Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

29.Devijimet e grupit të Texhhilit ose i Mufauuidhave

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Për sa i përket grupit të Texhhilit ky grup përfshin shumë prej atyre që pretendojnë se pasojnë sunnetin dhe selefët. Sipas metodologjisë së tyre tekstet në lidhje me cilësitë e Allahut janë të panjohura dhe askush nuk i di kuptimet e tyre. As profeti ﷺ i cili i përmendi hadithet në lidhje me cilësitë e Allahut nuk e dinte kuptimin e tyre. Megjithatë, ata thonë se mendja (logjika) nuk mund të futet për të kuptuar tekstet rreth cilësive të Allahut. Detyrimisht (sipas tyre) kjo do të thotë se as profeti ﷺ, as sahabët e tij, as imamët e selefëve nuk kishin asnjë lloj diturie për këtë temë qoftë kjo dituri e bazuar në logjikë apo dituri e bazuar në shpallje dhe kjo fjalë e tyre është nga fjalët më të pavërteta.

Metodologjia e tyre në qasjen ndaj teksteve të lidhura me cilësitë e Allahut bazohet në atë që ata pohojnë vetëm fjalët që kumtohen por ata thonë që kuptimi i tyre është i panjohur. Disa prej tyre kundërshtojnë vetveten dhe thonë:

”Ato duhet të kumtohen tekstualisht edhe pse kanë një kuptim të ndryshëm nga ai tekstual. Këtë kuptim mund ta di vetëm Allahu.”

Kjo është një kontradiktë e dukshme. Si duhet të kumtohen tekstualisht nëse kanë një kuptim tjetër që e di vetëm Allahu?

Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) në lidhje me metodologjinë e këtyre njerëzve ka thënë:

”Kështu të bëhet e qartë se besimi i Mufauuidhave të cilët pretendojnë se pasojnë sunnetin dhe selefët është nga besimet më të këqija të pasuesve të bidateve dhe të ilhadit (mohuesve).” 1

Këta i bazojnë dyshimet e tyre në faktin që shumica e selefëve kanë ndalur dhe kanë bërë pauzë gjatë leximit tek fjala në ajet:

“, إِلَّا اللَّهُ “, përveç Allahut, kur kanë lexuar ajetin e mëposhtëm:

فَأَمَّا الَّذِينَ فِي قُلُوبِهِمْ زَيْغٌ فَيَتَّبِعُونَ مَا تَشَابَهَ مِنْهُ ابْتِغَاءَ الْفِتْنَةِ وَابْتِغَاءَ تَأْوِيلِهِ ۗ وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُ إِلَّا اللَّهُ ۗ وَالرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ يَقُولُونَ آمَنَّا بِهِ كُلٌّ مِنْ عِنْدِ رَبِّنَا

”E ata që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin (interpretimin) e tyre. Po, pos Allahut askush nuk e di komentin e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë!” 3:7

Ata i ndërtojnë dyshimet e tyre në dy baza:

1 – Ajetet në lidhje me cilësitë e Allahut janë të paqarta.
2 – Fjala “koment” që është përmendur në ajet është për qëllim një kuptim i ndryshëm nga ai tekstual dhe kështu që të tëra ajetet në lidhje me cilësitë e Allahut kanë një kuptim të ndryshëm nga ai tekstual, kuptim të cilin e di vetëm Allahu.

Ato refuzohen si më poshtë:

1 –Ne i pyesim ata se çfarë kanë për qëllim kur thonë se ato janë të “paqarta” ? A kanë për qëllim që:
– kuptimi i tyre është i paqartë dhe i fshehur apo që
– realiteti i tyre është i paqartë dhe i fshehur?

Nëse kanë për qëllim të parën (dhe në të vërtetë, ata këtë kanë për qëllim) atëherë ajetet në lidhje me cilësitë e Allahut nuk janë aspak të paqarta pasi kuptimi i tyre është i dukshëm dhe jo i paqartë.

Nëse ata kanë për qëllim të dytën kjo gjë është e vërtetë sepse realitetin dhe se si janë konkretisht cilësitë e Allahut këtë nuk e di askush përveç Allahut. Pra është gabim të thuhet në mënyrë të pakufizuar dhe gjithëpërfshirëse se ajetet në lidhje me cilësitë e Allahut janë të paqarta përkundrazi është e domosdoshme të bëhet sqarimi dhe detajizimi i mësipërm.

2 – Ata thonë se fjala “teuil” (koment apo interpretim) në ajet është ndryshimi i fjalës nga aparenca e saj në një kuptim që është i ndryshëm nga ai tekstual.

Kjo është gabim. Ky kuptim i fjalës teuil (koment) në gjuhën arabe është i shpikur dhe i panjohur për arabët dhe sahabët në gjuhën e të cilëve u shpall Kurani. Në të vërtetë fjala “teuil’’ d.m.th “koment ose interpretim” ka këto kuptime:

1 –Tefsir d.m.th. Shpjegim. Kjo është e njohur te dijetarët siç ka thënë Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma):

”Unë jam prej dijetarëve të thelluar në dituri dhe që e di teuilin e saj d.m.th komentin (interpretimin) e saj.” 2

Sipas kësaj shumë nga selefët u ndalën gjatë leximit kur erdhën tek fjalët e Allahut (te ala):

وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُ إِلَّا اللَّهُ ۗ وَالرَّاسِخُونَ فِي الْعِلْمِ

“Dhe dijetarët e thelluar në dituri e dinë teulin e tyre (d.m.th e dinë shpjegimin e tyre).”

2-Kuptimi i dyte i fjalës ”teuil” (koment apo interpretim) është realiteti i diçkaje. Sipas kësaj ne nuk e dimë këtë realitet (se si është në të vërtetë) dhe kjo përfshin atë rreth së cilës Allahu na ka informuar për veten e Tij dhe për ditën e gjykimit. Ky realitet është i panjohur për ne siç ka thënë imam Malik dhe të tjerë përveç tij në lidhje me lartësimin e Allahut mbi arsh dhe për cilësitë e tjera. Bazuar në këtë shumica e selefëve u ndalën kur erdhën tek fjalët e Allahut (te ala):

ۗ وَمَا يَعْلَمُ تَأْوِيلَهُ إِلَّا اللَّهُ

“Por përveç Allahut, askush nuk e di teuilin (realitetin) e tyre (d.m.th vetëm Allahu e di realitetin e tyre se si janë konkretisht).”

3 – Allahu e ka shpallur Kuranin që të meditojmë rreth tij. Ai na ka nxitur të reflektojmë mbi tërë Kuranin dhe nga ky reflektim nuk përjashtohen as ajetet në lidhje me cilësitë e Allahut. Nxitja për reflektim do të thotë se arritja e kuptimeve që kihet për qëllim me to është e mundshme. Përndryshe nxitja në këtë gjë do të kishte qenë e pakuptimtë nëse fjalët do të ishin boshe dhe pa kuptim. Fjala e Allahut dhe e të dërguarit të Tij ﷺ është larg nga të qenurit fjalë boshe dhe pa kuptim. Prandaj ajetet e Kuranit në lidhje me cilësitë e Allahut mund të kuptohen nëse njeriu mediton dhe reflekton rreth tyre. Dhe të parët nga njerëzit që i kuptuan ato janë profeti ﷺ dhe sahabët e tij sepse Kurani u shpall në gjuhën e tyre dhe ata ishin të parët që meditonin për Kuranin sidomos për çështjen më kryesore të fesë (besimin tek Allahu dhe tek emrat dhe cilësitë e Tij).

Ebu Abdurr-Rrahman es-Sulemi ka thënë: Na kanë transmetuar ata që na e lexonin Kuranin, Uthman bin Afani, Abdullah bin Mesudi dhe të tjerët përveç tyre se: ”Pasi që i kishim mësuar përmendësh dhjetë ajete me profetin ﷺ nuk shkonim më tej derisa të kishim mësuar kuptimin e tyre dhe të punonim me to dhe kështu që i mësuam të gjitha: Kuranin, diturinë dhe të punuarit me to.”

Duke u bazuar mbi këtë që u tha më sipër si mund të jenë ata (sahabët) injorantë në lidhje me tekstet që kanë të bëjnë me cilësitë e Allahut kur ato përbëjnë çështjen më kryesore të fesë?

4 – Besimi i Mufauuidhave detyrimisht çon në supozimin që Allahu në librin e Tij të qartë të ketë shpallur fjalë të pakuptimta që nuk e sqarojnë të vërtetën. Sipas këtij besimi këto fjalë janë thjesht shkronja alfabetike dhe asgjë më shumë. Një pretendim i tillë bie në kundërshtim me urtësinë me të cilën Allahu zbriti librat dhe dërgoi të dërguarit.


1 El-Akl uen-Nakl (1/121).
2 Tefsir el-Kuran el-Adhim (1/348) nga Ibn Kethiri.

Shpërndaje: