Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

20.Obligimet (vaxhibet) e namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Obligimet (vaxhibet) e namazit janë tetë:

1 – Të gjitha tekbiret përveç tekbirat-ul-ihram (tekbirit të parë).

2 – Në ruku duhet të thuhet:

سبحان ربي العظيم 

Subhane Rabbijel Adhim.

I pastër nga çdo e metë është Zoti im, i Plotfuqishmi.”

3 – Imami dhe xhemati duhet gjithashtu të thonë:

سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَه 

Semi Allahu limen hamideh.

Allahu e dëgjon atë që e lavdëron Atë.”

4 – Të gjithë duhet të thonë:

رَبَّنَا وَ لَكَ الْحَمْدُ 

Rabbena ue lekel hamd.

“Zoti ynë! [Dhe] Ty të takon hamdi dhe lavdërimi!”

5 – Në sexhde duhet të thuhet:

سبحان ربي الأعلى 

Subhane Rabbijel A’la.

“I pastër nga çdo e metë është Zoti im, më i Larti.”

6 – Mes dy sexhdeve duhet të thuhet:

رَبِّ اغْفِرْ لِي

Rabbig-firli.

“O Zot! Më fal!”

7 – Teshehudi i parë.

8 – Ulja në të.

Shpjegimi:

Pasi që Shejkh Muhamed bin Abdil-Uehab bin Sulejman bin Hadi et-Temimi -rahimehullah-, shejkh-ul-Islam i kohës së tij dhe ripërtëritësi në Gadishullin Arabik, përmendi kushtet dhe shtyllat e namazit, ai përmendi tetë obligimet (vaxhibet) e namazit. Sipas mendimit të saktë të dijetarëve obligimet janë tetë:

1 – Të gjitha tekbiret përveç tekbirat-ul-ihramit (tekbirit të parë) sepse tekbirat-ul-ihram është shtyllë e namazit, i cili duhet të jetë i pranishëm. Namazi nuk është i vlefshëm pa të pa marrë parasysh nëse ai mungon me qëllim apo pa qëllim. Namazi pa tekbirat-ul-ihram është i pavlefshëm, pra ai duhet të jetë i pranishëm.

Ky tekbir është emëruar sipas fjalëve të profetit ﷺ:

”Çelësi i namazit është pastrimi, fillimi i tij është tekbiri i parë, ndërsa përfundimi i tij është dhënia e selamit.”

Ky tekbir është i obliguar sipas konsensusit të dijetarëve. Ai vijon si më poshtë:

الله أكبر 

Allahu Ekber.

“Allahu është më i Madhi.”

Këtë mendim e kanë shumica e dijetarëve. Nuk është e vlefshme të thuhet diçka tjetër përveç fjalës:

الله أكبر 

Allahu Ekber.

“Allahu është më i Madhi.”

Nuk është e vlefshme të thuhet ”Allahu është më Gjigant” ose ”Allahu dëgjon më mirë”. Prandaj duhet të thuhet:

الله أكبر 

Allahu Ekber.

“Allahu është më i Madhi.”

Kështu është përmendur në hadithe. Kjo falë do të thotë se Allahu është më i Madh dhe më i Fuqishëm se çdo gjë e madhe dhe gjigante.

Lidhur me tekbiret e rukusë, sexhdes, ngritjes prej rukusë dhe të gjitha tekbiret e tjera, ato janë obligime (vaxhibe) sipas disa dijetarëve. Ky mendim është i saktë sepse i dërguari ﷺ u kujdes t’i veprojë në vazhdimësi dhe tha:

”Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Kur profeti e harroi teshehudin e parë e kompensoi atë me suxhud-us-sehu. Kjo dëshmon se këto janë obligim. Shumica e dijetarëve mendojnë se tekbiri është sunnet sepse namazi nuk konsiderohet i pavlefshëm në qoftë se ky tekbir mungon qoftë me qëllim apo pa qëllim. Ajo që duket të jetë mendimi i saktë është se tekbiret janë vaxhib por nëse tekbiri mungon për shkak të harresës apo padijes, kjo është e padëmshme. Namazi pra është i vlefshëm në qoftë se nga harresa apo nga padituria nuk thuhet:

الله أكبر 

Allahu Ekber.

“Allahu është më i Madhi.”

gjatë rënies në ruku ose nëse nuk thuhet:

سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَه 

Semi Allahu limen hamideh.

“Allahu e dëgjon atë që e lavdëron Atë.”

gjatë ngritjes nga rukuja.

Megjithatë, nuk është e lejuar që të braktisen qëllimisht. Ai që harron ta thotë atë duhet të bëjë dy sexhde për shkak të harresës.

3 – Imami dhe ai që falet vetëm gjithashtu duhet të thonë:

سَمِعَ اللهُ لِمَنْ حَمِدَه 

Semi Allahu limen hamideh.

“Allahu e dëgjon atë që e lavdëron Atë.”

Kjo thuhet gjatë ngritjes nga rukuja.

4 – Të gjithë duhet të thonë:

رَبَّنَا وَ لَكَ الْحَمْدُ

Rabbena ue lekel hamd.

Zoti ynë! [Dhe] Ty të takon hamdi dhe lavdërimi!:

Do të thotë imami, ai që falet vetëm dhe xhemati. Pra që të tre.

5 – Në sexhde duhet të thuhet:

سبحان ربي الأعلى

Subhane Rabbijel A’la.

“I pastër nga çdo e metë është Zoti im, më i Larti.”

6 – Mes dy sexhdeve duhet të thuhet:

رَبِّ اغْفِرْ لِي

Rabbig-firli.

“O Zot! Më fal!”

7 – Teshehudi i parë.

8 – Ulja në të.

Të gjitha këto tetë veprime janë të vaxhib (të obliguara) për t’i kryer në qoftë se të kujtohen dhe ke njohuri për to, por bie obligimi nëse i harron ose nuk ke dije për to. Nëse imami apo ai që falet vetëm harron një vaxhib, ata e kompensojnë atë me suxhud-us-sehu. Xhemati duhet të pasojnë imamin. Përndryshe si imami dhe xhemati duhet ta kompensojnë atë me suxhud-us-sehu. Argument për këtë janë fjalët e profetit ﷺ:

”Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Po ashtu profeti ﷺ bëri dy sexhde kur e harroi teshehudin e parë. Këto dy sexhde ai i bëri para dhënies teslim (selamit).

Shpërndaje: