Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

21.Dallimi mes shtyllës dhe vaxhibit të namazit

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Esh-Sherh El-Mumtez
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam dhe imam Muhamed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

Kur një shtyllë mungon namazi bëhet i pavlefshëm pavarësisht nëse ajo mungon për shkak të harresës apo me qëllim.

Kur një vaxhib mungon me qëllim namazi bëhet i pavlefshëm por nëse mungon për shkak të harresës atëherë duhet të kompensohet me suxhud-us-sehu.

Allahu e di më mirë. Allahu dërgoftë salavate dhe selame të shumta mbi zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

Shpjegimi:

Kur një shtyllë mungon namazi bëhet i pavlefshëm pavarësisht nëse ajo mungon për shkak të harresës apo me qëllim por në qoftë se të kujtohet se ke harruar dhe e përmirëson atë atëherë kjo është e padëmshme.

Nëse namazliu nuk e kryen një shtyllë dhe kalon një kohë e gjatë atëherë duhet ta përsërisë tërë namazin. Ai që falet pa i kryer sexhdet apo rukun në ndonjë rekat ose nuk e thotë tekbirat-ul-ihramin, nuk konsiderohet të jetë falur. E njëjta gjë vlen nëse nuk ulet në mes të dy sexhdeve në mënyrë që ai bën një sexhde të gjatë ose e ngre kokën pa u ulur në mes të dy sexhdeve. Ulja në mes të dy sexhdeve duhet të veprohet. E njëjta gjë vlen edhe nëse personi ngrihet nga rukuja pa u drejtuar mirë me qetësi dhe pa qëndruar drejtë, namazi i tij është i pavlefshëm. E njëjta gjë vlen edhe për personin i cili nuk e lexon teshehudin e dytë, namazi i tij është i pavlefshëm edhe nëse e harron atë. E njëjta gjë vlen nëse kjo i kujtohet atij shumë kohë më pas.

Atij që i kujtohet se ka harruar një shtyllë duhet ta kryejë atë dhe të bëjë dy sexhde për shkak të harresës. Shembull i kësaj është personi i cili e harron rukun në rekatin e katërt dhe i kujtohet kjo, ai duhet të ngrihet dhe të bëjë ruku. Pastaj e plotëson namazin e tij dhe bënë suxhud-us-sehu. E njëjta gjë vlen edhe për personin i cili e harron një sexhde dhe i kujtohet para se të ngrihet. Dhe nëse i kujtohet pasi të jetë ngritur ai duhet të bjerë në sexhde dhe në qoftë se kjo i kujtohet më vonë, atëherë ai fal edhe një rekat dhe e përfundon me suxhud-us-sehu.

Për sa u përket obligimeve është e padëmshme nëse ato mungojnë për shkak të harresës apo padijes. Ajo që harrohet duhet të kompensohet me suxhud-us-sehu. Kështu bëri profeti ﷺ kur e harroi teshehudin e parë. E njëjta gjë vlen nëse ai harron bërjen tesbih në ruku ose në sexhde, ose fjalën:

رَبِّ اغْفِرْ لِي

Rabbig-firli.

”O Zoti im, më fal!”

në mes të dy sexhdeve ose teshehudin e parë, ai duhet të bëjë suxhud-us-sehu para selamit. Kjo është vaxhib dhe është mendimi i saktë. Shumica e dijetarëve thonë se ky veprim është vetëm i pëlqyer por mendimi që thotë se kjo është vaxhib është më mbizotërues sepse profeti ﷺ ka thënë:

“Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Kjo është më mbizotëruese dhe më e sigurt.

Allahu u dhëntë sukses të gjithëve!

Libri përfundoi.

Shpërndaje: