Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Ai i cili e realizon teuhidin hyn në xhenet pa dhënë llogari

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 20-26

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِلّهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

“Me të vërtetë që Ibrahimi ishte prijës shembullor, i bindur ndaj Allahut, ishte hanif (monoteist) dhe nuk ishte  prej idhujtarëve.En-Nahl, 16:120

2 –

وَالَّذِينَ هُم بِرَبِّهِمْ لَا يُشْرِكُونَ

“Dhe ata të cilët nuk i bëjnë shirk Zotit të tyre.” El-Mu’minun, 23:59

3 – Husejn bin Abdirr-Rrahman ka thënë: ”Unë isha te Seid bin Xhubejri kur ai tha: ”Kush prej jush e pa rënien e yllit mbrëmë?” I thashë: ”Unë e kam parë atë, pastaj i thashë: ”Nuk isha duke u falur gjatë asaj kohe por isha thumbuar.” Ai tha: ”Çfarë bëre?” I thashë: ”Bëra rukje?” Ai tha: ”Çfarë të shtyu ta bësh këtë?” I thashë: ”Një hadith të cilën na e tregoi esh-Sha’bi.” Ai tha: ”Çfarë ju tregoi?” I thashë: “Esh-Sha’bi tregoi nga Burejdeh bin El-Husejb -radijAllahu anhu- i cili ka thënë: ”Nuk bëhet rukje për gjë tjetër përveçse për mësyshin dhe helimimin.” Seid bin Xhubejri tha: ”Ai që ndalet tek ajo që ka dëgjuar, ka vepruar mirë. Megjithatë, Ibn Abbasi na ka treguar se profeti ﷺ ka thënë:

”Mu paraqitën popujt. Pashë profet me një grup njerëzish (1-9 pasues), pashë profet tjetër me një burrë (pasues), një profet tjetër me dy pasues dhe një profet pa asnjë pasues. Mu paraqitën një turmë e madhe njerëzish, mendova se ata ishin pasuesit e mi. Mu tha: ”Ky është Musai dhe populli i tij.” Pastaj pashë një turmë të madhe njerëzish. Mu tha: ”Ky është umeti yt dhe në mesin e tyre janë 70.000 njerëz të cilët hyjnë në xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar.” Pastaj profeti u ngrit dhe u fut në shtëpinë e tij. Njerëzit filluan të diskutonin e supozonin se kush mund të jenë ata, disa prej tyre thanë: ”Ndoshta ata janë sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ.” Të tjerët thanë: ”Ndoshta ata janë që kanë lindur në Islam dhe asnjëherë nuk i kanë bërë shirk Allahut.” Ata përmenden mendime të ndryshme. Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ doli nga shtëpia dhe ata i treguan në lidhje me bisedën që kishin pasur. Ai tha: ”Ata janë ata që nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk kurohen me djegie, nuk besojnë në ogure dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten.” U ngritë Ukasheh bin Mihsan dhe tha: ”Lute Allahun që të jem prej tyre.” Profeti ﷺ tha: ”Ti je njëri prej tyre.” Pastaj një tjetër u ngrit dhe tha: ”Lute Allahun që të jem prej tyre.” Profeti ﷺ tha: ”Ta kaloi Ukasheh.” Bukhari (5705) dhe Muslimi (220).

Shpjegimi

Realizimi i teuhidit do të thotë filtrimi i tij nga njollat e shirkut, bidatet dhe mëkatet. Ai që vepron këtë do të hyjë në xhenet pa u llogaritur dhe pa u dënuar. Shirku i madh e anulon teuhidin, ndërsa shirku i vogël e anulon plotësimin e detyrueshëm të teuhidit. Bidatet dhe mëkatet ndikojnë në teuhidin në mënyrë negative dhe e zvogëlojnë shpërblimin e tij.

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِلّهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

”Me të vërtetë që Ibrahimi ishte prijës shembullor, i bindur ndaj Allahut, ishte hanif (monoteist) dhe nuk ishte prej idhujtarëve. En-Nahl, 16:120

Allahu e përshkroi robin e Tij të dashur Ibrahimin me cilësi madhështore. Kjo tregon teuhidin dhe besimin e tij të përkryer. Ajo që e tregon këtë është:

(1)

إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً

”Me të vërtetë që Ibrahimi ishte prijës shembullor.

Kjo do të thotë se ai i vetëm thirri në të mirë dhe se ai e bëri këtë me durim. Kështu e shpjegojnë dijetarët këtë. Ai thirri në të vërtetën dhe qëndroi stabil në të kur të gjithë njerëzit e tjerë ishin të devijuar. Këto dy virtyte i kishte Ibrahimi . Ai ishte tërësisht i vetëm në pasimin e së vërtetës. Askush tjetër nuk ishte me të. Megjithëkëtë, ai i vetëm thirri në të vërtetën.

(2)

قَانِتًا لِلّهِ

”i bindur ndaj Allahut.”

Do të thotë se ai gjithmonë i bindej Allahut dhe bënte vepra të mira. Ai i bindej gjithmonë dhe vetëm Allahut. Pra ai nuk adhuroi askënd tjetër përveç Tij.

(3)

حَنِيفًا

“hanif (monoteist).”

Kjo do të thotë se ai ju drejtua Allahut. Ai ja ktheu shpinën të gjitha hyjnive për të adhuruar vetëm Allahun -azze ue xhel-. Pastaj Allahu e theksoi gjithë këtë me fjalët:

(4)

وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

”… dhe nuk ishte prej idhujtarëve.”

Ai dallonte prej tyre në besimin e tij, veprimet e tij, fjalët e tij dhe shtëpinë e tij. Muslimani duhet të jetë në rrugën e drejtë dhe të përsosë teuhidin e tij. Atij nuk i lejohet që të përzihet me adhuruesit e idhujve dhe që të rrisë numrin e tyre. Përmes këtyre cilësive Ibrahimi e realizoi teuhin e tij.

2 –

وَالَّذِينَ هُم بِرَبِّهِمْ لَا يُشْرِكُونَ

”Dhe ata të cilët nuk i bëjnë shirk Zotit të vet.” El-Mu’minun 23:59

Këto janë tiparet e pasuesve të teuhidit dhe besimit. Ata e adhurojnë sinqerisht vetëm Allahun. Ata nuk e përziejnë adhurimin e tyre me idhujtari (shirk). Ata e adhurojnë Allahun dhe i frikësohen vetëm Atij. Ky është teuhidi i plotë. Nëse Ibrahimi e realizoi teuhidin, këtë e bëri profeti ynë edhe më shumë sepse ai ishte njeriu më i devotshëm dhe më i sinqertë ndaj Allahut.

3 – Husejn bin Abdirr-Rrahman ka thënë: ”Unë isha te Seid bin Xhubejri kur ai tha: ”Kush prej jush e pa rënien e yllit mbrëmë?” I thashë: ”Unë e kam parë atë, pastaj i thashë: ”Nuk isha duke u falur gjatë asaj kohe por isha thumbuar.” Ai tha: ”Çfarë bëre?” I thashë: ”Bëra rukje?” Ai tha: ”Çfarë të shtyu ta bësh këtë?” I thashë: ”Një hadith të cilën na e tregoi esh-Sha’bi.” Seid bin Xhubejri tha: ”Çfarë ju tregoi?” I thashë: “Esh-Sha’bi tregoi nga Burejdeh bin El-Husejb -radijAllahu anhu- i cili ka thënë: ”Nuk bëhet rukje për gjë tjetër përveçse për mësyshin dhe helmimin.” Ai tha: ”Ai që ndalet tek ajo që ka dëgjuar, ka vepruar mirë. Megjithatë, Ibn Abbasi na ka treguar se profeti ﷺ ka thënë:

”Mu paraqitën popujt. Pashë profet me një grup njerëzish (1-9 pasues), pashë profet tjetër me një burrë (pasues), një profet tjetër me dy pasues dhe një profet pa asnjë pasues. Mu paraqitën një turmë e madhe njerëzish, mendova se ata ishin pasuesit e mi. Mu tha: ”Ky është Musai dhe populli i tij.” Pastaj pashë një turmë të madhe njerëzish. Mu tha: ”Ky është umeti yt dhe në mesin e tyre janë 70.000 njerëz të cilët hyjnë në xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar.” Pastaj profeti u ngrit dhe u fut në shtëpinë e tij. Njerëzit filluan të diskutonin e supozonin se kush mund të jenë ata, disa prej tyre thanë: ”Ndoshta ata janë sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ.” Të tjerët thanë: ”Ndoshta ata janë që kanë lindur në Islam dhe asnjëherë nuk i kanë bërë shirk Allahut.” Ata përmenden mendime të ndryshme. Pastaj i dërguari i Allahut ﷺ doli nga shtëpia dhe ata i treguan në lidhje me bisedën që kishin pasur. Ai tha: ”Ata janë ata që nuk kërkojnë t’u bëhet rukje, nuk kurohen me djegie, nuk besojnë në ogure dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten.” U ngritë Ukasheh bin Mihsan dhe tha: ”Lute Allahun që të jem prej tyre.” Profeti ﷺ tha: ”Ti je njëri prej tyre.” Pastaj një tjetër u ngrit dhe tha: ”Lute Allahun që të jem prej tyre.” Profeti ﷺ tha: ”Ta kaloi Ukasheh.Bukhari (5705) dhe Muslimi (220).

Fjalët e tij: ”Nuk isha duke u falur gjatë asaj kohe”, i përkisnin tipareve të selefëve. Ata kishin frikë që të theksonin veprat e tyre në mënyrë që të mos bien në syfaqësi dhe në vetë-lavdërim.

Fjalët e tij: ”por isha thumbuar”, do të thotë se ai ishte thumbuar nga një akrep, gjarpër apo të ngjashme.

Fjalët e tij: ”Bëra rukje”, do të thotë se ai i kërkoi dikujt që t’i bëjë rukje atij. Allahu bën dobi me rukje në rast thumbimi.

Fjalët e tij: ”Çfarë të shtyu ta bësh këtë?”, është një pyetje ku i kërkon argument për veprimin e tij. Të tillë ishin selefët dhe studimet e tyre dhe përpjekjet për argumente.

Fjalët e tij: ”… nga Burejdeh ibn el-Husejb”, do të thotë se hadithi transmetohet nga Burejdeh dhe se hadithi transmetohej nga profeti .

Fjalët e tij: ”Ai që ndalet tek ajo që ka dëgjuar, ka vepruar mirë”, dëshmon se ai ka vepruar me dije dhe jo me injorancë ose në kundërshtim me atë që ai ka mësuar.

Fjalët e tij: ”Nuk bëhet rukje për gjë tjetër përveçse për mësyshin dhe helmimin”, dëshmon se ai që thumbohet nga një akrep, nga një gjarpër ose goditet nga një sëmundje, i lejohet që të bëjë rukje dhe t’i kërkojë të tjerëve që t’i bëjnë rukje. Hadithi nuk është i kufizuar me atë që është përmendur. Dijetarët e interpretojnë këtë si parësore dhe se asgjë nuk e shëron mësyshin dhe helmimin sikurse rukja. Ka shumë hadithe që lejojnë rukjen edhe në lidhje me gjëra të tjera pos mësyshit dhe helmimit. Shembull i kësaj është hadithi:

”Rukja lejohet për derisa nuk përmban idhujtari.” Muslimi (2200) dhe Ebu Daudi (3886).

Është konfirmuar gjithashtu se profeti u ka bërë rukje të tjerëve dhe i është bërë rukje nga të tjerët. Kjo dëshmon se është e lejuar dhe se është në rregull për t’i bërë dobi të sëmurit dhe të lexohen ajetet e Kuranit mbi të.

Fjalët e tij: ”përveçse për mësyshin dhe helmimin”, mësyeshi është shikimi i shikuesit dhe shpirti i tij, ndërsa helimimi është për qëllim pasojat e thumbimit nga gjarpri apo akrepi.

Rukja është e dobishme sipas shpalljes dhe përvojës.

Profeti ka thënë:

”Ai që mundet t’i bëjë dobi vëllait të tij me diçka le ta bëjë këtë.” Muslimi (2199) dhe Ahmedi (13819).

Më e mira është të mos kërkohet rukje. Megjithëkëtë, është e lejuar nëse është e nevojshme. Prandaj profeti kërkoi rukje për fëmijët e Xhaferit dhe i tha nënës së tyre Esmas, kur ata ishin goditur nga mësyshi:

”Kërkoni rukje për ta.” Muslimi (2198) dhe Ahmedi (14163).

Pastaj Seidi përmendi se çfarë është më e mirë sesa të kërkohet rukje dhe e transmetoi hadithin e Ibn Abbasit.

Fjalët e profetit : ”Mu paraqitën popujt”, është thënë sipas mendimit të saktë se kjo ndodhi gjatë udhëtimit të Israsë.

Profeti tha: ”një profet pa asnjë pasues”, disa profetë u vranë nga popujt e tyre. Kjo dëshmon se vetëm disa njerëz e pasojnë të vërtetën.

Allahu -te ala- ka thënë:

وَمَا أَكْثَرُ النَّاسِ وَلَوْ حَرَصْتَ بِمُؤْمِنِينَ

”Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.” Junus, 12:103

Fjalët e profetit : ”Ky është Musai dhe populli i tij”, dëshmon vlerën e Musait dhe se shumë Izraelit iu përgjigjën thirrjes së tij.

Fjalët e profetit : “Pastaj pashë një turmë të madhe njerëzish“, dhe në një formulim tjetër thuhet: “Pastaj pashë një turmë të madhe njerëzish që e mbulonte horizontin”, dhe ”Pashë një turmë të madhe njerëzish që e mbulonin horizontin e largët”, dëshmon madhështinë e këtij umeti dhe se ai ka më së shumti pasues sepse ata janë umeti i fundit dhe profeti i tyre është profeti i fundit. Ata do të përbëjnë gjysmën e popullsisë së xhenetit apo madje edhe dy të tretat e cila është përmendur në hadith.

Profeti tha: ”në mesin e tyre janë 70,000 njerëz”, Në hadithe të tjera përmendet se me çdo njërin nga këta 70.000 do të jenë 70.000 të cilët hyjnë në xhenet pa dhënë llogari për shkak se frika e tyre ndaj Allahut, besimi dhe drejtësia e tyre është e përsosur. Sa më i drejtë të jetë robi aq më lehtë hyn në xhenet.

Fjalët e tij: ”Njerëzit filluan të diskutonin e supozonin se kush mund të jenë ata”, do të thotë se ata diskutuan në lidhje me cilësitë e tyre dhe se kush ishin ata. Këtu kemi dëshmi se është e ligjësuar për të hulumtuar, studiuar dhe shqyrtuar tekstet për hir të dijes.

Fjalët e profetit : ”Ata janë ata që nuk kërkojnë t’u bëhet rukje”, do të thotë se ata nuk u kërkojnë të tjerëve nëse ata mund t’u bëjnë rukje. Kjo dëshmon se është më mirë të mos u kërkohet njerëzve asgjë duke përfshirë edhe rukjen. Ai nuk e ndaloi rukjen por është më mirë për të mos e kërkuar atë. Nëse është e nevojshme është në rregull për të kërkuar rukje dhe është më mirë për të mos e kërkuar atë në qoftë se ajo nuk është e nevojshme.

Profeti tha: ”nuk kurohen me djegie”, është më mirë për të braktisur këtë kurë nëse nuk është e nevojshme sepse ky kurim është një lloj i torturës. Nëse është e mundur për t’u kuruar me një ilaç tjetër është më mirë për ta bërë atë. Nëse kjo është e nevojshme nuk është e urryer që kjo të praktikohet duke u bazuar në hadithin:

”Kurimi qëndron në tri gjëra; në djegie me zjarr, mjaltë dhe në hixhame.” Ahmedi (22). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (1057)”.

Në një formulim profeti ka thënë:

”Unë e ndaloj umetin tim që të përdorin djegien me zjarr.” Bukhari (5681) dhe Muslimi (2205).

Ky ndalim do të thotë se kjo është e urryer dhe jo e ndaluar. Prandaj disa sahabë u kuruan me djegie kur ata ishin të sëmurë. Prandaj kjo është e lejuar kur është e nevojshme por më mirë është të kuruarit me një ilaç tjetër sepse kjo është edhe një nga cilësitë e atyre 70,000 personave. Por sikurse u tha kjo është e lejuar kur është e nevojshme.

Profeti ka thënë: ”…nuk besojnë në ogure…”, oguret janë idhujtari. Oguret do të thotë që të frikësohesh kur sheh ose dëgjon diçka në mënyrë që të braktisësh diçka që ke planifikuar. Ky është një mëkat i ndaluar.

Profeti ka thënë:

”Oguret janë idhujtari.” Ebu Daudi (3910), Ibn Maxheh (3538) dhe Ahmedi (3687). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami (3960)”.

Ai gjithashtu ka thënë:

”Oguret nuk duhet ta parandalojnë muslimanin.” Ebu Daudi (3919). I dobët sipas Albanit në ”Silsilat-ul-Ahadith ed-Da’ifah (1619)”.

Gjithashtu, ai ka thënë:

”Nëse dikush prej jush sheh diçka që ai e përçmon, ai duhet të thotë: ”O Allah! Askush tjetër përveç Teje nuk e sjell të mirën. Askush tjetër përveç Teje nuk e shmang të keqen. Nuk ka asnjë lëvizje apo forcë përveçse përmes Teje.” Ebu Daudi (3919). I dobët sipas Albanit në ”Silsilat-ul-Ahadith ed-Da’ifah (1619)”.

Të mirat janë begatitë e Allahut kurse e keqja janë fatkeqësitë. Përveç kësaj ai tha se kurimi i ogureve është që të thuhet:

”O Allah! Nuk ka mirësi përveç mirësisë Tënde. Nuk ka kader përveç kaderit Tënd. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje.” Ahmedi (7045). I mirë sipas Shuajb el-Arnautit në ”Musned Ahmed”.

Fjalët e profetit : ”dhe vetëm në Zotin e tyre mbështeten”, do të thotë se ata mbështeten në Allahun. Ata ja dorëzojnë jetën e tyre Atij. E tillë është gjendja e tyre. Ata mbështeten në Zotin dhe i besojnë Atij. Ata e dinë se asgjë tjetër nuk do t’u ndodhë atyre përveç asaj që Ai ka caktuar për ta. Përveç kësaj ata shmangin të gjitha format e idhujtarisë dhe të gjitha gjërat e urryera sikurse djegia dhe rukja thjesht sepse ata besojnë në Allahun, varen nga Ai dhe dëshirojnë që të kenë një fe të përsosur dhe të shëndoshë.

Këto janë cilësitë që 70,000 mijë njerëz i kanë. Janë ata që kryejnë obligimet, braktisin ndalesat dhe idhujtarinë, mbështeten në Allahun dhe ja dorëzojnë çdo gjë Allahut, ndërsa në të njëjtën kohë zbatojnë mënyrat e ligjshme për jetesë, biznes dhe kurim. Ata braktisin atë që i bën ata të kenë nevojë për njerëzit e tjerë sikurse të kërkuarit e rukjes dhe kurimit me djegie për deri sa kjo nuk është e domosdoshme. Ata braktisin edhe gjëra të tjera të ligjshme, vetëm për shkak se ato janë të urryera. Si rezultat i kësaj, Allahu do t’i fusë ata në xhenet pa llogaridhënie dhe pa i dënuar.

Dobi:

Rukja pa kërkesë është e lejuar. Nëse rukja është e lidhur me kërkesën është më mire që të shmanget përderisa nuk është shumë e nevojshme.

Profeti ka thënë:

”Rukja lejohet për derisa nuk përmban idhujtari.”

Rukja lejohet me kusht që tri kushte të jenë plotësuar:

1 – Ajo duhet të jetë në një gjuhë të kuptueshme.

2 – Nuk duhet të përbëhet nga diçka e ndaluar.

3 – Ajo duhet të kryhet duke shpresuar se Allahu shëron. Pra nuk duhet mbështetur vetëm mbi vetë rukjen.

Nëse këto kushte plotësohen rukja lejohet.

Gjithashtu lejohet djegia nëse është e nevojshme. Megjithatë, është më mirë për t’iu shmangur asaj sepse ajo është një formë e torturës.

Të gjitha arsyet e tjera janë të pashmangshme. Duhet ngrënë dhe duhet pirë. Furnizimi duhet të kërkohet. Detyrat duhet të kryhen dhe mëkatet duhet të shmangen në mënyrë që personi të hyjë në xhenet. Kurimet e lejuara por të urryera sikurse djegia dhe kërkesa për rukje, që ato të shmangen është më mirë.

Profeti tha: ”Ta kaloi Ukasheh”, në mënyrë që personi që nuk e meriton të mos e kërkojë të njëjtën gjë. Dijetarët e përdorin këtë hadith për të argumentuar se lejohet të justifikosh veten për të parandaluar ndonjë gjë negative, pa e përçmuar dhe poshtëruar dikë.

Është e lejuar që të kurosh veten tënde dhe është më mirë të mos kërkosh rukje nga dikush tjetër. Është në rregull që të kërkosh nga vëllai yt që të lutet për ty. Kjo përmendet në hadithin:

”Mos harro të lutesh për ne.” Ahmedi (195), Ebu Daudi (1498) dhe Ibn Maxheh (2894). I dobët sipas Albanit në ”Da’if-ul-Xhami (14425)”.

Është e ligjësuar të qëndrosh larg çdo gjëje të dëmshme duke përfshirë edhe personin e sëmurë që ka një sëmundje ngjitëse. Duhet qëndruar larg tij. Kjo përmendet në hadithin:

”Personi i sëmurë nuk duhet të shkojë te personi i shëndoshë.” Bukhari (5771) dhe Muslimi (2221).

Megjithatë, kjo është e lejuar nëse personi beson në Allahun fuqishëm dhe i mbështetet Atij me një besim të fortë. Është konfirmuar se profeti ishte ulur dhe hante me një person i cili ishte sëmurë nga lebra dhe tha:

”Ha në emër të Allahut duke u mbështetur në Allahun.” Ebu Daudi (3925), Tirmidhi (1817) dhe Hakimi (7196). I dobët sipas Albanit në ”Da’if Sunnen et-Tirmidhi (307)”.

Gjithashtu lejohet të lexuarit mbi ujë dhe që të pështysh në të. Është konfirmuar se profeti ﷺ pështyu në ujin e Thabit bin Kajsit. Ebu Daudi (3885). I dobët sipas imam Albanit në ”Da’if Sunnen Ebi Daudi 836)”

Duhet lexuar atë që mund të lexosh nga Kurani.

Shpërndaje: