Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

22.Me çfarë cilësish e dallon besimtari veten nga kafiri dhe ateisti?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)

Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 114-117 Përktheu: Valdet Gashi 
www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja njëzet e dy: Me çfarë cilësish e dallon besimtari veten nga kafiri dhe ateisti?

Përgjigje: Kjo është një pyetje madhështore. Dallimi mes besimtarëve dhe të gjithë të tjerëve sqaron dallimin në mes të vërtetës dhe të kotës, fatlumëve dhe fatkeqëve.

Zemra e tij është plot besim, dije, bindje, qetësi dhe lidhet me Allahun. Ai i drejtohet vetëm Allahut dhe adhuron Atë sinqerisht me adhurimin që Ai e ka përshkruar me anë të profetit të Tij ﷺ. Ai shpreson shpërblimin e Tij dhe i frikësohet dënimit të Tij. Me zemër, gjuhë dhe pjesët e trupit e falënderon Atë për begatitë e Tij dhe mirësitë e mëdha me të cilat Ai e furnizon atë tërë kohën. Ai e kujton Atë dhe nuk sheh ndonjë begati apo nder më të madh se kjo. Ai preferon kënaqësinë e kthimit tek Allahu i vetëm para kënaqësive të kësaj bote dhe atyre materiale.

Pavarësisht nga kjo ai dëfrehet mjaft nga kjo jetë, por jo si ateistët ose neglizhentët. Me ndihmën e kënaqësive të jetës ai përpiqet të përmbush të drejtat ndaj Allahut dhe të drejtat ndaj robërve të Tij. Shpresa e tij plotësohet, i jep zemrës së tij qetësi dhe e qetëson atë. Ai nuk pikëllohet nëse atë e godet diçka e padëshiruar. Një njeriu të tillë Allahu ia ka dhënë lumturinë në dunja dhe në ahiret.

Shpjegimi

Autori (rahimehullah) përmendi cilësitë me të cilat besimtari është i ndryshëm nga kufarët, ateistët dhe neglizhentët që kujdesen vetëm për jetën e kësaj bote dhe kënaqësitë. Sa e mirë është gjendja e besimtarit kur ai gjithashtu gëzon kënaqësitë e lejuara të kësaj jete në një mënyrë që e kënaq Allahun.

Allahu (te ala) ka thënë:

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ اللّهِ الَّتِيَ أَخْرَجَ لِعِبَادِهِ وَالْطَّيِّبَاتِ مِنَ الرِّزْقِ قُلْ هِي لِلَّذِينَ آمَنُواْ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا خَالِصَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ كَذَلِكَ نُفَصِّلُ الآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْلَمُونَ

Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira, që Allahu i krijoi për robërit e vet?”- Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e kijametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqarojmë argumentet një populli që kupton.” 1

Ashtu si të gjithë të tjerët ai fiton para në këtë jetë por pasuria e tij është e kufizuar me të ligjshmet dhe të qartat. Ai qëndron larg nga paqartësitë dhe ka parasysh fjalët e profetit  ﷺ:

“Devotshmëria është karakteri i mirë. Mëkati është ajo që lidhet në gjoksin tënd dhe që nuk dëshiron që njerëzit ta dinë.” 2

Profeti  ﷺ ka thënë:

“Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta është sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të. Andaj, dijeni, o njerëz, se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut në tokë janë haramet. Dijeni se në trup është një copë mishi, që nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e nëse prishet, prishet tërë trupi. Vërtetë, ajo është zemra.” 3

Ai nuk fiton para nëse nuk janë të ligjshme. Ai shmang atë që është e ndaluar dhe të dyshimtën. Kjo është për shkak se ai udhëhiqet nga një besim i thellë. Ai e di se kjo jetë është vetëm një rrugë drejt jetës tjetër. Personi me të ardhura të ndaluara mund të braktis rrugën në çdo kohë ose të paktën të ketë pengesa në të.

Besimtari ka dije të dobishme mbi të cilën ai e bazon besimin e tij në Allahun. Ai beson në ekzistencën e Tij, emrat dhe cilësitë e Tij. Ai e di se Allahu nuk i ngjanë askujt, se Ai posedon aftësinë e përsosur që askush nuk mund të pengojë dhe se Ai zotëron dije gjithëpërfshirëse që asgjë nuk i ikë. Me urtësinë e Tij, Ai i vë gjërat në vendin e tyre. Robërit e tij nuk kanë asgjë për të fajësuar para Tij. Të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij janë të përsosura. Ato nuk janë të ngjashme me asgjë nga krijesat e Tij. Prandaj muslimani beson se Allahu është ngritur mbi arsh, se Ai është i ndarë nga krijesat, dituria e Tij është kudo dhe se Ai i di të gjitha veprat e njeriut pavarësisht se a bëhen ato me zemër, me gojë apo me gjymtyrë.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَلَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنسَانَ وَنَعْلَمُ مَا تُوَسْوِسُ بِهِ نَفْسُهُ وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ

 “Dhe sigurisht që Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se çfarë i pëshpërit atij vetvetja (nefsi i vet). Dhe Ne jemi më afër tij se sa vena e qafës së tij.” 4

Kur robi beson Allahun, është i vetëdijshëm se Allahu mbikëqyr gjitha momentet e tij dhe përdorë kënaqësitë e kësaj jeta për t’iu bindur Allahut, ai është besimtar që përfiton nga besimi i tij në të dy jetët. Kështu ai fiton lumturi në të dyja jetët. Zemra e tij është e qetë kur kujton Allahun. Kur e godasin gjërat e pa këndshme ai i mposht ato dhe i merr me lehtësi ato. Ai e di se kjo jetë është e shkurtër dhe se jeta e ardhshme është më e mirë për njerëzit e devotshëm.


1 7:32.

2 Muslimi (2553).

3 Bukhari (52) dhe Muslimi (1599).

4 50:16.

Shpërndaje: