Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi
Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 41-42
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Kolegët tanë (Hanbeli) dhe ata të cilët kanë mendimin e tyre, thonë se është e lejueshme të qarit para dhe pas vdekjes së personit. Ata argumentojnë me fjalët e Xhabir bin Abdilah-it radijAllahu anhuma i cili ka thënë: “Babai im u vra në ditën e Uhudit. Unë i hoqa petkun që ia kishin hedhur mbi fytyrë dhe qaja. Disa prej atyre që ishin prezent më ndalonin nga ky veprim, kurse i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem nuk më ndalonte. Edhe halla ime Fatimja filloi të qajë,Profeti salAllahu alejhi ue selem i tha:
تبكين أو لا تبكين ما زالت الملائكة تظله بأجنحتها حتى رفعتموه
“Pavarësisht se a qanë ti apo jo, engjëjt e mbulonin atë me krahët e tyre deri sa ju e ngritët atë.” Buhariu dhe Muslimi.
Ibn Umeri radijallahu anhuma ka thënë: “Kur Sa’d bin Ubadeh ishte sëmurë, Profeti salAllahu alejhi ue selem erdhi që ta vizitojë atë së bashku me Abdurr-Rrahman bin ‘Aufin, Sa’d bin Ebi Uekasin dhe Abdullah bin Mes’udin. Ata e gjetën atë të alivanosur. Profeti salAllahu alejhi ue selem pyeti:
قد قضى ؟
“A ka vdekur ai?”
Ata thanë: “Jo, o i Dërguari i Allahut.” Pastaj Profeti salAllahu alejhi ue selem filloi të qaj. Kur njerëzit e panë të Dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem duke qarë filluan edhe ata të qajnë! Ai tha:
ألا تسمعون أن الله لا يعذب بدمع العين و لا بحزن القلب و لكن يعذب بهذا و أشار إلى لسانه أو يرحم
“A nuk po dëgjoni se Allahu nuk ndëshkon për lotin e syrit dhe as për mërzinë/dhembjen e zemrës? Por Ai ndëshkon ose fal për këtë -dhe bëri me shenjë kah gjuha e tij!” Transmeton Buhariu dhe ky është formulimi i tij.
Transmetohet se Usame bin Zejdi radijallahu anhuma ka thënë: “Ishim me Profetin salallahu alejhi ue selem kur një nga vajzat e tij e dërgoi një lajmëtar tek ai për t’i treguar se një nga fëmijët e saj ishte në prag të vdekjes. Ai salAllahu alejhi ue selem i tha lajmëtarit:
ارجع إليها فأخبرها أن لله عز و جل ما أخذ و له ما أعطى و كل شيء عنده بأجل مسمى فمرها لتصبر و لتحتسب
“Kthehu tek ajo dhe thuaj asaj se Allahut i takon ajo që Ai ka marrë dhe ajo që Ai ka dhënë. Dhe thuaji se çdo gjë tek Ai ka një afat të caktuar. Thuaji asaj që të durojë dhe të shpresojë në shpërblimin e Allahut.”
Pastaj u kthye lajmëtari përsëri dhe tha: “Ajo të përbetohet që të shkosh tek ajo.” Profeti salallahu alejhi ue selem u ngrit së bashku me Sa’d bin ‘Ubaden, Mu’adh bin Xhebelin, Ubej bin Ka’bin, Zejd bin Thabitin edhe unë shkova me ta. Fëmija i vogël iu dha atij salallahu alejhi ue selem dhe trupi i tij dridhej sikurse të ishte në një shishe të vogël. Atij salAllahu alejhi ue selem iu mbushën sytë me lot. Sa’di i tha atij: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë është kjo?” Ai u përgjigj:
هذه رحمة جعلها الله في قلوب عباده و إنما يرحم الله من عباده الرحماء
“Kjo është mëshirë të cilën Allahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Me të vërtetë Allahu i mëshiron vetëm robërit e Tij të cilët janë të mëshirshëm.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Transmetohet se Enes bin Maliku radijAllahu anhu ka thënë: “Ishim në varrimin e një prej bijave të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ishte ulur pranë varrit, ndërsa unë pashë se si sytë e tij ishin të mbushur me lot. Ai tha:
هل منكم من رجل لم يقارف الليلة ؟
“Kush nga ju nuk ka pasur marrëdhënie intime natën e kaluar?”
Ebu Talha tha: “Unë.” Ai salAllahua lejhi ue selem i tha atij:
فانزل في قبرها
“Lëshojë atë në varr.” Transmetuar nga Buhari.
Transmetohet se Enesi radijAllahu anhu i cili ka treguar se i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:
ولد لي غلام فسميته باسم أبي إبراهيم
“Më ka lindur një djalë të cilin e emërtova me emrin e babait tim Ibrahimit …”
Hadithi vazhdon, derisa ai (Enesi) tha: “Pastaj ne e vizituam të Dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem ndërsa Ibrahimi ishte duke u përballë me vdekjen. Të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem i filluan t’i rrjedhin lotët. Në një transmetim shtohet se, Profeti salAllahu alejhi ue selem e morri atë në prehër dhe i tha:
يا بني لا أملك لك من الله شيئا
“O biri im, unë nuk kam në dorë asgjë ndaj asaj që Allahu ka caktuar për ty.”
Në atë rast, Abdurr-Rrahman bin ‘Auf dhe Enesi i thanë: “O i Dërguari i Allahut! A po qan ndërsa ke ndaluar që të qajmë?” Ai u përgjigj:
يا بن عوف إنها رحمة ومن لا يرحم لا يرحم
“O biri i ‘Aufit! Kjo është një mëshirë! Ai që nuk mëshiron nuk mëshirohet.
Pastaj vazhdoi duke thënë:
إن العين تدمع و القلب يحزن و لا نقول إلا ما يرضي ربنا و إنا لفراقك يا إبراهيم لمحزونون
“Syri loton, zemra pikëllohet, por ne nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë. Ne prej ndarjes me ty o Ibrahim jemi të pikëlluar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Në këtë ka dëshmi se është e lejueshme të qash për personin para vdekjes së tij.
Enesi radijAllahu anhu gjithashtu ka thënë:
أخذ الراية زيد فأصيب ثم أخذها عبد الله بن رواحة فأصيب ثم أخذها جعفر فأصيب و إن عيني رسول الله صلى الله عليه و سلم لتذرفان ثم أخذها خالد بن الوليد من غير إمرة ففتح له
“Zejdi e mori flamurin dhe u vra. Pastaj e mori Abdullah bin Ravaha dhe u vra. Pastaj e mori Xha’feri dhe u vra,” – “dhe lotët rridhnin nga sytë e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.” Pastaj flamurin e mori Halid bin Uelidi pa qenë i urdhëruar dhe triumfoi.” Transmeton Buhariu.
Transmetohet nga Ibn Abasi radijAllahu anhuma i cili ka thënë: “Kur Zejnebja bija e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem vdiq, gratë filluan të qajnë. Atëherë Umeri filloi të rrah me kamxhikun e tij. Në atë rast, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem e kapi për dore dhe i tha:
مهلا يا عمر ثم إياكن و نعيق الشيطان
“Qetësohu o Umer! Unë ua tërheq vërejtjen grave nga britmat e shejtanit.”
Pastaj ai salAllahu alejhi ue selem tha:
إنه مهما كان من العين و القلب فمن الله عز و جل و من الرحمة و ما كان من اليد و اللسان فمن الشيطان
“Çfarëdo që vije nga sytë dhe zemra (loti dhe dhembja) ajo është prej Allahut dhe nga mëshira. Ndërsa ajo që vije nga dora dhe gjuha është prej shejtanit.” Transmeton Imam Ahmedi.
Aishja radijallahu anha ka treguar se kur Sa’d bin Mu’adhi kishte vdekur, tek ajo erdhi i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem, Ebu Bekri dhe Umeri radijallahu anhuma. Ajo tha: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Unë dalloja të qarit e Ebu Bekrit nga ajo e Umerit ndërsa unë isha në dhomën time.” Transmeton Imam Ahmedi.
Esma bint Jezid ka thënë: “Kur vdiq Ibrahimi, biri i të Dërguarit të Allahut salAllahu alejhi ue selem, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem kishte qarë.” Transmeton Ibn Maxheh.
Imam Ahmedi gjithashtu transmeton nga Ibn Abasi radijAllahu anhu i cili ka thënë: “Kur Rukajjah, bija e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem kishte vdekur, ai tha:
الحقي سلفنا الخير عثمان بن مظعون
“Bashkohu me përfaqësuesin tanë të mirë Uthman bin Medh’un.”
Gratë qanin, ndërsa Umeri rrihte me kamxhikun e tij. Pastaj Profeti salAllahu alejhi ue selem tha:
دعهن يبكين و إياكن و نعيق الشيطان
“Leri ato të qajnë. Por unë ua tërheq vërejtjen atyre nga britmat e shejtanit.”
Pastaj ai salAllahu alejhi ue selem tha:
مهما يكن من القلب و العين فمن الله و الرحمة و مهما كان من اليد و اللسان فمن الشيطان
“Çfarëdo që vije nga sytë dhe zemra (loti dhe dhembja) ajo është prej Allahut dhe nga mëshira. Ndërsa ajo që vije nga dora dhe gjuha është prej shejtanit.”
Pastaj, i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem u ul afër njërit skaj të varrit. Afër tij ishte Fatimja e cila qante, kurse i fshinte sytë e saj me rrobën e tij nga mëshira që kishte për të.”
Në dy hadithet që flasin për vdekjen e Zejnebes dhe Rukajës dy bijave të Profetit salallahu alejhi ue selem konfirmohet të qarit pas vdekjes.
Ka disa transmetime se kur ai salallahu alejhi ue selem vizitoi varrin e nënës së tij qau dhe i bëri edhe të pranishmit të qajnë. Gjithashtu është transmetuar në formë autentike se ai salAllahu alejhi ue selem e puthi ‘Uthman bin Medh’unin pasi që kishte vdekur, ndërsa lotët i rridhnin nëpër fytyrën e tij. E njëjta gjë konfirmohet edhe në tregimet që flasin në lidhje me vdekjen e Xha’ferit dhe Abdullah bin Rauahas.
Në mënyrë të ngjashme është transmetuar në formë autentike se Ebu Bekr es-Sidiku radijAllahu anhu e puthi Profetin salAllahu alejhi ue selem pasi që ai kishte vdekur dhe qau dhe i bëri edhe të tjerët të qajnë.
Të gjitha këto hadith dëshmojnë se është e lejueshme të qashë para dhe pas vdekjes së një personi dhe se kjo nuk është aspak e urryer.