Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Feja e Muhamedit ﷺ është sqaruar

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali

Burimi: Menhexh-ul-Enbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 59

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

2 – Kur Amr bin el-As dhe Abdullah bin Rabi’ah el-Makhzumi folën me Nexhashiun, mbretin e Abisinisë, në lidhje me muslimanët që emigruan në Abisini, ata i thanë:

“Një grup i rinisë sonë mendjelehtë kanë ardhur në vendin tuaj. Ata kanë braktisur popullin e tyre dhe ata nuk janë konvertuar në fenë tuaj. Ata kanë shpikur një fe të re që as ne dhe as ju nuk e njihni.”

Nexhashiu i pyeti muslimanët:

“Për çfarë feje e keni braktisur popullin tuaj dhe megjithatë ju nuk jeni konvertuar as në fenë time, e as në fenë e dikujt tjetër?”

Xhafer ibn ebi Talib i cili fliste për ta, tha:

“O mbret! Ne ishim një popull që adhuronim statujat, hanim kafshët e ngordhura, kryenim punë të turpshme, i shkëpusnim lidhjet farefisnore dhe keqtrajtonim fqinjët. I forti e shtypte të dobëtin. Kjo ishte gjendja jonë derisa Allahu na dërgoi një të dërguar nga mesi ynë. Ne e njohim prejardhjen e tij, besnikërinë e tij, mbajtjen e amanetit nga ana e tij dhe ndershmërinë e tij. Ai na thirri që ne të adhurojmë vetëm Allahun dhe të heqim dorë nga çdo gjë që e kemi adhuruar ne dhe baballarët tanë, qofshin gurë apo idhuj. Ai na ka urdhëruar që të flasim (vetëm) të vërtetën, të përmbushim amanetin, t’i ruajmë lidhjet farefisnore, të jemi fqinjë të mirë dhe të heqim dorë nga mëkatet dhe vrasjet. Ai na ndaloi nga veprat e këqija dhe nga gënjeshtra. Na ndaloi nga ngrënia në mënyrë të padrejtë të pasurisë së jetimit dhe nga akuzimi i padrejtë i gruas së ndershme. Ai na urdhëroi të adhurojmë vetëm Allahun dhe të mos i shoqërojmë asgjë në adhurim.” Ai, pasi i tregoi për çështjet e Islamit, tha: “Ne e dëshmuam vërtetësinë tij, e besuam atë dhe e pasuam atë në mesazhin me të cilin erdhi. Ne adhurojmë Allahun, të vetëm, nuk i shoqërojmë asgjë në adhurim, e bëmë të ndaluar atë që Ai na e ka ndaluar dhe e bëmë të lejuar atë që Ai na e ka lejuar. Rrjedhimisht njerëzit tanë u bënë armiqtë tanë, na torturuan dhe na sprovuan për shkak të fesë sonë, në mënyrë që ne të kthehemi tek adhurimi i idhujve dhe të lejojmë ato mëkate që i kryenim më parë. Pasi që ata na mbisunduan, na shtypën, dhe na e bënë të padurueshme gjendjen duke ndërhyrë ndërmjet nesh dhe fesë sonë, ne erdhëm në vendin tuaj. Ju zgjodhëm ju para të gjithë të tjerëve dhe dëshiruam të jetojmë në shoqërinë tuaj, me shpresën se nuk do të shtypemi te ti…” 1


1 Ahmedi (1/202) dhe (5/290). Ahmedi ka thënë: “Na ka transmetuar Jakub (d.m.th ibn Ibrahim ibn Sad ez-Zuhri, thikah d.m.th i besueshëm), nga babai i tij, ky nga Muhamed ibn Is hak, i cili tha: “Më ka transmetuar Muhamed ibn Muslim ibn Ubejdil-Lah ibn Shihab, ky nga Ebi Bekr ibn Abdurr-Rrahman ibnul Harith ibn Hisham, el-Makhzumi dhe ky nga Ummu Selemeh, bintu Ebi Umejeh (d.m.th nëna e besimtarëve (radijAllahu anha))’’. Ky isnad (zinxhir transmetimi) është i saktë, përveç Muhamed ibn Is’hakut, por ai thotë qartë që e ka dëgjuar drejtpërdrejtë (shejkhun e tij) kështu që transmetimi i tij është i mirë (hasen).”

Shpërndaje: