Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.Veprimi me gurin e zi

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Manasik-ul-Haxh uel-Umrah, fq. 20-21

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

27 – Pastaj shkon tek guri i zi, kthehesh drejt tij dhe thua:

الله أكبر (Allahu ekber)

”Allahu është më i madhi.”

Kjo është transmetuar në mënyrë autentike nga Ibn Umeri, se ai më parë kishte thënë:

بسم الله (Bismilah)

“Në emër të Allahut.”

Megjithatë, kanë gabuar ata që thanë se profeti (salAllahu alejhi ue selem) e bëri këtë.

28 – Pastaj e prekë atë me dorën tënde, e puth dhe vendos balluken mbi të. Kjo është bërë nga i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), Umeri dhe Ibn Abbasi1.

29 – Nëse nuk është e mundur të puthet, ai e prek atë me dorën e tij dhe puth dorën në vend të tij.

30 – Nëse nuk është e mundur të prekësh, ai bën me dorë drejt tij.

31 – Kjo duhet të bëhet në çdo rrotullim.

32 – Ai nuk duhet të shtyhet për të arritur atë. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“O Umer! Ti je një njeri i fuqishëm. Mos e shqetëso të dobëtin. Nëse do të prekësh gurin, duhet të bësh këtë kur rruga është e lirë. Përndryshe, drejtohu drejt tij dhe thuaj:

الله أكبر (Allahu ekber)

“Allahu është më i madhi.”2

33 – Është një vlerë e madhe në prekjen e gurit të zi. Ai (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Në Ditën e Gjykimit, Allahu do të bëjë gurin e zi që të ringjallet. Ai do të ketë dy sy me të cilët do të shohë dhe një gjuhë me të cilën do të flasë. Ai do të dëshmojë për atë që e ka prekur me hak.”

Ai gjithashtu tha:

“Prekja e gurit të zi dhe këndi i Jemenit shlyejnë me të vërtetë mëkatet.”3

Përveç kësaj, ai (salAllahu alejhi ue selem) tha:

“Guri i zi vjen nga xheneti. Ishte më i bardhë se bora para se mëkatet e idhujtarëve ta ndotnin atë.”4


1 Transmetuar nga esh-Shafeiu, Ahmedi dhe të tjerët. Hadithi është i fortë, siç e kam shpjeguar në “el-Haxh el-Kabir”.

2 Autentik sipas Tirmidhiut, Ibn Khuzejmeh, Ibn Hibani, el-Hakimi dhe edh-Dhehebi. Është përmendur në burimin e mëparshëm.

3 Tirmidhi ka thënë se është i mirë, ndërsa Ibn Hibani, el-Hakimi dhe edh-Dhehebi thanë se është autentik.

4 Autentik sipas Tirmidhiut dhe Ibn Khuzejmes.

Shpërndaje: