Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

26.Paralajmërimi ndaj skolastikës (ilmul kelamit)

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Skolastika (ilmul kelami) është metodologjia e shpikur e skolastikëve në bazat e fesë nëpërmjet së cilës ata shpikën besimet e tyre dhe kundërshtuan atë që ka ardhur në Kuran dhe sunnet. Selefët kanë paralajmëruar shumë ndaj skolastikës dhe skolastikëve pasi që ajo shpie në paqartësi dhe dyshime aq sa imam Ahmedi ka thënë:

“Skolastiku kurrë nuk do të ketë sukses.”

Esh-Shafi’i ka thënë:

“Unë gjykoj se skolastikët duhet të fshikullohen me gjethe palme dhe sandale. Ata duhet të sillen në mesin e njerëzve dhe duhet të thërritet: “Kështu ndëshkohet ai që e braktis Kuranin dhe sunnetin dhe pranon skolastikën.”

Nga një aspekt ata meritojnë gjykimin e imam Shafi’iut në mënyrë që ata të pendohen tek Allahu dhe të frikësohen të tjerët nga pasimi i metodologjisë së tyre. Por nëse i vështrojmë ata nga një aspekt tjetër shohim se sa të hutuar janë ata dhe se si shejtani i ka vënë kthetrat e tyre në ta. Për këtë arsye na vjen keq për ta dhe na dhimbsen. Ne e falënderojmë Allahun që na ka shpëtuar nga ajo me të cilën i ka sprovuar ata. Pra ne i vështrojmë ata nga dy aspekte:

1 – Nga aspekti i sheriatit: Në bazë të kësaj ata duhet të ndëshkohen dhe duhet të ndalohen nga përhapja e besimit të tyre.

2 – Nga aspekti i kaderit: I mëshirojmë ata. I lutemi Allahut që t’i shpëtojë ata dhe e falënderojmë Allahun që na ka shpëtuar nga gjendja e tyre.

Ata që janë më në rrezik janë ata që kanë hyrë në skolastikë pa arritur limitin e saj. Ai që nuk ka hyrë në skolastikë ka shpëtuar. Dhe ai që ka arritur fundin e saj e ka kuptuar se sa besim i shkatërruar që është. Si rezultat ai kthehet në Kuran dhe sunnet, siç ka ndodhur me disa nga personalitetet e tyre më të mëdhenj. Pra në rrezik është ai që e ka braktisur rrugën e drejtë pa e ditur se në çfarë ka hyrë.

Në lidhje me këtë Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) transmeton thënie të disa prej tyre (skolastikëve) si p.sh:

“Edhe pse mjaftohemi me Kuranin, sunnetin dhe transmetimet e selefëve ka shumë njerëz që iu atribuohen grupeve skolastike. Ata mendojnë mirë për ta dhe mendojnë se ata e kanë verifikuar çështjen në një mënyrë të pashembullt. Përkundër të gjithë ajeteve të përmendura në Kuran ata nuk do t’i pasojnë ajetet derisa të mos përmendet diçka prej mendimeve të tyre (të skolastikëve).”

Pastaj ai (Ibn Tejmijeh) tha: “Ne nuk pajtohemi me çdo gjë që dikush prej tyre (skolastikëve) thotë qoftë në këtë temë apo në tema të tjera; por nga ana tjetër e vërteta pranohet nga çdokush që e thotë të vërtetën.” Me anë të kësaj ai (rahimehullah) e bëri të qartë se qëllimi i transmetimit të këtyre thënieve ishte vënia në dukje e faktit që e vërteta të pranohet nga çdokush dhe njëkohësisht t’u ngrinte argumentin këtyre (skolastikëve) me vetë fjalët e imamëve të tyre dhe Allahu e di më se miri.

Shpërndaje: