Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si shembulli i pronarit të miskut dhe farkëtarit. Pronari i miskut ose do të japë diçka nga misku, ose do të blesh prej tij misk, ose do të ndjesh prej tij erën e mirë, ndërsa farkëtari ose do t’i djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij erën e keqe.” Muslimi (2628).
2 – I mençuri qëndron me njerëzit e mirë dhe shmanget nga të këqijtë. Kjo ndodh sepse dashuria për të mirët krijohet me shpejtësi ndërsa prishja e kësaj lidhje ndodh ngadalë, dashuria për të këqijtë shpejt prishet dhe merr një kohë të gjatë që ajo të krijohet. Shoqërimi me njerëz të këqij bën që të lindin mendime të këqija për njerëzit e mirë, dhe ai që rri me njerëz të këqij nuk do të mund të shpëtoj që të mos bëhet njëri prej tyre.
3 – I mençuri e ka për detyrë që të shmanget nga njerëzit e dyshimtë në mënyrë që të mos konsiderohet edhe ai i tillë. Ashtu siç shoqërimi me njerëz të mirë sjell mirësinë, gjithashtu shoqërimi me njerëz të këqij sjell të keqen.
4 – Sufjan bin Ujejneh ka thënë:
“Ai i cili e do një njeri të mirë, në të vërtetë ai e do Allahun -tebareke ue te ala-.”
5 – Malik bin Dinar ka thënë:
“Që të zhvendosësh gurë me njerëz të mirë është më mirë sesa të hash ëmbëlsira me mëkatarët.”
6 – I mençuri nuk e njollos nderin e tij e as nuk adaptohet me rrugët e së keqes duke u shoqëruar me të këqijtë, por gjithmonë është syçelë në mbrojtje të nderit të vet dhe egon e tij e mëson që gjithmonë të shoqërohet me njerëz të mirë.
7 – Ebu ‘Amr bin el-A’la ka thënë:
“Një herë prej herësh Se’id bin Xhubejri më pa duke ndenjur me disa të rinj, dhe më tha:
“Çfarë të shtyn të ulesh me të rinjtë? Do të ishte më mirë për ty që të shoqërosh të moshuarit.”
8 – Ebu Derda -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Që të kesh një shokë të mirë është më mirë sesa të jesh i vetëm, por më mirë është të jesh i vetëm sesa të kesh një shok të keq. Gjithashtu më mirë është të flasësh mirë sesa të heshtësh dhe më mirë është që të heshtësh sesa të flasësh keq.”
9 – I mençuri nuk shoqërohet me të këqijtë sepse shoqërimi me të keqin është pjesë e zjarrit që i sjell njeriut mëri. Dashuria e tij nuk është ashtu siç duhet të jetë dhe ai nuk e mbanë fjalën që ta jep.
10 – Nga lumturia e njeriut janë katër gjëra: “Që bashkëshortja e tij t’i ketë mendimet e njëjta me të, t’i ketë fëmijët e devotshëm, vëllezërit e tij të jenë të mirë dhe që furnizimi i tij të jetë në vendin e tij.