Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

24.Zemra e ateistit

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)

Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 120-128 Përktheu: Valdet Gashi 
www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Besimtari është modest para të vërtetës dhe krijesave. Ai ja dëshiron të mirën robërve me gjithë dallimin e tyre në grada, qoftë me fjalë, vepra dhe qëllime.

Ateisti është mendjemadh ndaj të vërtetës dhe krijesave, e vlerëson vetën dhe nuk është dashamirës ndaj askujt.

Zemra e besimtarit është e shëndoshë nga sëmundja e mashtrimit, keqdashja dhe urrejtja. Ai ja dëshiron muslimanëve atë që dëshiron për veten e tij dhe urren për muslimanët atë që ai urren për vete. Ai mundohet aq sa të mundet për të mirën e tyre, i duron lëndimet e të tjerëve dhe nuk është fare i padrejtë ndaj tyre.

Zemra e ateistit vlon nga keqdashja dhe urrejtja. Ai nuk ja dëshiron askujt të mirën dhe dobinë përderisa ai vet nuk fiton prej saj. Atij nuk i intereson nëse i trajton të tjerët në mënyrë të padrejtë. Nga ana tjetër, ai e ka të vështirë të durojë atë që i bëjnë atij.

Besimtari flet të vërtetën dhe i trajton të tjerët mirë. Ai është i ndershëm, i denjë, i qetë, i mëshirshëm, i durueshëm, besnik, i dhembshur dhe i butë.

Ateisti është i pamëshirshëm, i vrazhdë, i tmerrur, i shqetësuar, gënjeshtar, jo besnik dhe mizor.

Besimtari i nënshtrohet vetëm Allahut. Ai mbron zemrën dhe fytyrën e tij në mënyrë që ato të mos i nënshtrohen dikujt tjetër pos Allahut. Ai është i pastër, i fortë, i guximshëm, bujar, i denjë dhe zgjedh vetëm të mirën.

Ateisti është tërësisht e kundërta. Zemra e tij është e lidhur me krijesat për shkak të frikës ndaj tyre dhe shpresës në ta. Ai e përulë veten para tyre. Ai nuk ka pastërti, forcë dhe kurajë përveçse me qëllime të këqija. Ai nuk ka dinjitet dhe njerëzim. Atij nuk i intereson për të mirën dhe të keqen.

Besimtari vepron shkaqet dhe i mbështetet Allahut, i mbështetet Atij dhe i kërkon ndihmë Atij në çdo gjë dhe Allahu (te ala) e ndihmon atë.

Ateisti nuk e di se çka është mbështetja në Allahun. Ai vetëm kujdeset për shpirtin e tij të nënçmuar. Allahu e ka lënë atë në rrugën që e ka zgjedhur dhe e ka braktisur atë dhe i ka privuar qëllimet e tij. Dhe nëse ai arrin atë që ai përpiqet kjo është vetëm devijim.

Besimtarit kur i vijnë begatitë, i pranon me falënderim dhe i përdor aty ku i bëjnë dobi. Kur besimtari has në fatkeqësi ai i pranon ato me durim dhe shpreson për shpërblim dhe shpreson që ato të marrin fund. Kështu, ai fiton një mirësi dhe shpërblim që është më i madh se gjëja e dashur që e humbi ose të urryerën që e goditi.

Ateisti i pranon ato me shqetësim dhe tmerr kështu që fatkeqësia e tij bëhet më e madhe. Kështu, ai goditet nga dhimbja e jashtme si dhe nga dhimbja e brendshme. Ai nuk ka durim. Ai nuk shpreson ndonjë shpërblim. Sa humbje kaq të madhe ai vuan! Sa i madh është pikëllimi i tij!

Shpjegimi

Shihni se si këto cilësi janë të kundërta me njëra-tjetrën. Besimtari është modest para të vërtetës dhe krijesave. Ateisti është mendjemadh ndaj të vërtetës dhe krijesave. Dallimi është i madh midis besimtarit modest dhe ateistit mendjemadh. Besimtari është modest para të vërtetës dhe krijesave sepse e njeh Zotin e tij dhe veten e tij. Ai e di se Zoti i tij është i përsosur dhe se ai vet është i mangët. Ai nuk pretendon se është i përsosur që të bëhet mendjemadh. Ai beson fjalët e Tij (te ala):

وَخُلِقَ الإِنسَانُ ضَعِيفًا

“Njeriu u krijua i dobët.” 1

Ateisti është mendjemadh ndaj të vërtetës dhe krijesave sepse ai udhëhiqet nga shejtani që kundërshtoi Zotin e tij duke thënë:

أَنَاْ خَيْرٌ مِّنْهُ خَلَقْتَنِي مِن نَّارٍ وَخَلَقْتَهُ مِن طِينٍ

“Unë jam më i mirë se Ademi. Ti më krijove mua nga zjarri kurse atë e krijove nga balta.” 2

Ai vlerësoi prejardhjen e tij dhe nuk pranoi të binte në sexhde.

“Ai ja dëshiron të mirën robërve me gjithë dallimin e tyre në grada, qoftë me fjalë, vepra dhe qëllime.”

Vetëpëlqimi e udhëheqë ateistin në mendjemadhësi. Ai nuk ja dëshiron të mirën askujt. Ai pretendon përsosmërinë dhe i nënvlerëson të tjerët.

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Zemra e besimtarit është e shëndoshë nga sëmundja e mashtrimit, keqdashja dhe urrejtja. Ai ja dëshiron muslimanëve atë që dëshiron për veten e tij dhe urren për muslimanët atë që ai urren për vete. Ai mundohet aq sa të mundet për të mirën e tyre, i duron lëndimet e të tjerëve dhe nuk është fare i padrejtë ndaj tyre.”

Kështu përshkruhet besimtari i plotë dhe askush tjetër. Madje edhe njerëzit plotësisht besimtarë mund të vuajnë nga të lartpërmendurat. Përkundër besimit të tyre të plotë, Allahu (azze ue xhel) tha se besimtarët do të hyjnë në xhenet dhe do tu largohet urrejtja nga zemrat e tyre:

وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّ إِخْوَانًا عَلَى سُرُرٍ مُّتَقَابِلِينَ

“Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çfarëdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar.” 3

Me këtë që thamë, besimtari i plotë ka zemër që është e shëndoshë nga këto vese. Ai mundohet aq sa mundet për më të mirën e tyre, duron me vështirësitë e të tjerëve dhe nuk është fare i padrejtë ndaj tyre.

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Zemra e ateistit vlon nga keqdashja dhe urrejtja. Ai nuk ja dëshiron askujt të mirën dhe dobinë përderisa ai vet nuk fiton prej saj. Atij nuk i intereson nëse i trajton të tjerët në mënyrë të padrejtë. Nga ana tjetër, ai e ka të vështirë të durojë atë që i bëjnë atij.”

Shejkhu (rahimehullah) e përshkroi ateistin si tërësisht të kundërtën e besimtarit. Zemra e ateistit vlon nga keqdashja. Ajo është e mbushur me keqdashje, urrejtje dhe përbuzje. Ai nuk ja dëshiron askujt të mirën dhe dobinë për deri sa ai vet nuk fiton prej saj. Atij nuk i intereson nëse i trajton të tjerët në mënyrë të padrejtë. Ai nuk e beson shpërblimin apo dënimin. Ai nuk i frikësohet dënimit. Ai nuk i frikësohet dënimit sepse ai nuk i beson këto çështje.

Autori (rahimehullah) tha:

“Besimtari flet të vërtetën dhe i trajton të tjerët mirë. Ai është i ndershëm, i denjë, i qetë, i mëshirshëm, i durueshëm, besnik, i dhembshur dhe i butë.”

“Ateisti është i pamëshirshëm, i vrazhdë, i tmerrur, i shqetësuar, gënjeshtar, jo besnik dhe mizor.”

Cilësitë e tyre janë pra tërësisht të kundërta. Butësia, dinjiteti, qetësia dhe paqja janë cilësi të besimtarit.  Pakujdesia, vrazhdësia dhe shqetësimi janë cilësi të ateistit. Durimi dhe besnikëria janë cilësi të besimtarit. Shqetësimi, gënjeshtra dhe tradhtia janë cilësi të ateistit. Mirësia dhe butësia janë cilësi të besimtarit. Vrazhdësia dhe shpirtngushtësia janë cilësi të ateistit. Kështu, pra ato janë tërësisht të kundërta.

Besimtari ka cilësi të mira dhe fisnike. Mohuesi ka cilësi të qortuara, të vrazhda dhe pikëlluese.

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Besimtari i nënshtrohet vetëm Allahut. Ai mbron zemrën dhe fytyrën e tij në mënyrë që ato të mos i nënshtrohen dikujt tjetër pos Allahut. Ai është i pastër, i fortë, i guximshëm, bujar, i denjë dhe zgjedh vetëm të mirën.”

Besimtari i përulet vetëm Allahut. Do të thotë ai e adhuron vetëm Atë. Nga ana tjetër është normale që ai të ketë frikë nga armiqtë e padrejtë apo kafshët grabitqare. Një përulje dhe frikë e tillë është për shkak të rrezikut fizik dhe nuk është aspak adhurim.

Besimtari mbron zemrën e tij kështu që ajo të mos i përulet askujt tjetër pos Allahut. Ai nuk beson se ka ndonjë fuqi të fshehtë që mund ta dëmtojë atë në një mënyrë që vetëm Allahu mundet. Besimtari nuk beson në një gjë të tillë. Besimtari nuk mund të jetë besimtar derisa ai të besoj se vetëm Allahu (azze ue xhel) sjell dobi dhe dëm. Prandaj autori tha se besimtari është i pastër, i fortë, i guximshëm, bujar dhe zgjedh vetëm të mirën.

Ai është i dëlirë dhe shmanget nga cilësitë e ndaluara dhe zinaja.

Ai është i fortë prandaj shmang çdo gjë që e zemëron Allahun (azze ue xhel) dhe bën atë që i pëlqen Atij.

Ai është i guximshëm dhe guxon të thotë të vërtetën edhe pse njerëzit do të zemërohen. Ai qëndron larg gënjeshtrave dhe syefaqësisë.

Ai është bujar dhe bën sakrifica për t’u bindur dhe për të kënaqur Allahun (subhanehu ue te ala). Ai është bujar me pasurinë dhe pozitën e tij. Ai nuk merr asnjë qëllim të dunjasë të cilin e sheh se e largon nga Allahu (azze ue xhel) ose ja vështirëson rrugën drejt Tij.

Ai zgjedh vetëm të mirën për të kënaqur Zotin e tij (subhanehu ue te ala) dhe kujton fjalët e profetit ﷺ:

“O njerëz! Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët atë që i ka urdhëruar të dërguarit. Allahu tha:

يَا أَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنَ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحًا إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ

“O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.” 4

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُلُواْ مِن طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ

“O ju që keni besuar! Hani nga gjërat e lejuara me të cilat Ne ju kemi furnizuar.” 5

Pastaj ai përmendi një njeri që kishte udhëtuar për një kohë të gjatë saqë flokët e tij janë të shprishura dhe këmbët e tij janë pluhurosur. Ai ngre duart drejt qiellit dhe thotë: “O Zot! O Zot!” Por ushqimi i tij është i ndaluar, rrobat e tij janë të ndaluara dhe ai furnizohet me haram; si t’i përgjigjet lutjes së tij?” 6

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Ateisti është tërësisht e kundërta. Zemra e tij është e lidhur me krijesat për shkak të frikës ndaj tyre dhe shpresës në ta. Ai e përulë veten para tyre. Ai nuk ka pastërti, forcë dhe kurajë përveçse me qëllime të këqija. Ai nuk ka dinjitet dhe njerëzim. Atij nuk i intereson për të mirën dhe të keqen.”

Zemra e mohuesit është e ndotur nga dyshimi dhe epshi prandaj ai i nënshtrohet të tjerëve pos Zotit të tij (subhanehu ue te ala). Ai mashtron dhe tradhton, mashtrohet dhe është shumë i dobët për të zotëruar cilësitë e lavdërueshme të besimtarit, si pastërtija, forca, guximi, bujaria dhe dinjiteti. Autori (rahimehullah) tha në lidhje me të:

“Ai nuk ka pastërti, forcë dhe kurajë përveçse me qëllime të këqija. Ai nuk ka dinjitet dhe njerëzim. Atij nuk i intereson për të mirën dhe të keqen.”

Ai gjithashtu tha:

“Besimtari vepron shkaqet dhe i mbështetet Allahut, i mbështetet Atij dhe i kërkon ndihmë Atij në çdo gjë dhe Allahu (te ala) e ndihmon atë.”

Allahu (subhanehu ue te ala) i urdhëroi besimtarët të marrin shkaqet e dobishme dhe të thonë:

وَأَعِدُّواْ لَهُم مَّا اسْتَطَعْتُم مِّن قُوَّةٍ وَمِن رِّبَاطِ الْخَيْلِ تُرْهِبُونَ بِهِ عَدْوَّ اللّهِ وَعَدُوَّكُمْ وَآخَرِينَ مِن دُونِهِمْ لاَ تَعْلَمُونَهُمُ اللّهُ يَعْلَمُهُمْ وَإِن جَنَحُواْ لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَهَا وَتَوَكَّلْ عَلَى اللّهِ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

“E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë), e me të (me përgatitje) ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i di ata. Çfarëdo që shpenzoni për rrugë të Allahut, ajo do t’ju konpensohet dhe nuk do t’ju bëhet e padrejtë. Në qoftë se ata anojnë nga paqja, ano edhe ti nga ajo e mbështetu në Allahun. Ai është Dëgjues dhe i Gjithëditur.”

Allahu (subhanehu ue te ala) i urdhëroi ata që të përgatitin armët frikësuese dhe të mbështeten në Allahun (azze ue xhel), dhe i informoi ata se Ai dëgjon dhe di se çfarë ndodh me ta. Besimtarët janë të urdhëruar që të marrin shkaqet konkrete dhe të mbështeten në Allahun (azze ue xhel) për të pasur sukses. Prandaj profeti i urdhëroi komandantët dhe u tha:

“Luftoni në emër të Allahut dhe për hir të Allahut. Luftoni ata që e mohojnë Allahun. Luftoni dhe mos merrni plaçkën e luftës pa leje, mos mashtroni, mos gjymtoni dhe mos i vritni fëmijët.” 8

Nga njëra anë, ai i urdhëroi ata të luftonin. Nga ana tjetër, ai i ndaloi ata të marrin plaçkën e luftës pa leje, të mashtrojnë dhe të vrasin të dobëtit që nuk janë të përfshirë në luftë. Ai ja ndaloi atyre këto mëkate që ato të mos ndikonin në ta dhe në këtë mënyrë të shkaktonte fitoren e armikut mbi ta.

Pastaj autori (rahimehullah) tha:

“Ateisti nuk e di se çka është mbështetja në Allahun. Ai vetëm kujdeset për shpirtin e tij të nënçmuar. Allahu e ka lënë atë në rrugën që e ka zgjedhur dhe e ka braktisur atë dhe i ka privuar qëllimet e tij.”

Pastaj tha:

“Besimtarit kur i vijnë begatitë, i pranon me falënderim dhe i përdor aty ku i bëjnë dobi.”

Ky është tipik i besimtarit që beson Zotin e tij, duke ju nënshtruar urdhrave të Tij, i shmanget ndalesave të Tij dhe i frikësohet dënimit të Tij. Ai kërkon mbrojtje tek Ai dhe i mbështet Atij. Kur atij i dhurohet një mirësi ai e pranon me mirënjohje dhe bindje, dhe e përdorë aty ku i sjell dobi në të dy jetët, larg mburrjes, shkapërderdhjes, arrogancës dhe mendjemadhësisë.

Ateisti është tërësisht e kundërta e tij. Ai i merr mirësitë me vetëpëlqim dhe mendjemadhësi. Ai habitet pas mirësive duke harruar Atë që ja ka dhënë mirësitë. Ai nuk e falënderon Atë. Edhe pse mirësia është jetëshkurtër ai e përdorë atë në gjëra të këqija. Allahu (subhnahu ue te ala) qortoi këta njerëz dhe tha:

ذَلِكُم بِمَا كُنتُمْ تَفْرَحُونَ فِي الْأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ وَبِمَا كُنتُمْ تَمْرَحُونَ ادْخُلُوا أَبْوَابَ جَهَنَّمَ خَالِدِينَ فِيهَا فَبِئْسَ مَثْوَى الْمُتَكَبِّرِينَ

“Kjo kështu për ju pasi ishit të ngazëllyer në tokë pa të drejtë dhe se ju ishit mësuar të kënaqeshit pa masë në rrugën tuaj të shtrembër. Hyni në portat e xhehenemit për të mbetur në të dhe vërtet sa i shëmtuar është vendbanimi për kryeneçët e pabindur!” 9

Ky është tipar i hipokritëve materialë që të ndiesh gëzim kur besimtarët, pasuesit e të dërguarve përjetojnë fatkeqësi dhe kur gënjeshtra mbisundon të vërtetën.

Ndonjëherë ndodh që Allahu i sprovon besimtarët me dobësi. Megjithatë, ata mbajnë lidhjen me Zotin e tyre dhe mbështeten tek Ai. Ndoshta durimi dhe devotshmëria sjell të njëjtën gjë sikurse ajo që sjell pas një fitore mbi armikun. Prandaj ata janë të kënaqur me ndihmën e Allahut, por jo për tu ngritur vetë lart, por Ata janë të kënaqur që feja e Allahu të mbizotërojë dhe mposhtë gënjeshtrat dhe gënjeshtarët.

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Besimtarit kur i vijnë begatitë, i pranon me falënderim dhe i përdor aty ku i bëjnë dobi. Kur besimtari has në fatkeqësi ai i pranon ato me durim dhe shpreson për shpërblim dhe shpreson që ato të marrin fund. Kështu, ai fiton një mirësi dhe shpërblim që është më i madh se gjëja e dashur që e humbi ose të urryerën që e goditi.”

“Ateisti i pranon ato me shqetësim dhe tmerr kështu që fatkeqësia e tij bëhet më e madhe. Kështu, ai goditet nga dhimbja e jashtme si dhe nga dhimbja e brendshme. Ai nuk ka durim. Ai nuk shpreson ndonjë shpërblim. Sa humbje kaq të madhe ai vuan! Sa i madh është pikëllimi i tij!”

Ateisti nuk arrin të ketë durim me të. Prandaj, pikëllimi i tij bëhet më i rëndë.

Sa arsenal dhe forcë të madhe besimtari ka kur llogaritë dhe shpreson shpërblimin e Allahut dhe duron me vështirësitë e Allahut!


1 4:28.

2 7:12.

3 15:47.

4 23:51.

5 2:172.

6 Muslimi (1015).

7 8:60-61.

8 Muslimi (1731).

9 40:75-76.

Shpërndaje: