“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

23.I mençuri dhe zgjedhja e shoqërisë

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – I dërguari i Allahut ka thënë:

“Shpirtrat janë si ushtarët e rekrutuar (ndihmohen dhe bashkëpunojnë mes veti). Ata që përputhen mes veti afrohen, ndërsa ata që nuk përputhen largohen.” 

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

2 – Arsyeja për afërsinë respektivisht ndarjen e njerëzve është njohja dhe mosnjohja e njëri-tjetrit (gjetja e gjuhës së përbashkët mes veti dhe e kundërta e saj). Kur njerëzit gjejnë gjuhë të përbashkët ata bashkohen, ndërsa kur mes tyre ka diçka që i bën të ndahen ata qëndrojnë larg njëri-tjetrit.

3 – Muxhahidi ka thënë:

“Një herë prej herësh Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- pa një njeri dhe tha:

“Ky më do mua!”

Të pranishmit i thanë: “Si e di këtë?”

Ai u përgjigj: “Sepse unë e dua atë dhe “Shpirtrat janë si ushtarët e rekrutuar (ndihmohen dhe bashkëpunojnë mes veti). Ata që përputhen mes veti afrohen, ndërsa ata që nuk përputhen largohen.”

4 – Në lidhje me fjalët e Allahut:

وَلاَ يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ إِلاَّ مَن رَّحِمَ رَبُّكَ وَلِذَلِكَ خَلَقَهُمْ

“…por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata.” Hud, 11:118-119

Katadeh ka thënë:

“Ata që i binden Allahut i kanë zemrat dhe dëshirat e përbashkëta edhe pse jetojnë në vende të ndryshme, ndërsa ata që kundërshtojnë Allahun, zemrat e tyre janë të përçara edhe nëse jetojnë në të njëjtin vend!

5 – Një nga shenjat më të mëdha që na bëjnë ta njohim dikë në çdo lëvizje dhe qëllim të tij është të merret parasysh se me kë ai flet dhe kë e do sepse njeriu është në fenë e shokut të tij dhe shpendët fluturues i bashkohen vetëm tufave të llojit të tyre!

6 – Hubejrah ka thënë:

“Njihi njerëzit në bazë të shoqërisë së tyre.”

7 – Imam Maliku ka thënë:

“Llojllojshmëria e njerëzve është sikurse llojllojshmëria e shpezëve. Pëllumbi rri me pëllumbin, sorra rri me sorrën, rosa rri me rosën e trumcaku rri me trumcakun! Ashtu ndodh edhe me njeriun; çdo njeri rri me ata të llojit të vet.”

8 – I mençuri shmanget nga shoqërimi me njerëzit që zakonisht janë jostabil dhe largohet nga shoqërimi i atij i cili nuk është i përkushtuar ndaj fesë. Ngase njerëzit e identifikojnë përmes atij me të cilin shoqërohet. I mençuri duhet të shoqërohet vetëm me atë i cili është sikurse ai apo me atë që i ngjason atij. Nëse patjetër duhet të shoqërohesh me njerëzit atëherë zgjidhe atë i cili ta zbukuron ndejën, nuk të krijon reputacion negativ, nëse të sheh duke bërë ndonjë vepër të mirë e vlerëson atë, nëse të sheh duke bërë ndonjë vepër të keqe ta fsheh para të tjerëve (nuk ta shfaq atë), nëse jeni të heshtur ai fillon bisedën dhe nëse i kërkon diçka ai nuk bëhet koprrac ndaj teje. Por shumica e njerëzve në ditët e sotme, ana e tyre e jashtme është ndryshe me anën e tyre të brendshme!

9 – Ka prej njerëzve që posa t’i shohësh të pëlqejnë dhe sa më shumë t’i njohësh aq më shumë të pëlqejnë. Ndërsa në anën tjetër ka njerëz që posa t’i njohësh i urren dhe sa më shumë t’i njohësh urrejtja për ta gjithnjë të shtohet. Në realitet ndarja mes tyre ka ndodh shumë më parë dhe kjo për shkak se karakteri i tyre nuk përputhet, ndërsa ndarja e tyre ndodh për shkak se brendia e tyre është e ndarë.

10 – Arsyeja për shfaqjen e pikëllimit kur dy vëllezër ndahen nga njëri-tjetri është të mos qenit i kënaqur me paracaktimin e Allahut. Ai që bind veten që nga fillimi i vëllazërisë se shoqëria mund të përfundojë keq nuk do të shfaq pikëllimin dhe dëshpërimin më shumë sesa duhet në rast ndarjeje.

Shpërndaje: