“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

3.Domethënia e diturisë dhe e Teuhidit

Autor: Imam Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Kefsh-ish-Shubahat

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimae.com

Dituria – Perceptimi dhe njohja e diçkaje siç është në të vërtetë. Kjo ka gjashtë nivele:

E para: Dituria, e cila është që të perceptosh diçka siç është në të vërtetë, në mënyrë të sigurt.

E dyta: Padituria e lehtë, e cila është për shkak të kuptuarit jo të plotë.

E treta: Padituria komplekse, që do të thotë të njihet diçka me të kundërtën e realitetit të saj. Është quajtur padituria komplekse për shkak të paditurisë së njeriut për realitetin dhe paditurisë së tij për gjendjen e vet, sepse ai mendon se është i ditur, kurse në realitet nuk është.

E katërta: Dituria me pasiguri, që do të thotë të perceptosh diçka, ndërsa e kundërta është ndoshta më e saktë.

E pesta: Dituria me dyshim, është që të perceptosh diçka në mënyrë të tillë sa që është e mundur që po aq të jetë e gabuar.

E gjashta: Dituria me probabilitet më të madh, që është të kuptosh diçka, e cila është ndoshta më e saktë se e kundërta.

Dituria ndahet në dy pjesë; e domosdoshme dhe shkencore.

Sa i përket asaj që është e domosdoshme, ajo përfshinë gjërat që domosdoshmërisht duhet kuptuar në mënyrë që as të mos ketë nevojë për studime apo argumente. Shembuj të kësaj janë dituria se zjarri është i nxehtë.

Për sa i përket diturisë shkencore, kjo është ajo që kërkon studim dhe argumentin. Kjo përfshin, për shembull, diturinë se është e detyrueshme për të bërë nijet para se të marrësh abdes.

Allahu të mëshiroftë – Allahu të dhuroftë mëshirën e Tij me të cilën ti e arrin qëllimin tënd dhe i shpëton asaj që të bën dëm. Domethënia e kësaj është që Allahu t’i faltë mëkatet e tua të kaluara dhe që Ai të mbrojë dhe të ruaj nga mëkatet e ardhshme. Kështu është kuptimi nëse vetëm mëshira përmendet. Nga ana tjetër nëse ajo përmendet së bashku me faljen, falja përfshin mëkatet e mëparshme, ndërsa mëshira dhe suksesi për të mirën dhe shëndetin përfshinë të ardhmen. Lutja e autorit (rahimehullah) nënkupton dashurinë dhe dhembshurinë e autorit për atë të cilit i drejtohet.

Teuhidi – Gjuhësisht do të thotë të veçosh diçka dhe ta bësh atë një. Kjo arrihet vetëm se me anë të mohimit dhe pohimit, d.m.th t’ia mohosh një dispozitë çdokujt tjetër për atë që e ke veçuar si një, duke ia pohuar vetëm atij.  Nuk mjafton vetëm mohimi, për shkak se kjo do të thotë jo-ekzistencë e atij që e ke veçuar. Nga ana tjetër nuk mjafton vetëm pohimi për të veçuarin, sepse vetëm pohimi nuk e mohon pjesëmarrje edhe të dikujt tjetër.

Shembuj të kësaj janë se Teuhidi i njeriut nuk mund të plotësohet derisa ai të dëshmoj se ”Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut” me të cilën ai e mohon ibadetin ndaj çdokujt pos Allahut dhe e pohon se ai i takon vetëm Allahut.

Përkufizimi terminologjik i Teuhidit, nga autori (rahimehullah) bëhet në këtë mënyrë:

”Teuhid do të thotë që të veçohet vetëm Allahu (subhaneh) me adhurim.”

Kjo do të thotë që të adhurosh vetëm Allahun dhe të mohosh dikë si pjesëmarrës me Të, me dashuri, madhërim, shpresë dhe frikë.

Shejkhu (Allahu e mëshiroftë) ka për qëllim llojin e Teuhidit me të cilin janë dërguar të dërguarit për ta realizuar atë. Është pikërisht ky lloj i cili ishte shkaku prapa mospajtimeve në mes të dërguarve dhe umeteve të tyre.

Përveç kësaj, ekziston një përkufizim më i gjerë i Teuhidit, përkatësisht:

”Të veçuarit Allahun (subhanehu ue te ala) me atë që është e posaçme për Të.”

Ekzistojnë tri lloje të Teuhidit:

I pari: Teuhid-ur-Rububijeh (Besimi se vetëm Allahu është Zot). Kjo do të thotë të besosh se Allahu (subhanehu ue te ala) është Krijuesi, Sunduesi dhe Drejtues i vetëm i gjërave. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

Allahu është Krijues i çdo sendi.” 39:62

”O ju njerëz, ruani me mirënjohje të mirat që Allahu u dhuroi! A ka ndonjë zot tjetër që ju furnizon juve nga qielli e toka? Nuk ka zot tjetër përveç Tij, e si pra, e ktheni shpinën?” 35:3

”I madhëruar është Ai, që në dorën e së Cilit është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo gjë.” 67:1

”Vetëm Atij i përket krijimi dhe sundimi. I Shenjtëruar dhe i Lartësuar është Allahu, Zoti i gjithësisë!” 7:54

E dyta: Teuhid-ul-Uluhijeh (Besimi se vetëm Allahu meriton adhurimin). Kjo do të thotë të adhurohet vetëm Allahu (subhanehu ue te ala), pa marrë dikë pjesëmsarrës karshi Tij për ta adhuruar dhe për të kërkuar afërsinë e tij, ashtu sikurse adhurohet Allahu dhe sikurse kërkon afërsinë e Tij.

E treta: Teuhid-ul-Esma ues-Sifat (besimi në emrat dhe cilësitë e Allahut). Kjo do të thotë të besosh se Allahu (subhanehu ue te ala) është i vetmi që ka emrat dhe cilësitë me të cilat Ai e ka quajtur dhe përshkruar Veten në Librin e Tij ose me të cilat e ka përshkruar i dërguari i Tij ﷺ. Kjo duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të pohojmë atë që Ai pohoi dhe të mohojmë atë që Ai e mohoi pa shtrembëruar emrat dhe cilësitë, pa mohuar, pa pyetur se si janë ato, pa i imagjinuar ato dhe pa i krahasuar me të krijesave.

Shpërndaje: