Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

20.Prandaj urrehet të qarët pas vdekjes së një personi

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Të qarit është butësia dhe mëshira e cila gjendet në zemrat e robërve të Allahut. Sipas medhëhebit të Imam Ahmedit dhe të imam Ebu Hanifes lejohet të qashë para dhe pas vdekjes së personit. Këtë mendim e zgjodhi gjithashtu Ebu Is’hak Esh-Shijrazi.

Imam Shafiu dhe shumë të tjerë nga medhëhebi i tij e konsiderojnë të urryer të qajturit pas vdekjes së një personi, ndërsa e konsiderojnë të lejuar këtë para se t’i del shpirti nga trupi. Dëshmia e tyre për këtë, është hadithi i transmetuar nga Xhabir bin Atik -radijAllahu anhu- i cili tregoi se:

“I dërguari i Allahut ﷺ e vizitoi Abdullah bin Thabitin dhe e gjeti atë në prag të vdekjes. I dërguari i Allahut ﷺ e thërriti atë por ai nuk iu përgjigj.

I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!

Gratë filluan të bërtasin dhe të qajnë, ndërsa Ibn Atiku kërkoi që ato të heshtnin.

I dërguari i Allahut ﷺ i tha atij: “Lëri ato. Kur të vij detyrimi askush nuk do të qaj më.”

Ata pyetën: “Çfarë është detyrimi?”

Ai u përgjigj: “Vdekja.”

Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi (3111), Nesai dhe Ibn Maxheh. Formulimi është i Ebu Daudit.

Gjithashtu, transmeton Bukhari dhe Muslimi nga Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma- se profeti ﷺ ka thënë:

إن الميت ليعذب ببكاء أهله عليه

“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit (vajtimit) të familjarëve të tij për të.”

Ata thonë se, kjo ka të bëj pas vdekjes së njeriut dhe jo kur ai është në prag të vdekjes, ngase njeriu nuk konsiderohet i tillë përveçse pasi të vdes.

Gjithashtu, është transmetuar nga Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- se, kur i dërguari i Allahut ﷺ shkoi në Uhud, dëgjoi disa gra të fisit Beni Abdil-Eshhel duke qarë për të vdekurit e tyre në betejë. Në atë rast, i dërguari i Allahut ﷺ tha:

لكن حمزة لا بواكي له

“Askush nuk po qanë për Hamzanë.”

Pasi e dëgjuan këtë, erdhën gratë ensarije dhe filluan të qajnë për të. Edhe pse i dërguari i Allahut ﷺ kishte rënë për të pushuar, kur dëgjoi ato duke qarë u zgjua dhe u tha atyre:

ويحهن إنهن ههنا يبكين ؟ ما أثقلهن ! مروهن فليرجعن و لا يبكين على هالك بعد الموت

“Të mjerat ato, si po qajnë këtu? Sa të bezdisshme që janë! Urdhëroni ato që të kthehen dhe le të mos qajnë për dikë pasi të ketë vdekur.” Transmeton Imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh.

Këto argumente, dëshmojnë qartë se, lejesa e mëparshme për vajtimin e të vdekurit është shfuqizuar. Dallimi në mes të qarit para vdekjes dhe pas saj është se të qarit para vdekjes bëhet sepse ende shpresohet që personi të mbijetojë. Por, pasi që ai vdes shpresa humbet, andaj nuk ka dobi nga të qarit.

Kolegët tanë (Hanbeli) dhe ata të cilët kanë mendimin e tyre, thonë se është e lejueshme të qarit para dhe pas vdekjes së personit. Ata argumentojnë me fjalët e Xhabir bin Abdilah-it radijAllahu anhuma i cili ka thënë: “Babai im u vra në ditën e Uhudit. Unë i hoqa petkun që ia kishin hedhur mbi fytyrë dhe qaja. Disa prej atyre që ishin prezent më ndalonin nga ky veprim, kurse i dërguari i Allahut ﷺ nuk më ndalonte. Edhe halla ime Fatimja filloi të qajë profeti ﷺ i tha:

تبكين أو لا تبكين ما زالت الملائكة تظله بأجنحتها حتى رفعتموه

“Pavarësisht se a qanë ti apo jo, engjëjt e mbulonin atë me krahët e tyre deri sa ju e ngritët atë.” Buhariu dhe Muslimi.

Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- ka thënë: “Kur Sa’d bin Ubadeh u sëmurë, profeti ﷺ erdhi që ta vizitojë atë së bashku me Abdurr-Rrahman bin ‘Aufin, Sa’d bin Ebi Uekasin dhe Abdullah bin Mesudin. Kur hyrën tek ai e gjetën të alivanosur (nga sëmundja).”

Profeti ﷺ pyeti: “A ka vdekur?”

Ata i thanë: “Jo, o i dërguari i Allahut.”

Profeti filloi të qaj. Kur ata e panë të dërguarin e Allahut duke qarë filluan edhe ata të qajnë!

Ai ﷺ tha: “A nuk po dëgjoni? Vërtet, Allahu nuk ndëshkon për lotin e syrit dhe as për pikëllimin e zemrës, porse ndëshkon ose fal për këtë dhe bëri me shenjë drejt gjuhës së tij.”

Transmeton Muslimi (924) dhe Bukhari (1304).Usame ibn Zejd ibn Harithe -radijAllahu anhu- tregon se njëra prej vajzave të profetit ﷺ i çoi fjalë atij: “Djali im po vdes prandaj eja sa më shpejt!”

Ai ﷺ i dërgoi selam dhe e porositi me këto fjalë:

“Vërtet, e Allahut është ajo që Ai merr dhe Atij i takon ajo që Ai jep, dhe çdo gjë tek Ai është me një afat të caktuar, andaj le të bëjë durim dhe të shpresojë shpërblimin e Allahut!”

Vajza e profetit ﷺ e dërgoi përsëri dhe i betohet që të vijë. Profeti ﷺ u ngrit në këmbë, e me të ishin: Sa’d ibn Ubadeh, Muadh ibn Xhebeli, Ubej ibn Ka’bi, Zejd ibn Thabiti dhe disa burra të tjerë. Kur profeti ﷺ erdhi te vajza e tij, e mori djaloshin në pre­hrin e vet, djaloshi po merrte frymë i shqetësuar dhe trupi i dridhej, profetit ﷺ filluan t’i rridhnin lotët rrëke.”

Sa’di i tha: “Ç’është kjo, o i dërguari i Allahut?”

Ai ﷺ tha: “Kjo është mëshirë të cilën Allahu e vendos në zemrat e robërve të Tij të cilëve dëshiron, dhe padyshim që Allahu mëshiron nga robërit e Tij, ata që janë të mëshirshëm ndaj të tjerëve.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Transmetohet se Enes bin Maliku -radijAllahu anhu- ka thënë: “Ishim në varrimin e një prej bijave të dërguarit të Allahut ﷺ. I dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur pranë varrit, ndërsa unë pashë se si sytë e tij ishin të mbushur me lot. Ai tha:

هل منكم من رجل لم يقارف الليلة ؟

“Kush nga ju nuk ka pasur marrëdhënie intime natën e kaluar?”

Ebu Talha tha: “Unë.” Ai ﷺ i tha atij:

فانزل في قبرها

“Lëshojë atë në varr.” Transmetuar nga Buhari.

Transmetohet se Enesi -radijAllahu anhu- i cili ka treguar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

ولد لي غلام فسميته باسم أبي إبراهيم

“Më ka lindur një djalë të cilin e emërtova me emrin e babait tim Ibrahimit …”

Hadithi vazhdon, derisa ai (Enesi) tha: “Pastaj ne e vizituam të dërguarin e Allahut ﷺ  ndërsa Ibrahimi ishte duke u përballë me vdekjen. Të dërguarit të Allahut ﷺ i filluan t’i rrjedhin lotët. Në një transmetim shtohet se profeti ﷺ e morri atë në prehër dhe i tha:

يا بني لا أملك لك من الله شيئا

“O biri im, unë nuk kam në dorë asgjë ndaj asaj që Allahu ka caktuar për ty.”

Në atë rast, Abdurr-Rrahman bin ‘Auf dhe Enesi i thanë: “O i dërguari i Allahut! A po qan ndërsa ke ndaluar që të qajmë?”

Ai u përgjigj:

يا بن عوف إنها رحمة ومن لا يرحم لا يرحم

“O biri i ‘Aufit! Kjo është një mëshirë! Ai që nuk mëshiron nuk mëshirohet.

Pastaj vazhdoi duke thënë:

إن العين تدمع و القلب يحزن و لا نقول إلا ما يرضي ربنا و إنا لفراقك يا إبراهيم لمحزونون

“Syri loton, zemra pikëllohet, por ne nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë. Ne prej ndarjes me ty o Ibrahim jemi të pikëlluar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në këtë ka dëshmi se është e lejueshme të qash për personin para vdekjes së tij.

Enesi -radijAllahu anhu- gjithashtu ka thënë:

أخذ الراية زيد فأصيب ثم أخذها عبد الله بن رواحة فأصيب ثم أخذها جعفر فأصيب و إن عيني رسول الله صلى الله عليه و سلم لتذرفان ثم أخذها خالد بن الوليد من غير إمرة ففتح له

“Zejdi e mori flamurin dhe u vra. Pastaj e mori Abdullah bin Rauaha dhe u vra. Pastaj e mori Xhaferi dhe u vra,” – “dhe lotët rridhnin nga sytë e të dërguarit ﷺ.” Pastaj flamurin e mori Halid bin Uelidi pa qenë i urdhëruar dhe triumfoi.” Transmeton Buhariu.

Transmetohet nga Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- i cili ka thënë: “Kur Zejnebja bija e të dërguarit të Allahut ﷺ vdiq, gratë filluan të qajnë. Atëherë Umeri filloi të rrah me kamxhikun e tij. Në atë rast i dërguari i Allahut ﷺ e kapi për dore dhe i tha:

مهلا يا عمر ثم إياكن و نعيق الشيطان

“Qetësohu o Umer! Unë ua tërheq vërejtjen grave nga britmat e shejtanit.”

Pastaj ai ﷺ tha:

إنه مهما كان من العين و القلب فمن الله عز و جل و من الرحمة و ما كان من اليد و اللسان فمن الشيطان

“Çfarëdo që vije nga sytë dhe zemra (loti dhe dhembja) ajo është prej Allahut dhe nga mëshira. Ndërsa ajo që vije nga dora dhe gjuha është prej shejtanit.”Transmeton Imam Ahmedi.

Aishah -radijAllahu anha- ka treguar se kur Sad bin Muadhi kishte vdekur, tek ajo erdhi i dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri dhe Umeri -radijAllahu anhuma-. Ajo tha: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Unë dalloja të qarit e Ebu Bekrit nga ajo e Umerit ndërsa unë isha në dhomën time.” Transmeton Ahmedi.

Esma bint Jezid ka thënë: “Kur vdiq Ibrahimi, biri i të sërguarit të Allahut ﷺ, i dërguari i Allahut ﷺ kishte qarë.” Transmeton Ibn Maxheh.

Imam Ahmedi gjithashtu transmeton nga Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- i cili ka thënë: “Kur Rukajjah, bija e të dërguarit ﷺ kishte vdekur, ai tha:

الحقي سلفنا الخير عثمان بن مظعون

“Bashkohu me përfaqësuesin tanë të mirë Uthman bin Medh’un.”

Gratë qanin, ndërsa Umeri rrihte me kamxhikun e tij. Pastaj profeti ﷺ tha:

دعهن يبكين و إياكن و نعيق الشيطان

“Leri ato të qajnë. Por unë ua tërheq vërejtjen atyre nga britmat e shejtanit.”

Pastaj ai ﷺ tha:

مهما يكن من القلب و العين فمن الله و الرحمة و مهما كان من اليد و اللسان فمن الشيطان

“Çfarëdo që vije nga sytë dhe zemra (loti dhe dhembja) ajo është prej Allahut dhe nga mëshira. Ndërsa ajo që vije nga dora dhe gjuha është prej shejtanit.”

Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ u ul afër njërit skaj të varrit. Afër tij ishte Fatimja e cila qante, kurse i fshinte sytë e saj me rrobën e tij nga mëshira që kishte për të.”

Në dy hadithet që flasin për vdekjen e Zejnebes dhe Rukajës dy bijave të profetit salllahu alejhi ue selem konfirmohet të qarit pas vdekjes.

Ka disa transmetime se kur ai ﷺ vizitoi varrin e nënës së tij qau dhe i bëri edhe të pranishmit të qajnë. Gjithashtu është transmetuar në formë autentike se ai salAllahu alejhi ue selem e puthi ‘Uthman bin Medh’unin pasi që kishte vdekur, ndërsa lotët i rridhnin nëpër fytyrën e tij. E njëjta gjë konfirmohet edhe në tregimet që flasin në lidhje me vdekjen e Xhaferit dhe Abdullah bin Rauahas.

Në mënyrë të ngjashme është transmetuar në formë autentike se Ebu Bekr es-Sidiku -radijAllahu anhu- e puthi profetin ﷺ pasi që ai kishte vdekur dhe qau dhe i bëri edhe të tjerët të qajnë.

Të gjitha këto hadith dëshmojnë se është e lejueshme të qashë para dhe pas vdekjes së një personi dhe se kjo nuk është aspak e urryer.

Shpërndaje: