Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

27.I mençuri dhe gjurmimi i gabimeve të njerëzve

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – Profeti ka thënë:

“Ruhuni nga hamendësimi sepse hamendësimi është gënjeshtra më e keqe! Mos gjurmoni gabimet e të tjerëve, mos spiunoni njëri-tjetrin, mos kini zili njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, por jini robër të Allahut, vëllezër të vërtetë!Bukhari (6064).

2 – Hasan el-Basri ka thënë:

“Mos pyet për veprat e mira dhe të këqija të vëllait tënd ngase kjo është spiunim.”

3 – I mençuri e ka për detyrë që të ketë zemër të pastër duke mos gjurmuar gabimet e njerëzve dhe në vend të kësaj duhet të preokupohet me gabimet dhe mangësitë e tij.

Ai që merret me mangësitë e tij dhe jo me mangësitë e të tjerëve do ta pushoj trupin dhe nuk do ta lodhë zemrën. Sa herë që i kupton gabimet e veta, gabimet e njëjta të vëllait të tij i konsideron më të lehta sesa gabimet e tij. Por nëse njeriu merret me gabimet e të tjerëve në vend të gabimeve të tij, do t’i verbohet zemra dhe do t’i lodhet trupi; gjë e cila ia pamundëson  largimin e gabimeve të veta.

4 – Esh-Shejbani ka thënë:

“Në shkrimet e mëparshme thuhet: Atë që mbjell do ta korrësh.”

5 – Kërkimi i mangësive të të tjerëve është prej llojeve të hipokrizisë kurse mendimi i mirë për tjetrin është pjesë e besimit. I mençuri mendon më të mirën për të tjerët ndërsa telashet dhe pikëllimet i mban për veten e vetë. Injoranti ka mendim të keq për njerëzit dhe nuk mendon fare për telashet dhe mëkatet e veta.

6 – Mendimi i keq mund ndahet në dy lloje:

a) – I ndaluar. Atëherë kur njeriu ka mendim të keq për muslimanët në përgjithësi.

b) – I rekomanduar. Atëherë kur ke mendim të keq në lidhje me atë me të cilin, -për shembull, ke një grindje në çështjet fetare apo të kësaj bote, gjë e cila të bën që të kesh frikë prej tij. Në këtë rast është e rekomandueshme që të ke mendim të keq për të në mënyrë që të ruhesh prej kurtheve të tij.

7 – AbduLlah bin Amr bin ‘As -radijAllahu anhuma- ka thënë:

“Në Teurat thuhet: ‘Ai që bën tregti ka shumë mundësi që të bëhet njeri i prishur. Ndërsa ai që ia bën gropën shokut të tij do të bie vetë në të’.”

8 – I mençuri e ka për detyrë që të mos ketë moralin dhe veprat e njerëzve të thjeshtë, prandaj nuk duhet të gjurmoj gabimet e njerëzve. Ai që gjurmon gabimet e të tjerëve në realitet i përhap gabimet e veta. Ka mundësi që gjurmimi i gabimeve të të tjerëve bëhet shkak që gabimet e tij të përhapen.

Prandaj si ka mundësi që muslimani të kritikoj vëllain e tij për gabimet në të cilat edhe vetë bie?!

Shpërndaje: