Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Shpjegimi i katër parimeve

Sherh El-Kaua’id El-Arba’ah [Shpjegimi i katër parimeve] fq. 4-7

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab

Shpjegues i librit: Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Fusnotat: Shejkh Khalid bin Kasim er-Raddadi

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shpjegimi – Katër parimet janë:

Ky pra është libri, ”El-Kaua’id El-Arba’ah” [Katër parimet] i shkruar nga shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdil-Uehab -rahimehullah-.

Ky është një libër i ndarë por që zakonisht shtypet së bashku me librin Thalathat-il-Usul (Tre parimet themelore) për shkak se ka nevojë që të jetë i pranishëm tek nxënësit e dijes.

”Kaua’id” është shumësi i fjalës ”Kaidah” që do të thotë: ”një parim nga i cili dalin shumë çështje ose degëzime”.

Këto katër parime të cilat shejkhu -rahimehullah- i ka përmendur, kanë për temë dijen rreth teuhidit [monoteizmit] dhe shirkut [politeizmit dhe idhujtarisë].

Cili është parimi i teuhidit? Cili është parimi i shirkut? Shumë njerëz i marrin këto çështje gabim. Ata domethënien e teuhidit e kuptojnë gabim dhe pyesin se çka është ai. Në mënyrë të ngjashme domethënien e shirkut e kuptojnë gabim. Secili i interpreton këto dy çështje sipas epshit të tij.

Megjithatë, është e detyrueshme për ne që parimet tona t’ia referojmë Kuranit dhe sunnetit në mënyrë që themeli të jetë i saktë, i shëndoshë, i nxjerrë nga libri i Allahut dhe nga sunneti i të dërguarit të Tij ﷺ. Kjo vlen veçanërisht në këto dy çështje të mëdha; teuhidin dhe shirkun.

Shejkhu -rahimehullah- nuk i ka sjell këto parime nga vetja e tij ose nga koka e tij siç veprojnë shumë prej të devijuarve. Ai i ka sjellë këto parime nga libri i Allahut dhe nga sunneti, dhe nga jeta e të dërguarit të Allahut ﷺ.

Nëse ti i di këto parime dhe i kupton, pastaj me lehtësi do ta kupton teuhidin me të cilin Allahu dërgoi të dërguarit e Tij dhe shpalli librat e Tij. Gjithashtu duhet ta njohësh shirkun për të cilin paralajmëroi Allahu dhe sqaroi rrezikun dhe dëmin e tij në këtë jetë dhe në tjetrën. Kjo është shumë e rëndësishme.

Kjo është më e rëndësishme për ty sesa që t’i njohësh dispozitat lidhur me namazin, zekatin dhe llojet e tjera të adhurimeve dhe çështjeve fetare. Kjo çështje është e para dhe themelore, as namazi, as zekati, as haxhi apo ndonjë lloj tjetër i adhurimit nuk është i saktë nëse ajo nuk është e bazuar në besimin e duhur e që është që sinqerisht ta adhurosh vetëm Allahun -azza ue xhel-.

Autori -rahimehullah- i fillon këto katër parime me një parathënie madhështore, e përmenda lutjen e tij për atë që kërkon dije dhe ai i kushton vëmendje kësaj kur thotë:

“I lutem Allahut, më Bujarit, Zotit të arshit madhështorë, që të brojë ty në këtë botë dhe në tjetrën, të bekojë kudo që të jesh dhe që të bëjë mirënjohës kur të jepet, të durueshëm kur vihesh në sprova dhe të kërkosh falje kur mëkaton, sepse vërtet këto janë tre shenjat e lumturisë.”

Shpjegimi

Në këtë parathënie të gjerë shejkhu -rahimehullah- lutet për çdo nxënës që e mëson fenë e tij për të arritur të vërtetën dhe të shpëtojë nga devijimi dhe shirku, sepse një person i tillë është meritor që Allahu të kujdeset për të në këtë jetë edhe në jetën e përtejme. Ai për të cilin Allahu do të kujdeset në këtë jetë dhe në jetën e përtejme nuk do të preket nga të këqijat në këtë jetë apo në jetën e përtejme.

Ai -te ala- ka thënë:

“Allahu është Ueli (Ndihmëtari, Mbrojtësi) i atyre që e besojnë Atë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë, porsa për ata që nuk besojnë, eulija (ndihmues, mbrojtës) të tyre janë tagutët, këta i nxjerrin ata nga drita dhe i zhysin në errësirë. Këta janë banor të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” El-Bekare, 2:257

Nëse Allahu të mbron ty, Ai do të nxjerr nga errësira e cila është errësira e idhujtarisë, mosbesimit, e dyshimit dhe devijimit, dhe do të shpie në dritën e besimit, në dijen e cila sjell dobi, dhe në vepra të drejta:

”Këtë ngase Allahu është Meula (Mbrojtës) i atyre që besuan, kurse për kufarët nuk ka mbrojtje. Muhammed, 47:11

Kur Allahu kujdeset për ty me mbikëqyrjen e Tij, suksesin dhe udhëzimin e Tij në këtë jetë dhe në jetën e përtejme, atëherë ti kurrë nuk do të përjetosh asnjë mjerim pas kësaj lumturie. Në këtë jetë, Ai do të ndihmojë ty me udhëzim, sukses dhe me pasimin e metodologjisë së shëndoshë. Në jetën e përtejme, Ai do të kujdeset për ty duke të futur në xhenetin e Tij ku do të qëndrosh përgjithmonë. Aty nuk ka as frikë, as sëmundje, as mjerim, as pleqëri dhe as gjëra të këqija. Në këtë mënyrë, Allahu kujdeset për robërit e Tij besimtarë në këtë jetë, ashtu edhe në jetën e përtejme.

Shejkhu tha:

”…të bekojë kudo që të jesh…”

Qëllimi kryesor është që Allahu të bekojë kudo që të jesh. Allahu të bekon në jetën tënde, në ushqimin tënd, në dijen tënde, në veprat e tua dhe në pasardhësit e tu. Kudo që të jesh dhe kudo që të shkosh bekimi të shoqëron. Kjo është një mirësi e madhe dhe begati prej Allahut -subhanehu ue te ala-.

Shejkhu tha:

 ”…dhe që të bëjë mirënjohës kur të jepet…”

Ndryshe nga ai që është mosmirënjohës kur atij i jepen mirësitë. Shumë njerëz nuk janë mirënjohës për mirësitë që u vijnë. Në vend të kësaj ata janë mohues dhe i shpenzojnë ato në mëkate ndaj Allahut -azze ue xhel-. Kjo tregon qartë mjerimin e tyre. Ndërsa lidhur me atë që është mirënjohës, Allahu i jep edhe më shumë:

”Nëse falënderoni, Unë do t’ju jap akoma më shumë (nga bekimet e Mia).” Ibrahim, 14:7

Allahu -xhele ue ala- u jep atyre që janë mirënjohës edhe më shumë nga mirësitë e Tij. Prandaj nëse dëshiron të kesh akoma më shumë nga mirësitë, ti duhet ta falënderosh Allahun -azze ue xhel-, dhe nëse nuk e dëshiron këtë, duhet t’i mohosh ato.

Shejkhu tha:

”…të durueshëm kur vihesh në sprova…”

Allahu -xhele ue ala- i vë robërit e Tij në sprova. Ai i sprovon ata me fatkeqësi, me të këqija dhe armiq në mesin e kufarëve dhe hipokritëve. Në këtë kontekst, ata kanë nevojë për durim dhe shpresë për mëshirën e Allahut. Ata duhet të qëndrojnë të fortë në fenë e tyre dhe as të tronditen nga sprovat e as të dorëzohen para tyre. Ata duhet të qëndrojnë të fortë në fenë e tyre dhe të durojnë me vështirësitë që ata përjetojnë në kërë rrugë. Atyre nuk u lejohet të jenë si ai që shqetësohet, zemërohet dhe heqë dorë nga mëshira e Allahut -azze ue xhel- kur sprovohet. Kjo është shkak që sprovat dhe fatkeqësitë të vijnë njëra pas tjetrës.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Vërtet, kur Allahu e do një popull e sprovon atë. Ai që kënaqet me caktimin e Allahut, e arrin kënaqësinë e Allahut, dhe ai që zemërohet, e godet zemërimi i Tij.” 1

”Njerëzit që më së shumti janë sprovuar janë profetët, pastaj ata që më së shumti janë si ata (në besim), pastaj ata që më së shumti janë si ata.” 2

Të dërguarit janë sprovuar sikurse janë sprovuar të sinqertit, dëshmorët dhe robërit besimtarë të Allahut.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Ka nga njerëzit që adhuron Allahun me mëdyshje (luhatshëm), nëse e godet ndonjë e mirë ai qetësohet me të, por nëse e godet ndonjë sprovë, ai kthehet në fytyrën e vet të vërtetë (kthehet në mosbesim) duke humbur kështu të dyja, edhe këtë botë edhe jetën tjetër e ky është ai dështimi i qartë.” Haxh, 22:11

Kjo jetë nuk mund të jetë gjithmonë lumturi, luks, ëmbëlsi, gëzim dhe fitore. Dunjaja nuk mund të jetë gjithmonë në këtë mënyrë. Kjo është diçka që Allahu i lë robërit e Tij që të përjetojnë. Çfarë sprova dhe teste përjetuan sahabët të cilët janë njerëzit më të mirë të umetit?

Allahu -te ala- ka thënë:

”Nëse ju godet ndonjë plagë (dhe fatkeqësi), të jeni të sigurt se e njëjta plagë (dhe fatkeqësi) ka goditur edhe të tjerët. Kështu janë edhe ditët (të mira dhe jo aq të mira).” Al-Imran, 3:140

Prandaj robi duhet ta zbus shpirtin e tij duke e ditur se ai nuk është i vetmi i cili sprovohet. Këtë e kanë provuar miqtë e ngushtë të Allahut. Prandaj njeriu duhet të zbus shpirtin e tij, të jetë i qëndrueshëm dhe të pres zgjidhjen e Allahut -te ala-, dhe fitorja përfundimtare u takon njerëzve të devotshëm.

Shejkhu tha:

”…dhe të kërkosh falje kur mëkaton, sepse vërtet këto janë tre shenjat e lumturisë.”

Ndërsa ai që mëkaton dhe nuk kërkon falje, porse vazhdon në mëkat, ky njeri është në të vërtetë i mjeruar – Allahu na ruajt. Megjithatë, sa për robin besimtarë mëkaton, ai nxiton në pendim sa herë që mëkaton.

”Dhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç Allahut? -dhe që duke ditur nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqen).” Al-Imran, 3:135

”Pendim i pranueshëm tek Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije e pastaj menjëherë pendohen; të tillët Allahu do t’i falë, se Allahu është i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues. En-Nisa, 4:17

Çdo njëri i cili bën mëkat ndaj Allahut është injorant, do të thotë i mangët në të kuptuar, në logjik dhe njerëzi. Mund të ketë dije dhe njëkohësisht të jetë injorant nga një këndvështrim tjetër, që do të thotë se ka të kuptuar dhe qëndrueshmëri ndaj çështjeve.

”…e pastaj menjëherë pendohen.” En-Nisa, 4:17

Kjo do të thotë se çdo herë kur ata mëkatojnë, kërkojnë falje. Askush nuk është pa mëkate por hamdi dhe lavdërimi i takon Allahut i Cili i ka lënë dyert e pendimit të hapura. Prandaj robi që mëkaton është i detyruar të nxitojë në pendim. Nëse personi në këtë rast as nuk kërkon falje e as nuk pendohet, kjo nënkupton fatkeqësinë. Ky person rrezikon të heqë dorë nga shpresa në mëshirën e Allahut dhe se shejtani i vjen atij dhe i thotë: ”Nuk ka pendim për ty.”

sepse vërtet këto janë tre shenjat e lumturisë.”

Të jesh mirënjohës ndaj të mirave, të durosh nëse vihesh në sprova dhe të kërkosh falje nëse mëkaton. Ai që pastaj privohet prej këtyre, ose disa prej tyre, është i mjeruar.


1 Tirmidhi (4/601) dhe Ibn Maxheh (4031) nga Enes bin Malik -radijAllahu anhu-. Tirmidhi tha: ”Ky hadith është i huaj.” Pos kësaj ky hadith është transmetuar nga Ahmedi (5/428) nga Mahmud bin Labid -radijAllahu anhu-.

2 Tirmidhi (4/601-602), Ibn Maxheh (4023), Ahmedi (1/172, 173, 174, 180, 185), Darimi (2/320), Ibn Hibani (7/131), Hakim (1/41) dhe Bejhaki (3/372). Tirmidhi tha: ”Ky hadith është i mirë dhe autentik.”

Shpërndaje: