Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Paralajmërimi ndaj Hululive

Imam Ebu Bekr Muhamed bin El-Husajn El-Axhurri (v. 360)
Një përmbledhje nga libri “Esh-Shari’ah”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

222 – I paralajmëroj vëllezërit e mi besimtarë ndaj Hululive (panteistëve, që besojnë se Allahu është brenda krijesave). Shejtani ka lozur me ta dhe si rezultat ata e kanë braktisur metodologjinë e dijetarëve dhe në vend të kësaj kanë miratuar mendime të këqija dhe të neveritshme që miratohen vetëm nga një person i sprovuar dhe i shkatërruar.

Ata pretendojnë se Allahu (azze ue xhel) është i mishëruar në çdo gjë. Në fund besimi i tyre i keq i shtyu ata që të flasin për Allahun (azze ue xhel) në një mënyrë që të gjithë dijetarët e dënuan. Besimi i tyre as nuk përputhet me Kuranin, as me sunnetin, as me sahabët (radijAllahu anhum), e as me fjalët e imamëve. Pasi që e shpjegoj fisnikërinë dhe madhështinë e Allahut të jenë të pastra nga të gjitha gjërat që nuk i përkasin Atij, mua më neveritet që të përmend fjalët e tyre të turpshme.

Ibn-ul-Mubarak ka thënë:

“Ne jemi në gjendje të themi atë që thanë jehudët dhe nasarat, por jo atë që thanë Xhehmitë.”

223 – Nëse i dënonë këta njerëz, ata thonë se kanë argument për besimin e tyre në Kuran. Nëse ti i pyet ata se çfarë argumenti është ai, ata thonë se Allahu (azze ue xhel) thotë:

“Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.” El-Muxhadilah 58:7

“Ai është i Pari dhe i Fundit …”

derisa Ai thotë:

“Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.” El-Hadid 57:4

Ata mashtrojnë masën (popollin) e tyre me keqinterpretimet e tyre dhe e interpretojnë Kuranin sipas epsheve të tyre. Kështu, ata devijuan dhe i devijuan të tjerët. Në qoftë se një person injorant i dëgjon ata, ai beson se ata janë duke thënë të vërtetën.

Në anën tjetër, thonë dijetarët se Allahu (azze ue xhel) është mbi arshin e Tij përmbi qiejtë e Tij. Dituria e Tij përfshin çdo gjë. Ai ka dituri për çdo gjë që Ai ka krijuar në qiej, në tokë dhe mes tyre. Ai ka dituri rreth asaj që është e fshehur dhe sekret. Ai ka dituri në lidhje me dëshirat dhe mendimet (e njerëzve). Ai dëgjon dhe Ai sheh. Ai (subhaneh) është pra mbi arshin e Tij. Tek Ai ngjiten veprat e robërve.

224 – Nëse dikush pyet se cili është kuptimi i “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti…” në të vërtetë, thuhet se kjo është dituria e Allahut (azze ue xhel). Allahu është mbi arshin e Tij, ndërsa dituria e Tij përfshin çdo gjë. Është në këtë mënyrë që dijetarët e kanë shpjeguar këtë ajet. Përveç kësaj, si pjesa e fillimit dhe e fundit e ajetit nënkupton se bëhet fjalë për diturinë.

225 – Nëse personi pyet se si është e mundur kjo, i thuhet se Allahu ka thënë:

“A nuk e ke parë se Allahu është në dijeni për gjithë ç’gjindet në qiej dhe gjithë ç’gjindet në tokë? Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë.”

Pastaj Ai thotë:

“Pastaj Ai do t’i njoftojë ata në Ditën e Kijametit për gjithë ç’kanë bërë. Vërtet që Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.”

Nëpërmjet kësaj Allahu e fillon ajetin me dijen dhe e përfundon atë me dijen. Dituria e Allahut (azza ue xhel) përfshin të gjitha krijesat ndërsa Ai njëkohësisht është mbi arshin e Tij. Ky është besimi i muslimanëve.

226 – Malik bin Enesi ka thënë:

“Allahu (azze ue xhel) është mbi qiell dhe dituria e Tij është kudo. Nuk është një vend vetëm se Ai ka dije rreth tij.”

227 – Khalid Bin Ma’dan ka thënë: “E pyeta Sufjan Eth-Theurin në lidhje me fjalët e Allahut (azze ue xhel):

“Ai është me ju, kudo që të jeni.”

Ai tha: “Kjo është dituria e Tij.”

228 – Edh-Dhahak ka thënë në lidhje me “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti“:

Ai është mbi arsh ndërsa dituria e Tij është me ta.”

229 – Në Librin e Allahut (azze ue xhel) ka ajete që vërtetojnë se Allahu është mbi arshin e Tij dhe dija e Tij përfshinë të gjitha krijesat. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

 “A u garantuat ju prej Atij që është mbi qiell, që të mos u lëshojë toka kur ajo të dridhet? A u garantuat ju prej Atij që është mbi qiell, që të mos lëshojë kundër jush ndonjë stuhi me rrebesh gurësh. E pra, do ta kuptoni se si është ndëshkimi Im!” El-Mulk 67:16-17

”Tek Ai ngrihet fjala e mirë dhe puna e drejtë e lartëson atë (fjalën e mirë).’’ El-Fatir35:10

Ai i tha Isait :

 “O Isa! Unë do të marr ty, do të ngre lartë pranë Meje.” Al-Imran 3:55

Shpërndaje: