Trungu familjar të cilin e kemi përmendur deri te Adnani, nuk ka kundërshtime lidhur me saktësinë e tij. Ky fakt është konfirmuar përmes burimeve të shumta dhe përmes konsensusit të përgjithshëm. Mospajtimet fillojnë në lidhje me trungun familjar para Adnanit. Megjithatë, edhe teologët jehudë dhe nasara janë unanimisht dakord se Adnani është një nga pasardhësit e profetit Ismail ﷺ. Sipas mendimit më të saktë të sahabëve dhe tebiinëve është fjala për Ismailin, djalin e Ibrahimit ﷺ. Por ka mospajtime lidhur me numrin e etërve që janë mes tyre. Numri më i madh i etërve të përmendur arrin deri në dyzet, ndërsa numri minimal është shtatë. Disa mendojnë se janë nëntë, tjerë thonë pesëmbëdhjetë. Gjithashtu ka mospajtime edhe për emrat e tyre.
Disa nga selefët dhe imamët e urrenin që t’i atribuohen dikujt tjetër para Adnanit. Thuhet se edhe imam Malik bin Enes El-Asbahi -rahimehullah- e urrente këtë gjë.
Imam Ebu Umeri bin Abdil-Berr ka thënë në librin El-Inbeh: ”Imamët në fjalë thonë lidhur me trungun e Adnanit: ”Adnani ishte biri i Ududit, biri i Mukauuimit, biri i Nahurit, biri i Tejrahit, biri i Ja’rabit, biri i Jashxhabit, biri i Nabit, biri i Ismailit, biri i Ibrahimit, biri i Tarihit (i cili është ‘Azer), biri i Nahurit, biri i Sharukh, biri i Ra’uit, biri i Falikhit, biri i Ajbarit, biri i Shalikhit, biri i Arfakhshadh, biri i Samit, biri i Nuhit, biri i Lamakit, biri i Muttushalakhit, biri i Akhnukh (që sipas tyre është profeti i Allahut Idrisi ﷺ i cili ishte profeti i parë pas Ademit dhe Shithit dhe i pari që shkroi me laps, i cili ishte i biri i Jardit birit të Mahlajl biri i Kajnanit biri i Janushit, biri i Shithit, biri i Ademit ﷺ.”
Kështu e përmend trungun familjar Muhamed bin Is’hak bin Jashar El-Madani, autori i librit Es-Sirah En-Nebeuijjeh dhe gjenealogët e tjerë. Ebul-Abbas Abdullah bin Muhamed En-Nashi El-Mu’tezili e shkroi këtë në formë poezie, ku ai lavdëroi të dërguarin e Allahut ﷺ. Imam Ebu Umeri e ka cituar gjithashtu këtë, si dhe shejku ynë [El-Mizzi] në librin e tij Et-Tehdhib. Poezia është mbresëlënëse dhe fillon me:
E lavdëroj të dërguarin e Allahut për të marrë pjesë në vendbanimin e çmuar.
E lavdëroj një njeri që tejkalon të gjithë të lavdëruarit,
Përmes cilësive të tij të përmendura nga ata të largët dhe ata të afërt,
Të gjitha fiset arabe u bashkuan me të tek Adnani.
Prandaj Allahu -te ala- ka thënë:
Thuaju: “Për këtë nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi tjetër prej jush, përveç respektit (për mua) për hir të farefisnisë (që kemi).” Esh-Shura, 42:23
Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Nuk ka asnjë fis Kurejshit përveçse ata janë të afërmit e të dërguarit e Allahut ﷺ.”
Profeti ﷺ është elita e tyre. Muslimi transmetoi në sahihun e tij nga Uethileh bin El-Aska i cili tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Allahu zgjodhi Kinaneh nga pasardhësit e Ismailit, pastaj zgjodhi Kurejshët nga Kinaneh, pastaj zgjodhi Benu Hashim nga Kurejshët, pastaj më zgjodhi mua nga Benu Hashim.”
Gjithashtu takohen izraelitët dhe profetët e tyre, si dhe të tjerët me të tek Ibrahimi ﷺ, pasardhësve të të cilit Allahu u ka dhënë thirrje profetike dhe libra. Allahu -subhanehu ve teala- u tha bijve të Izraelit me anë të Musait ﷺ:
17 Dhe Zoti më tha: “Atë që thanë, është mirë; unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre, një që është si ti dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t`u thotë atyre të gjitha ato që unë do t`i urdhëroj. 19 Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t`i kërkoj llogari.” (Ligji i Përtërirë (18: 17-19)).
Askush nga pasardhësit e Ismailit ﷺ nuk është më i madh se Muhamedi ﷺ. Faktikisht askush nuk ka qenë dhe nuk do të jetë më i madh se Muhamedi ﷺ deri në ditën e gjykimit.
Është transmetuar në të vërtetë se profeti ﷺ ka thënë:
“Unë jam zotëria i njerëzimit dhe nuk mburrem për këtë. Ademi dhe të gjithë profetët e tjerë do të jenë nën flamurin tim.”
Është transmetuar në të vërtetë se ai ﷺ ka thënë:
“Unë do të kem një pozitë që të gjitha krijesat, madje edhe Ibrahimi do të dëshironin ta kishin.”
Bëhet fjalë për pozitën e lavdërueshme (El-Mekamul Mahmud) që Allahu -te ala- ia ka premtuar atij. Kjo pozitë përfshin ndërmjetësimin e madh kur ai do të ndërmjetësojë për të gjitha krijesat në mënyrë që Allahu t’ua lehtësojë pritjen në vendtubim dhe që të fillojë gjykimin e tyre, e cila është transmetuar në mënyrë autentike dhe të hollësishme prej tij ﷺ.
Emri i nënës së tij ﷺ ishte Amineh, e bija e Uehbit, birit të Ebdu Menafit, birit të Zuhrah, birit të Kulabit, birit të Murrah.