Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

27.Vazhdimi i fokusit në teuhid

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Menhexh-ul-Anbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 63-65
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Edhe pasi i dërguari i Allahut ﷺ dhe shokët e tij kishin emigruar në Medine dhe themeluan shtetin Islamik me përpjekjen e Muhaxhirëve dhe të Ensarëve, thirrja në teuhid vazhdoi si kurrë më parë. Ajetet Kuranore u shpallën rreth kësaj teme dhe të gjitha udhëzimet profetike silleshin rreth teuhidit.

1 – I dërguari i Allahut ﷺ nuk u mjaftua me këtë por kohë pas kohe i urdhëronte rregullisht sahabët më të mëdhenj që të zotoheshin për besnikëri ndaj teuhidit.

Allahu (te ala) ka thënë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِذَا جَاءكَ الْمُؤْمِنَاتُ يُبَايِعْنَكَ عَلَى أَن لَّا يُشْرِكْنَ بِاللَّهِ شَيْئًا وَلَا يَسْرِقْنَ وَلَا يَزْنِينَ وَلَا يَقْتُلْنَ أَوْلَادَهُنَّ وَلَا يَأْتِينَ بِبُهْتَانٍ يَفْتَرِينَهُ بَيْنَ أَيْدِيهِنَّ وَأَرْجُلِهِنَّ وَلَا يَعْصِينَكَ فِي مَعْرُوفٍ فَبَايِعْهُنَّ وَاسْتَغْفِرْ لَهُنَّ اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ

“O profet! Kur të vijnë te ti besimtaret për të të dhënë besën se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë imoralitet, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajuar nga ato vetë (për atësinë e fëmijës) dhe se nuk do të të kundërshtojnë ty në asnje çështje që i urdhëron, atëherë ti pranoje besën e tyre dhe lutju Allahut që t’i fal ato. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” 1

Megjithëse ajeti u shpall në lidhje me besatimin e grave, i dërguari i Allahut ﷺ kërkoi që edhe burrat të premtojnë të njëjtën gjë. Nga Ubadeh bin es-Samit (radijAllahu anhu) i cili tha: I dërguari i Allahut ishte në një mexhlis dhe tha:

“Zotohuni duke më dhënë besën se nuk do të adhuroni dikë tjetër përveç Allahut, nuk do të vidhni, nuk do të bëni zina, nuk do t’i vrisni fëmijët tuaj, – dhe ajetin në të cilin u mor zotimi nga gratë:

’’ إِذا جاءَكَ المُؤمِناتُ’’,

“Kur të vijnë te ti besimtaret.”

Ai që i përmbush këto do të marrë shpërblimin e tij nga Allahu. Kushdo që bie në ndonjë nga këto gjynahe dhe dënohet për këtë gjynah në këtë botë ky dënim është shlyerje për gjynahun e bërë. Dhe kushdo që bie në ndonjë nga këto gjynahe dhe Allahu ia mbulon atij në këtë botë atëherë ai është nën dëshirën e Allahut; nëse Ai dëshiron ia fal atij dhe nëse Ai dëshiron ta ndëshkojë, Ai e bën këtë.” 2

Ibn Kethir citoi disa hadithe ku i dërguari i Allahut ﷺ e merrte besën nga gratë. Disa prej këtyre haditheve janë si p.sh, hadithi i transmetuar nga Aishah3, nga Emijmeh bint Rakik4, nga Ummu Atijjeh5, nga Selma bint Kajs6 (një nga tezet e të dërguarit) dhe nga Ra’itah bint Sufjan el-Khuze’ijjeh7. Pastaj ai tha:

“I dërguari i Allahut ﷺ e merrte besatimin nga gratë vazhdimisht.” Pastaj përmendi hadithin nga Ibn Abbasi dhe hadithe të tjera.’’

Them: Në mënyrë të ngjashme ai e merrte këtë besë nga burrat siç dëshmon hadithi i Ubadeh bin es-Samit që u përmend mësipër si dhe hadithi i Auf bin Malik el-Eshxhait (radijAllahu anhu) i cili ka thënë:

“Ne ishim nëntë, apo tetë, apo shtatë veta tek i dërguari i Allahut ﷺ kur ai tha: “A nuk do t’ia jepni besën tuaj të dërguarit të Allahut ﷺ. Ne ishim të rinj në dhënien e besës dhe i thamë: “Ne ta japim besën, o i dërguari i Allahut.” Ai pyeti përsëri: “A nuk do t’ia jepni besën tuaj të dërguarit të Allahut ﷺ. Ne i thamë: “Ne ta japim besën, o i dërguari i Allahut.” Ai tha: ”A nuk do t’ia jepni besën tuaj të dërguarit të Allahut ﷺ. Ne i zgjatëm duart tona dhe i thamë: “Ne po ta japim besën tonë, o i dërguari i Allahut, por për çka do të besatohemi? Ai tha: “Që të adhuroni vetëm Allahun dhe të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij, të falni pesë namazet, të bindeni (ai tha diçka me zë të ulët) dhe të mos u kërkoni njerëzve asgjë.” Mund të ndodhte që ndonjërit prej tyre t’i binte ​​kamxhiku nga dora ndërsa ai ishte mbi kafshën e tij të udhëtimit dhe ai nuk i kërkonte askujt që t’ia jepte atë.” 8


1 60:12.
2 Bukhari (3892) dhe Muslimi (1709).
3 Bukhari (4891) dhe Ibn Maxheh (2/959).
4 Ahmedi (6/357) dhe en-Nesai (7/134).
5 Bukhari (4892).
6 Ahmedi (6/379).
7 Ahmedi (6/365).
8 Muslimi (108), Ebu Daudi (1642), Ahmedi (6/27), Nasai (1/186) dhe Ibn Maxheh (2867).

Shpërndaje: