Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

27.Duhet bërë gosti qoftë me një qengj

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

3 – Duhet bërë gosti duke ther një qengj ose më shumë.

Enesi -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Kur Abdurr-Rrahman bin Aufi u shpërngul në Medine, i dërguari i Allahut ﷺ e vëllazëroi atë me Sa’d bin er-Rabi el-Ensarin. Sa’di e mori atë në shtëpi dhe i ofroi ushqim të cilin e hëngrën të dy.

Pastaj Sa’di i tha atij: “O vëlla im! Unë jam më i pasuri në Medine1. Merre gjysmën e pasurisë time2. Unë kam dy gra, (kurse ti je vëllai im për hir të Allahut dhe nuk je i martuar), shiko cila të pëlqen më shumë dhe më trego në mënyrë që të ndahem prej saj dhe kur t’i mbarojë periudha e saj e pritjes, martohu me të.”

Abdurr-Rrahmani i tha: “Jo, për Allahun. Allahu të begatoftë në familjen dhe pasurinë tënde, të lutem ma trego tregun më të afërt.” Ia treguan tregun. Ai filloi të tregtojë, fitojë dhe e shtojë pasurinë. U kthye në shtëpi me djathë të freskët dhe gjalpë. Pas një kohe të shkurtër u kthye ndërsa në të kishte gjurmë të shafranit.”

Në një transmetim tjetër thuhet:

“Një lloj parfumi prej shafrani (aromë që e përdor dhëndri).”

I dërguari i Allahut ﷺ e pyeti: “Ç’kemi të re?”

Ai tha: “O i dërguari i Allahut, jam martuar me një Ensare.”

Ai ﷺ e pyeti: “Sa i dhurove mehër (dhuratë martese)?”

Ai u përgjigj: ” I dhurova ar sa pesha e 5 dërhemëve.”

Ai ﷺ i tha: “Allahu të begatoftë në pasurinë tënde! Bëj gosti qoftë me një dele!”

Abdurr-Rrahmani tha: “Prej atij momenti mu hapën dyert e të mirave të kësaj bote saqë ma merrte mendja se në çdo gur, po ta lëvizja nga vendi i tij do të gjeja ar ose argjend.”

Pas vdekjes së tij, të gjitha gratë e tij trashëguan secila nga 100,000 monedha ari.”

Transmeton Bukhari (4/232), Nesai (2/93), Ibn Sa’d (3/2/77), Bejhaki (7/258), Ahmedi (3/165) dhe Ebul-Hasan et-Tusi në ”el-Mukhtasar (1/110/1)”.

Enesi Enes bin Maliku – radijAllahu anhu ka thënë:

”Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut ﷺ të ketë bërë dasmë për ndonjë nga gratë e tij ashtu siç bëri kur u martua me Zejneben, ai ﷺ theri një dele.” 

Transmeton Bukhari (5168) dhe Muslimi (1428).


1 Në një transmetim tjetër thuhet:

“Unë jam më i pasuri nga Ensarët.”

2 Në një transmetim tjetër thuhet:

“Eja në kopshtin tim dhe merre gjysmën e tij.”

Shpërndaje: