Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Disa nga tiparet e ahmakut janë nxitimi, moskujdesi, mosveprimi, mëkatet, injoranca, urrejtja, dobësimi, lavdërimi i vetvetes, kundërshtimet e tepërta, zilia, padrejtësia, mashtrimi, neglizhenca, harresa, devijimi, veprimet e turpshme, arroganca, shtypja e tjerëve dhe përbuzja.
2 – Një prej shenjave më të mëdha të ahmakut është gjuha e tij. Zemra e tij është në majën e gjuhës, ajo që i vije në mendje menjëherë e shpreh gjuha e tij.
3 – I mençuri duhet t’i shmanget personit që ka këto tipare dhe e ka për obligim që të braktis shoqërimin me të. Ata që kanë cilësi të tilla shpeshherë ndodh t’i vërsulen atyre që shoqërohen me ta (kacafyten me ta padrejtësisht).
4 – Uehb bin Munebih ka thënë:
“Ahmaku është sikurse petku i shqyer nga të gjitha anët. Nëse e arnon njërën anë, ana tjetër shqyhet. Ai është sikurse gota balte e thyer. As nuk mund të riparohet e as të rikthehet në baltë.”
5 – Nëse shoqërohesh me ahmakun gjithnjë do të vuash prej tij. Kur t’i shmangesh, ai do të përgojojë. Nëse ai të jep ndonjë gjë apo të kryen ndonjë shërbim, do ta kujtoj atë gjë. Nëse i jep diçka apo i kryen ndonjë shërbim, ai është mosmirënjohës. Nëse ta tregon ndonjë sekret dyshon në ty, nëse ia tregon një sekret atij, ai të mashtron (e përhapë atë). Nëse është mbi ty të nënvlerëson, nëse është nën ty atëherë të fyen.
6 – Ahmaku beson se është krijesa më e mençur dhe se të gjithë të tjerët janë të marrë deri në një masë! Ahmaku urrehet nga njerëzit dhe do mbetet i pa njohur në botë. Veprimet e tij nuk janë të mira. Ai nuk është i lavdëruar tek Allahu dhe as tek njerëzit e mirë. Ndërsa i mençuri është i dashur tek njerëzit dhe është zotëri në mesin e tyre. Allahu është i kënaqur me veprimet e tij në jetën tjetër dhe njerëzit e mirë janë të kënaqur me veprimet e tij në jetën e kësaj bote.
7 – Hasan el-Basri ka thënë:
“Më e dashur për mua është që një i mençur të ma kthej shpinën sesa të më dojë një ahmak.”
8 – Njeriu i mençur e ka për detyrë të mos shoqërohet me dikë nga i cili nuk përfiton.
9 – Prej cilësive të mençurit janë dhembshuria, heshtja, qetësia, sinqeriteti, sakrifica, urtësia, dija, devotshmëria, drejtësia, forca, vendosmëria, shkathtësia, butësia, toleranca, ulja e shikimit, dëlirësia dhe trajtimi i njerëzve në mënyrë të mirë.
Nëse i jepet mundësia njeriut që të shoqërohet me ndonjë të mençur, ai duhet të mos i ndahet atij për asnjë çast dhe për asnjë arsye.
10 – Malik bin Dirhem ka thënë:
“Një herë prej herësh përderisa isha në udhëtim kalova pranë një manastiri në të cilin pash një murg, më përshëndeti dhe e përshëndeta. Ndër tjerash më tha: “Të këshilloj që të kesh kujdes nga shoqëria e cila nuk ke dobi. Mos u ul afër apo larg saj.”