Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

23.Supozimet e kota të mohuesve të cilësive të Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Metodologjia e atyre që mohojnë cilësitë e Allahut detyrimisht çon në gjëra të pavërteta, prej tyre janë:

1-Së pari: Kjo metodologji pretendon se Kurani dhe sunneti përmbajnë kufër dhe thërrasin hapur në kufër sepse duke qenë se Kurani dhe sunneti të dyja bashkë i pohojnë cilësitë e Allahut atëherë sipas tyre ky është përngjasim i Krijuesit me krijesën (teshbih) dhe ky lloj përngjasimi është kufër.

2-Së dyti: Metodologjia e tyre çon në supozimin se Kurani dhe sunneti nuk e kanë sqaruar të vërtetën sepse e vërteta ashtu siç e kuptojnë ata është mohimi i cilësive të Allahut ndërkohë që nuk ka asnjë tekst që mohon cilësitë e përsosura dhe të plota të Allahut.

Shumica prej tyre e justifikojnë pretendimin e tyre duke u bazuar në ajetet e Kuranit si:

 هَلْ تَعْلَمُ لَهُ سَمِيّاً

“A di ndonjë të ngjashëm, të barabartë me Të?” 19:65

وَلَمْ يَكُن لَّهُ آُفُواً أَحَدٌ

“Dhe nuk ka asnjë të barabartë me Të.” 112:4

Nuk ka dyshim për çdo njeri që ka intelekt se qëllimi i këtyre ajeteve është pohimi i cilësive të përsosura dhe të plota të Allahut dhe se askush nuk është i barabartë ose i ngjashëm me Të për sa i përket cilësive të përsosura të Tij. Pa dyshim se kushdo që përpiqet të argumentojë me këtë lloj mënyre, mohimin e cilësive të Allahut, ai është konfuz dhe i paqartë, përpiqet të mashtrojë ose është i pa aftë të sqarojë të vërteten. Të tëra këto (të mësipërmet) janë të pamundura që të gjenden në fjalën e Allahut (subhanehu te ala) apo në fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ pasi që si Kurani ashtu dhe sunneti janë në shkallën më të lartë të elokuencës, qartësisë së sqarimit dhe qëllimit të drejtë për t’i udhëzuar njerëzit. Nuk ka në fjalën e Allahut dhe në fjalën e të dërguarit ﷺ paqartësi dhe qëllim për t’i devijuar njerëzit dhe për t’i lënë ata në konfuzion.

3-Së treti: Metodologjia e tyre çon në supozimin se sahabët, si Muhaxhirët ashtu dhe Ensarët, si dhe ata që i pasuan sahabët në devotshmëri, të tërë këta ose kanë thirrur në të kotën dhe kanë fshehur të vërtetën ose kanë qenë injorantë rreth së vërtetës. Ky supozim i tyre është i pavërtetë sepse besimi i sahabëve dhe i brezave më të mira të umetit në pohimin e cilësive të përsosura dhe të plota të Allahut na është transmetuar në mënyrë të shumtë (muteuatir) dhe nuk është transmetuar madje as një fjalë e vetme e selefëve për mohimin e cilësive të Allahut.

4-Së katërti: Një tjetër supozim ku çon metodologjia e mohuesve të cilësive të Allahut është se nëse mohohen cilësitë e përsosura dhe të plota të Allahut kjo detyrimisht do të çojë në pohimin e cilësive të mangëta për Allahun sepse Ai (dhe çdo gjë tjetër) që ekziston patjetër ka cilësi me të cilat përshkruhen dhe në këtë mënyrë argumentimi i tyre bëhet i pavlefshëm, kështu që ata bien në një të keqe më të madhe se ajo nga e cila kërkonin të shpëtonin.  

Shpërndaje: