra ka në mesin e tyre të cilave iu referohen fukahatë ndërsa ato janë plot me hadithe të shpikura! Për të mos përmendur fetvatë që gjenden në to! Pasi i kemi studiuar gjerësisht na është bërë e qartë se edhe pse autorët e tyre ishin dijetarë të kompletuar, ata ishin tolerantë dhe të pakujdesshëm në lidhje me transmetimin e haditheve.’’

Them: Dhe prej këtyre haditheve të shpikura dhe të rremë, të transmetuara në disa prej librave më të mira është hadithi:

”Ai i cili i fal namazet farz në të premten e fundit të Ramazanit, kjo do të jetë kompensim për të për të gjitha namazet e tij që nuk i ka falur deri në moshën 70 vjeçare.”

El-Lakneui -rahimehullah- ka thënë në ’’El-Ether El-Merfu’ah fil Akhbar Meudu’ah’’ fq. 315″,  pasi përmendi këtë hadith:

”Ali El-Kari tha në ”El-Meudu’at Es-Sugra” dhe në ”El-Meudu’at El-Kubra”: ”Ky hadith është padyshim i rremë sepse bie në kundërshtim me konsensusin pasi që një adhurim nuk mund të kompensojë adhurimet e tjera të mbetura pa u kryer vite me radhë. Përveç kësaj nuk ka rëndësi se çfarë citojnë autorët e ”En-Nihajeh” dhe shpjegimet e mbetura të ”El-Hidajeh” sepse ata nuk janë dijetarë të hadithit dhe as nuk e referojnë këtë hadith te ndonjëri prej përmbledhësve të hadithit.”

Esh-Sheukani e përmend këtë hadith në ”El-Feua’id El-Mexhmu’ah fil-Ahadith El-Meudu’ah në fq. 54” duke thënë fjalë të ngjashme, dhe tha:

”Ky hadith është padyshim i shpikur. Unë nuk kam mundur ta gjej atë në ndonjë libër prej përmbledhjeve të haditheve të shpikura. Megjithatë, ai është bërë i njohur në mesin e studentëve të fikhut në San’a dhe shumë prej tyre kanë filluar ta praktikojnë atë. Unë nuk e di se kush ua ka shpikur atë atyre. Allahu i shëmtoftë gënjeshtarët.” 

Pastaj El-Lakneui tha:

”Për të vërtetuar se hadithi është i shpikur, kam shkruar një disertacion të quajtur ”Rad-ul-Ikhuan En Muhdethet Akhir Xhum’ati Ramadan” (Largimi i vëllezërve nga bidati i xhumasë së fundit të Ramazanit) në të cilën kam sjellë transmetime dhe argumente logjike nëpërmjet të cilave ndriçohen mendja dhe veshët, kështu që referojuni asaj pasi është e vlefshme në këtë temë.”

Transmetimi i haditheve të shpikura të ngjashme si ky hadith në librat e fikhut e humbë besimin në hadithet e tjera që nuk transmetohen prej librave të besueshëm të hadithit. Këtë gjë e pohojnë edhe fjalët e Ali El-Karit i cili thotë: ’’Është detyrë për muslimanin që t’i marrë hadithet nga specialistët e asaj fushe siç thotë dhe proverbi i vjetër arab: “Banorët e Mekës i njohin më mirë rrugët malore të saj” apo: “I zoti i shtëpisë e di më mirë se çka në të.’’

3 – Imam Neueui -rahimehullah- ka thënë shkurtimisht:

”Dijetarët hulumtues në mesin e Ehl-ul-Hadithit dhe të tjerë thonë se në qoftë se një hadith është i dobët atëherë nuk duhet të thuhet se i dërguari i Allahut ﷺ e ka thënë atë, e ka bërë atë, e ka urdhëruar atë, e ka ndaluar atë apo diçka tjetër të ngjashme që tregon siguri, por në vend të kësaj duhet thënë se transmetohet prej tij apo thuhet për të se…, dhe shprehje të ngjashme si këto që tregojnë pasiguri. Ata kanë thënë se shprehjet që tregojnë siguri duhet të përdoren vetëm në rastin e një hadithi që është autentik (sahih) apo i mirë (hasen), ndërsa shprehjet e tjera (që tregojnë pasiguri) përdoren në rastet e tjera. Arsyeja për këtë është se shprehjet që tregojnë siguri detyrimisht tregojnë se ajo që vijon është autentike dhe se rrjedhimisht këto shprehje duhet të përdoren vetëm në transmetimet që janë autentike përndryshe dikush mund të gënjente mbi profetin ﷺ. Kjo edukatë është braktisur nga shumica e fukahave të kohës tonë madje nga shumica e dijetarëve të cilësdo lëmi qoftë ajo përveç dijetarëve ekspertë të hadithit. Kjo është një pakujdesi e shëmtuar pasi ata shumë herë në rastin e një hadithi të saktë thonë: ’’transmetohet nga ai se..’’, ndërsa në rastin e një hadithi të dobët thonë: ’’ka thënë’’ apo ’’filani transmeton…” dhe kjo është larg prej së vërtetës.” (El-Mexhmu (1/60).

Shpërndaje: