Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – Allahu azze ue xhel e ka bërë njeriun që të jepet pas kësaj bote kalimtare aq sa të mos shkatërrohet ajo. Ngase kjo botë është shtëpia e të devotshmëve, vendi ku të nënshtruarit ndaj Tij punojnë për të fituar shpërblime dhe vendi ku njeriu e mbush bagazhin me vepra të mira. Sikur të kishin hequr dorë nga kjo botë atëherë ajo do të shkatërrohej gjë e cila do të shkaktonte që njerëzit të mos kenë mundësi që t’i kryejnë obligimet ndaj Allahut, e lëre më veprimet vullnetare që i bëjnë robit dobi në ahiret.
2 – Është e qortueshme që njeriu ta lë anash dunjanë.
3 – Ibnul-Mubarak ka thënë:
“Bujaria e mos preokupimit me atë se çfarë kanë të tjerët është më me vlerë sesa bujaria në dorëlirësi ndaj të tjerëve. Dinjiteti i të qenit i kënaqur me atë që ke është më me vlerë sesa dorëlirësia ndaj të tjerëve.”
4 – Ibn Sirin ka thënë:
“Nëse gjërat nuk janë ashtu si dëshiron ti, atëherë duaji ashtu siç janë.”
5 – Njeriu më i pasur është ai që nuk është rob i kësaj bote. Kurse njeriu më i varfër është ai që udhëhiqet nga robëria pas kësaj jete. Dhënia pas kësaj bote është arsye pse gjërat zhvendosen nga vendi i tyre. Dhënia pas kësaj bote është e ndaluar ashtu sikurse frika që shkakton vdekjen. Nëse dëmi i vetëm i dhënies pas kësaj bote do të ishte llogaridhënia e gjatë para Allahut për atë që ke vepruar do të ishte e mjaftueshme që besimtari të mos jepej pas kësaj bote.
6 – Dhënia pas kësaj bote nuk do ta shtojë rrizkun. Po që se vepron kështu dënimi më i vogël për ty është se nuk do ta shijosh atë që e ke deri më tash. Kështu që njeriu lodhet për të arritur diçka që ai nuk është i sigurt nëse do ta arrij apo do të vdes. Nëse personi i dhënë pas kësaj bote nuk do të ishte i tillë, por më shumë do mbështetej në Krijuesin e qiejve, do të furnizohej me atë që në realitet as që e ka pritur.
7 – Dhënia pas kësaj bote është shenjë e varfërisë ndërsa koprracia petku i varfërisë. Koprracia është ushqim i të dhënit pas kësaj bote ashtu sikurse fanatizmi e ushqen injorancën. Mosbamirësia është vëllai i atij që është dhënë pas kësaj bote ndërsa mendjemadhësia është vëllai binjak i budallallëkut.
8 – Transmeton Ebu Abdirr-Rrahman el-Utbi se babai i tij ka thënë:
“Benu Israilët u grinden në lidhje me kaderin 500 vite. Pastaj shkuan tek njëri prej dijetarëve të tyre në mënyrë që ai të gjykonte mes tyre.
Ata thanë: “Na trego për kaderin, por shkurtimisht dhe qartë në mënyrë që njerëzit e thjeshtë ta kuptojnë më lehtë.”
Ai tha: “Kjo është humbje për të mençurit dhe fitore për injorantët.”
9 – Ai që i nënshtrohet dhënies pas kësaj bote nuk do të ketë paqe dhe rehati asnjëherë ngase gjëja e tillë në vazhdimësi i sjell njeriut probleme.
10 – I mençuri e ka për detyrë që të mos jepet shumë pas kësaj bote në mënyrë që të mos fajësohet në dunja dhe ahiret. Por qëllimi i tij duhet të jetë që t’i përmbush obligimet e Allahut. Atij që i mungon synimi i shëndoshë do ta dëmtoj veten dhe do ta lodhë trupin. Ai i cili jepet pas kësaj bote në mënyrë të saktë, ky ka qëllime të pastra dhe të lavdërueshme.