Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Nëse Allahu të mençurit i dhuron dashurinë e sinqertë të një muslimani dhe kujdeset që ta ruaj atë dashuri, ai detyrohet t’i përmbahet asaj çfarë kërkon dashuria e ndërsjellë. Pastaj duhet të kalitë vetveten që të mbaj lidhjen me të edhe atëherë kur ai i shkëput ato, të shkojë tek ai edhe kur ai ia kthen shpinën atij, t’i japë atij edhe atëherë kur ai e privon atë, t’i afrohet edhe atëherë kur ai i largohet atij, dhe ta konsiderojë atë sikurse të jetë shtyllë për të.
2 – Një nga mangësitë më të mëdha që njeriu mund të ketë është që të jetë jostabil në dashuri ndaj të tjerëve.
3 – El-Asme’ij ka thënë: “Një beduin i mençur ka thënë:
“Njeriu më i pavlerë për njerëzit është ai i cili nuk kërkon të ketë shokë. Mirëpo është një person që është edhe më i pavlerë, dhe ai është: ai i cili ka pasur shokë ndërsa ka humbur dashurinë e tyre që dikur kishin për të. Ai i cili di të bëj zgjidhje të mirë për veten e tij, di të bëj zgjidhje edhe për të tjerët.”
4 – I mençuri nuk duhet të jetë i shkujdesur në ruajtjen e dashurisë. Ai nuk mund t’i ketë disa fytyra apo dy zemra. Por e brendshmja e tij përputhet me të jashtmen që ai shfaq dhe fjalët e tij janë në përputhje me veprat që i vepron. Nuk ka mirësi tek vëllazëria mes të së cilëve të metat dhe gabimet e tyre vetëm shtohen.
5 – Jahja bin Ebi Kethir thotë se Sulejmani ﷺ i ka thënë birit të tij:
“Bir i dashur! Ruaje lidhjen me shokun tënd të parë dhe mos mendo se i dyti është sikurse i pari, ndoshta as nuk i afrohet atij!”
6 – I mençuri nuk mund të jetë shok me atë i cili ka shumë fytyra, dhe ai nuk lidhet vëllazërisht me personin i cili ia kthen shpinën. Ai shfaq për shokun atë dashuri që e mban brenda vetes edhe pse më shumë mban dashuri brenda vetës sesa atë që e shfaq. Kur ndodh ndonjë keqkuptim apo mosmarrëveshje mes tyre, ai është me të ashtu siç ka qenë edhe para se të ndodhte ajo sepse shoku i vetëm i cili ka vlerë është ai që posedon këtë tipar.
7 – Hisham bin Urueh thotë se babai i tij ka thënë:
“Nga urtësitë e mëhershme është: ”Duaje shokun tënd dhe shokun e babait tënd.”
8 – Një nga tiparet më të mëdha të dukshme përmes të cilave identifikohet nëse dashuria është e shëndoshë apo jo është “të shikuarit”. Në të shumtën e rasteve shikimi i mirë shfaq dashurin që njeriu ka në zemër. Dhe e kundërta e kësaj, shikimi mund të fsheh atë urrejtje që njeriu ka brenda tij. Prandaj njeriu i mençur e sheh dashurinë e cila gjendet në zemër dhe që shfaqet në sytë e vëllait të tij.
9 – Ibrahim bin Shiklah ka thënë:
“Nëse një person të thotë se të do apo se të urren, atëherë atë që fsheh në zemër gjykoje të jetë sipas asaj që thotë, ngase ti nuk mund ta dish se çfarë ai mban në brendi. Prandaj trajtoje atë sipas asaj që ai thotë.”
10 – Ibrahim el-Xhehni ka thënë:
“Shenjat e dashurisë i sheh te personi i cili të do edhe nëse ai nuk të shprehet!”