“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

22.Metodologjia e mohuesve në lidhje me cilësitë e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Mohuesit e emrave dhe cilësive të Allahut janë unanim për t’i pohuar Allahut ato cilësi që janë në përputhje me mendjen (logjikën) e tyre dhe për të mohuar ato cilësi  që nuk përputhen me mendjen e tyre. Kjo vlen për ata pavarësisht nëse mendja e tyre është në përputhje me Kuranin dhe sunnetin apo jo. Sipas tyre është mendja dhe logjika ajo që përcakton se cilat cilësi duhet të pohohen dhe cilat cilësi duhet të mohohen.

Pastaj ata kanë mospajtime në lidhje me atë se çfarë kërkon logjika të pohohet apo të mohohet. Shumica i mohojnë ato (cilësitë) dhe i konsiderojnë ato me kuptim metaforik. Të tjerët nuk kanë qëndrim në këtë dhe ia lënë Allahut çështjen (se vetëm Allahu e di kuptimin e tyre), ndërsa ata pajtohen se ato nuk aludojnë në asnjë cilësi. Ata pohojnë se kjo metodologji bashkon argumentet logjike dhe të shpallura. Ata gënjejnë. Argumentet logjike dhe të shpallura janë në pajtim në pohimin e cilësive të përsosura të Allahut. Asnjë nga cilësitë e Allahut e pohuar në Kuran dhe sunnet nuk është në kundërshtim me logjikën por logjika nuk mund t’i kuptojë detajet e tyre. Këta mohues na kujtojnë ata për të cilët Allahu ka thënë:

أَلَمۡ تَرَ إِلَى ٱلَّذِينَ يَزۡعُمُونَ أَنَّهُمۡ ءَامَنُواْ بِمَآ أُنزِلَ إِلَيۡكَ وَمَآ أُنزِلَ مِن قَبۡلِكَ يُرِيدُونَ أَن يَتَحَاكَمُوٓاْ إِلَى ٱلطَّـٰغُوتِ وَقَدۡ أُمِرُوٓاْ أَن يَكۡفُرُواْ بِهِۦ وَيُرِيدُ ٱلشَّيۡطَـٰنُ أَن يُضِلَّهُمۡ ضَلَـٰلاَۢ بَعِيدً۬ا (٦٠)وَإِذَا قِيلَ لَهُمۡ تَعَالَوۡاْ إِلَىٰ مَآ أَنزَلَ ٱللَّهُ وَإِلَى ٱلرَّسُولِ رَأَيۡتَ ٱلۡمُنَـٰفِقِينَ يَصُدُّونَ عَنكَ صُدُودً۬ا (٦١) فَكَيۡفَ إِذَآ أَصَـٰبَتۡهُم مُّصِيبَةُۢ بِمَا قَدَّمَتۡ أَيۡدِيهِمۡ ثُمَّ جَآءُوكَ يَحۡلِفُونَ بِٱللَّهِ إِنۡ أَرَدۡنَآ إِلَّآ إِحۡسَـٰنً۬ا وَتَوۡفِيقًا (٦٢)

“A nuk i ke parë ata që pohojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe profetëve të tjerë para teje? Ata kërkojnë gjykimin e taghutit, ndërkohë që janë urdhëruar që ta mohojnë atë. Shejtani dëshiron që t’i nxjerrë ata krejtësisht nga udha e drejtë. Po kur u thuhet atyre: “Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek i dërguari”, i sheh hipokritët se si largohen prej teje me neveri. Si do të jetë gjendja e tyre kur t’i godasë fatkeqësia, për shkak të asaj që vetë kanë punuar e të vijnë te ti, duke u betuar në Allahun e duke thënë: “Ne kemi dashur vetëm të bëjmë mirësi dhe pajtim”?!4:60-62

Ata (mohuesit e cilësive) ngjasojnë me këta që u përmendën në ajetet e  mësipëre në shumë aspekte:

1 – Të dy grupet pohojnë se besojnë në atë që i është shpallur profetit edhe pse ata nuk pranojnë gjithçka që ai ka kumtuar.

2 – Kur këta mohues thirren për të pohuar cilësitë e përsosura të Allahut në Kuran dhe sunnet, ata kthejnë shpinën dhe refuzojnë, në mënyrë të ngjashme si hipokritët që:

Po kur u thuhet atyre: “Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek i dërguari”, i sheh hipokritët se si largohen prej teje me neveri.”

3 – Këta mohues janë pasues të tagutëve dhe u japin përparësi atyre para shpalljes së të dërguarit. Kur ka mospajtim ata më parë duan të gjykohen prej tyre sesa nga Kurani dhe sunneti. Po kështu hipokritët donin të gjykoheshin nga tagutët edhe pse ata ishin të obliguar t’i mohonin ata.

4 – Këta mohues pohojnë se duan të bëjnë mirë dhe të bashkojnë logjikën me shpalljen. Në mënyrë të ngjashme u betuan edhe hipokritët.

Çdo gënjeshtar që fshihet pas gënjeshtrës dhe shtiret me të vërtetën përdor zakonisht propagandë të rreme me të cilën ai përhap gënjeshtrën e tij. Por atij që Allahu i jep dije, të kuptuar, urtësi dhe qëllim të mirë nuk bie viktimë e gënjeshtrës dhe propagandës së gënjeshtrës, – dhe prej Allahut kërkojmë ndihmë!

Shpërndaje: