Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Sahihul-Kelimit-Tajjib
Verifikoi dhe korrigjoi: Imam Muhamed Nasirudin el-Albani
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
117- Ebu Seid el-Khudri (radijAllahu anhu) ka thënë:
Një grup shokësh të profetit ﷺ dolën në një udhëtim, derisa, i zuri nata tek njëri prej fiseve arabe në atë vend. Ata sahabë, u kërkuan atyre që t’i pranojnë për miq, por ata (banorët) nuk pranuan. Prijësin e atij fisi e kishte kafshuar një gjarpër (apo thumbuar një akrep) dhe ata bënë gjithë çfarë mundën për ta shëruar, por çdo gjë ishte e kotë. Disa thanë: “Sikur të shkoni tek ata udhëtarë të cilët ishin këtu natën, nëse ndonjë prej tyre ka ndonjë ilaç.” Kështu ata shkuan te sahabët dhe u thanë: “Kryetarin tonë e ka kafshuar gjarpri (ose e ka thumbuar akrepi) dhe kemi bërë gjithçka që mundëm, por pa dobi. A ka ndonjë prej jush ndonjë gjë (që ta ndihmojë prijësin tonë)?” Njëri prej tyre u përgjigj: “Po, pasha Allahun! Do t’i bëja atij rukje, por, ashtu siç nuk na pranuat ju për miq edhe unë nuk do të lexoj rukje për ju, derisa të caktoni për ne një shpërblim.” Ata pranuan t’u japin një tufë dhensh. Atëherë njëri prej tyre shkoi dhe i lexoi atij suren el-Fatiha, duke i fryrë kryetarit të fisit të atyre. Kështu, ai u bë shumë mirë sikur të ishte liruar nga prangat dhe u ngrit e filloi të ecte duke mos treguar asnjë shenjë sëmundje. Ata u paguan atyre çfarë u premtuan. Disa nga sahabët thanë që t’i ndajnë çfarë fituan prej asaj rukje, por ai që e bëri rukjen tha: “Mos i ndani derisa të shkojmë te profeti ﷺ, t’ia tregojmë gjithë ndodhinë dhe të shohim se çfarë na urdhëron të bëjmë. Kështu, ata shkuan tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe ia rrëfyen atij gjithë ngjarjen. Ai ﷺ i pyeti:
و ما يدريك أنها رقية ثم قال : قد أصبحتم ، اقيموا و اضربوا لي معكم سهما
“Si e morët vesh se ajo (surja el-Fatiha) lexohet për rukje?” Pastaj shtoi: “Keni bërë atë që duhet. Ndajini ato dhe më bëni edhe mua pjesëmarrës në të.”
Nga kjo i dërguari i Allahut ﷺ qeshi.
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
118 – Abdullah bin Abbasi (radijAllahu anhuma) ka thënë:
I dërguari i Allahut ﷺ e kishte zakon të kërkonte strehim për Hasanin dhe Husejnin (radijAllahu anhuma) (t’u bënte rukje) duke thënë:
أُعِيذُكُماَ بِكَلِمَاتِ اللهِ التَّامَّةِ مِنْ كُلِّ شَيْطَانٍ وَهَامَّةٍ وَمِنْ كُلِّ عَيْنٍ لاَمَّةٍ
“E lus Allahun që t’u mbroj ju me fjalët e Tij të përsosura prej çdo shejtani, çdo dyshimi të tij dhe çdo syri të keq.”
Pastaj tha:
إن أباكما كان يعوذ بها إسماعيل و إسحاق
“Kështu e kishte zakon të lutej babai juaj (Ibrahimi alejhis-selam) për Ismailin dhe Is’hakun.”
Transmeton Bukhari.
119 – Aishah (radijAllahu anha) ka thënë se kur dikush kishte dhembje, lëndim apo plagë, profeti ﷺ e kishte zakon të bënte kështu – dhe Sufjan bin Ujejneh (duke përshkruar veprimin e profetit ﷺ vuri gishtin e tij tregues në tokë dhe pastaj e ngriti atë dhe tha:
بِسْمِ اللهِ تُرْبَةُ أَرْضِنَا بِرِيقَةِ بَعْضِناَ يُشْفىَ سَقِيمُنَاَ بِإِذْنِ رَبِّناَ
“Në emër të Allahut, toka e vendit tonë me të fryrit e ndonjërit prej nesh kurohet i sëmuri ynë – me lejen e Zotit tonë!”
121 – Ajo (radijAllahu anha) gjithashtu tregoi se profeti ﷺ e kishte zakon t’u bënte rukje për familjarët e tij duke vendosur dorën e djathtë mbi atë që i frynte dhe thoshte:
اَللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ أَذْهِبْ الْبَاْسَ وَ اشْفِ أَنْتَ الشَّافيِ لاَ شِفاَءَ إِلاَّ شِفاّؤُكَ شِفاَءَ لاَ يُغاَدِرُ سَقَمَاً
“O Allah! Zoti i njerëzve, largoje të keqen; shëro sepse vetëm Ti je Shëruesi, shërim i cili nuk lë ndonjë pasojë.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
121 – Uthman bin Ebil-As tregon se ai iu ankua të dërguarit të Allahut ﷺ për dhimbjet në trup nga të cilat ai vuante që nga koha kuar ai e pranoi Islamin. Në atë rast, i dërguari i Allahut ﷺ i tha atij:
ضع يدك على الذي يألم من جسدك و قل : بِسْمِ اللهِ ثلاثا ، و قل سبع مرات : أَعُوذُ بِعِزَّةِ اللهِ وَ قُدْرَتِهِ مِنْ شَرِّ ماَ أَجِدُ وَ أُحَاَذِرُ
“Vëre dorën tënde në pjesën e trupit ku të dhembë dhe thuaj tri herë: “Me emrin e Allahut.” Pastaj thuaj shtatë herë: “Kërkoj mbrojtjen e Madhërisë dhe fuqisë së Allahut, nga çdo e keqe që unë ndiej dhe nga çdo gjë që ruhem”.”
Transmeton Muslimi.
122 – Ibn Abbas (radijAllahu anhuma) tregoi se profeti ﷺ ka thënë:
من عاد مريضا لم يحضر أجله ، فقال عنده سبع مرات : أَسْأَلُ اللهَ الْعَظيِمَ رَبَّ الْعَرْشِ الْعَظِيمِ أَنْ يُشْفِيَكَ إلا عافاه الله
“Ai që viziton të sëmurin të cilët nuk i ka ardhur vdekja ende dhe thotë shtatë herë tek ai: “E lus Allahun e Madhërishëm, Zotin e Arshit të madh, që të të shërojë ty”, veçse Allahu do ta shërojë atë.”
Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhi i cili tha: “Hadithi është i mirë.”
Kjo është e saktë. Hakimi e vërtetoi atë sipas kushteve të Bukharit dhe u përkrah nga Dhehebi.