Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.I mençuri dhe vizita e vëllezërve

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – I dërguari i Allahut ka thënë:

“Një burrë shkoi për të vizituar vëllain e tij (në fe) në një fshat. Allahu ia dërgoi një engjëll që ta priste në rrugë. Kur kaloi pranë engjëllit, engjëlli e pyeti: “Ku po shkon?”

Ai iu përgjigj: “Po shkoj te vëllai im në filan fshatin.”

Engjëlli i tha: “Mos ke diçka prej të mirave tuaja tek ai?”

Ai ia ktheu: “Jo, por po e vizitoj sepse e dua për hir të Allahut.”

Engjëlli i tha: “Unë jam i dërguar i Allahut te ti dhe të përgëzoj se Allahu të do ashtu sikurse ti e do atë (vëllain në fe).”

Transmeton Bukhari në Adeb el-Mufred (350) dhe Muslimi (2567).

2 – Njeriu i mençur e ka për detyrë që t’i vizitojë vëllezërit (në fe) dhe të kujdeset për hallet e tyre. Kur besimtari viziton dikë nga kjo vizitë përfitohen dy gjëra: Shpërblimi në ahiret dhe arritja e kënaqësisë së shoqërimit me atë që e viziton.

3 – Abdullah bin Raxha el-Ghadani ka thënë:

Utbeh el-Ghulam e kishte zakon të qëndronte në varreza dhe në shkretëtirë, ndërsa natën e kalonte në brigje. Kur vinte dita e xhumasë shkonte në Basra, falte namazin e xhumasë dhe takonte vëllezërit e tij.”

4 – El-Firjabi ka thënë:

“Uaki bin el-Xherrah ishte nisur nga Jerusalemi për në umre dhe gjatë rrugës u ndal tek unë, ndër tjerash më tha: “O Ebu Muhammed! Nuk jam nisur për te ti por dëshirova të vizitoj dhe të qëndroj pak kohë te ti.” Ai qëndroi te unë një natë. Po ashtu veproi Abdullah bin Mubarak i cili i veshur me ihram ishte nisur nga Jersualemi për në umre, u ndal tek unë gjatë udhëtimit të tij. Qëndroi tek unë tre ditë. Ndër tjerash i thashë atij: “O Eba Abdarr-Rrahman, qëndro tek ne dhjetë ditë.” Ai tha: “Jo, sepse vizita zgjat tre ditë.”

5 – Vizita e njerëzve përbëhet nga dy lloje:

– Vizita mes dy njerëzve lidhja në mes të cilëve është shumë e mirë, nuk kanë ndonjë problem mes veti dhe çdo gjë mes tyre u shkon mirë. Në rastin e tillë mendoj se është mirë që ata të dy të vizitohen sa më shpesh me njëri-tjetrin. Vizitat e tilla nuk janë të mërzitshme, përkundrazi dashuria vetëm sa shtohet.

– Dashuria mes tyre nuk është aq e mirë dhe ata i druhen njëri-tjetrit. Në qoftë se gjendja është kështu, mendoj se ata duhet të vizitojnë njëri-tjetrin më pak. Dhe dije se vizitat e tilla janë paksa të mërzitshme.

6 – Hasen bin Salih ka thënë:

“Dashuria që shtohet vetëm nëpërmjet takimeve është e rreme.”

7 – Nëse lidhja vëllazërore ndërmjet vëllezërve është e mirë nuk ka rëndësi në qoftë se nuk takohen shpesh sepse lidhja është e nivelit të lartë në mënyrë që ajo të ruhet edhe me takime më të rralla. Dashuria që dëmtohet nga takimet e ralla është e rreme. Ata të cilët nuk kanë dashuri të sinqertë ndërmjet vete nuk duhet të vizitohen shpesh ngase ata mund të bëhen të bezdisshëm dhe të mërzitshëm nga njëri-tjetri.

8 – Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- ka thënë:

“Njeriu më fisnik tek unë është shoku i cili i kalon të gjithë për t’u ulur pranë meje.”

9 – Në lidhje me fjalët e Allahut -te ala-:

وَيَسْتَجِيبُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ

“Ai u përgjigjet lutjeve të atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira…” Esh-Shura, 42:26

Katadeh thënë:

“Do të thotë se ata do të ndërmjetësojnë për vëllezërit e tyre.”

وَيَزِيدُهُم مِّن فَضْلِهِ

“…e u jep edhe më tepër prej dhuntisë së Vet.” Esh-Shura, 42:26

Do të thotë se ata do të ndërmjetësojnë për shokët e shokëve të tyre.”

10 – Amir bin Kajs ka thënë:

“Më mungon Basra për katër arsye: thirrjet e myezinëve, etja gjatë ditëve, vëllezërit e mi atje dhe se ajo është vendlindja ime.”

Shpërndaje: