Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
O ju të dashur, martesa është qetësi për shpirtin dhe lumturi për zemrën, e ruan organin gjenital, nderin dhe uljen e shikimit. Në të ka të mira të shumta për individin dhe për shoqërinë. Në të ka një cilësi dhe karakteristikë të madhe, e cila është shumimi i umetit të Muhammedit ﷺ gjë me të cilën do të realizohet të krenuarit e të dërguarit tonë ﷺ me umetin e Tij para umeteve të tjera në ditën e gjykimit.
Martesa është shkaku i ekzistencës së njerëzimit dhe shpie në miqësi dhe bashkëpunim mes individëve dhe shoqërisë. Ajo shton dashurinë mes familjeve dhe bën që zemrat të afrohen dhe distancat të shkurtohen. Sa e sa familje nuk e njohin njëra tjetrën vetëm se nga larg dhe kur ata martohen mes vete afrohen sikur të jenë një familje e vetme.
Thënë shkurtë, martesa është e gjitha e dobishme dhe është shtylla e shoqërisë rrotullohet rreth saj. Pra Islami erdhi me çdo gjë që e forcon dashurinë mes bashkëshortëve. Pra martesa në Islam është pëlqim, mëshirë, dashuri, qetësi për shpirtin, qetësi për mendjen dhe harmoni për zemrën.