Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

21.Si duhet trajtuar personi që nuk i di rregullat e fesë!

Autori i librit: Hafidh Ibn Haxher el-Askalani
Shpjegues: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Esh-Sherh el-Mukhtasar ala Bulugh-il-Maram
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Hafidh Ibn Haxher el-Askalani -rahimehullah- ka thënë:

14 – Enes bin Maliku -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Një beduin hyri në xhami dhe urinoi në një qoshe të xhamisë. Si rezultat i kësaj njerëzit e qortuan atë, ndërsa profeti ﷺ i ndaloi ata. Pasi që ai mbaroi urinimin, profeti ﷺ urdhëroi që të derdhet një kovë me ujë mbi vendin ku kishte urinuar.” 1

Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi.

Shpjegimi

Zakonisht beduinët janë të paditur sepse ata nuk jetojnë në qytete apo në fshatra, kështu që ata nuk i dinë dispozitat e fesë që Allahu i ka shpallur të dërguarit të Tij ﷺ. Pra, ata janë injorantë.

Pra, një beduin hyri në xhaminë e profetit ﷺ, e cila ishte e gjerë. Ai shkoi në një qoshe dhe filloi të urinojë. Për shkak të kësaj njerëzit e qortuan ashpër atë që të ndërpriste urinimin sepse urina është papastërti dhe xhamitë duhet të jenë të pastra nga papastërtitë. Përkundër kësaj profeti ﷺ i ndaloi ata dhe tha:

“Mos e pengoni!” 2

Lëreni të përfundojë urinimin. Pasi që kishte urinuar beduini, profeti ﷺ urdhëroi që një kovë e mbushur me ujë të derdhet mbi urinë. Pastaj ai e thirri beduinin dhe i tha:

“Këto xhami nuk duhet të ndoten me papastërti. Ato janë për namaz, për të madhëruar Allahun, për lexim të Kuranit dhe dhikr.” 3

Si rrjedhojë e kësaj, beduini tha:

“O Allah! Më mëshiro mua dhe Muhammedin dhe asnjë tjetër!” 4

Ai tha kështu sepse sahabët e kishin qortuar, ndërsa Muhammedi ﷺ i foli me qetësi atij dhe ja shpjegoi gjykimin sheriatik në një mënyrë bindëse.


1 Bukhari (219) dhe Muslimi (284).

2 Bukhari (5679) dhe Muslimi (284).

3 Muslimi (285).

4 Bukhari (5664).

Shpërndaje: