Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Kohëzgjatja e ciklit mujor

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fletushkë rreth gjakrave të natyrshëm tek gratë

http://www.ibnothaimeen.com/all/books/article_16961.shtml

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Dijetarët kanë mendime të ndryshme që arrijnë në gjashtë ose shtatë mendime mbi kohën e ciklit mujor.

Ibn-ul-Mundhir ka thënë:

”Disa dijetarë thonë se cikli mujor nuk ka kohëzgjatje minimale apo maksimale me ditë të caktuara.”

Them: ky mendin është sikurse mendimi i Darimiut. Edhe Shejkh-ul-Islam Ibnu-Tejmijeh ka zgjedhur këtë dhe ky është mendimi i saktë sepse ky mbështet nga Kurani, Sunneti dhe hulumtimet. Prova e parë për të janë fjalët e Allahut (te ala):

وَيَسْأَلُونَكَ عَنِ الْمَحِيضِ قُلْ هُوَ أَذًى فَاعْتَزِلُواْ النِّسَاء فِي الْمَحِيضِ وَلاَ تَقْرَبُوهُنَّ حَتَّىَ يَطْهُرْنَ

”Të pyesin ty për menstruacionin. Thuaj: ”Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej kontaktit seksual me gratë e juaja derisa të pastrohen.” 1

Përfundimin e ndalesës (së kontaktit seksual) Allahu e caktoi me pastrimin (nga cikli menstrual) dhe nuk e caktoi me një numër të caktuar të ditëve. Kjo dëshmon se dispozita lidhet me ekzistencën e gjakut menstrual dhe mungesën e gjakut; kur ka gjak menstrual, vlen dispozita e tij, dhe kur ai mbaron, atëherë mbaron edhe dispozita e tij.

Prova e dytë është konfirmuar në ”Sahihun” e Muslimit ku profeti i tha Aishes (radijAllahu anha) të cilës i erdhi cikli i saj mujor gjatë umres:

”Bë çdo gjë që bën haxhiu përveç tavafit rreth Qabes derisa të pastrohesh nga cikli menstrual.” Transmeton Muslimi (1211).


Bë çdo gjë që bën haxhiu përveç tavafit rreth Qabes derisa të pastrohesh nga menstruacionet.”

Ajo tha: ”U pastrova në ditën e therjes së kurbanit.” 2

Bukhariu transmeton në ”Sahihun” e tij se profeti i tha asaj:

”Prit. Kur të pastrohesh nga menstruacionet mund të shkosh në Ten’im.” 3

Profeti e caktoi përfundimin e ndalesës (së tavafit) me pastrimin nga cikli dhe nuk e caktoi me kohë të caktuar.

Dëshmia e tretë është se periudhat e përcaktuara kohore të cilat dijetarët i përmendin në këtë çështje nuk gjenden në Kuran dhe në Sunnet, pavarësisht se nevoja kërkon që kjo të sqarohet. Në qoftë se do të kishte qenë e detyrueshme për ti kuptuar ato dhe të adhurohet Allahu me to, Allahu dhe i dërguari i Tij do t’i bënin të qarta për të gjithë. Për shkak se gjykime të rëndësishme varen prej tyre, duke përfshirë namazin, agjërimin, martesën, divorcin dhe trashëgiminë. Për shembull, Allahu dhe i dërguari i Tij sqaruan numrin e namazeve, kohën e tyre, rukun dhe sexhden, dhënin e lëmoshës, pasuritë e saj, vlerën, sasinë dhe grupet e synuara, agjërimin dhe kohën dhe periudhën e tij, haxhin dhe të tjera, duke përfshirë edhe edukatën e të ngrënit, pijes, gjumit, marrëdhënieve seksuale, të ulurit, hyrjen në shtëpi, daljen nga shtëpia dhe nevojat fiziologjike duke përfshirë numrin e pastrimit pas nevojës fiziologjike dhe çështje të tjera precize dhe të qarta me të cilat Allahu e ka përkryer këtë fe dhe ka përsosur dhuntinë e Tij ndaj besimtarëve.

Allahu (te ala) ka thënë:

وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِّكُلِّ شَيْءٍ

”Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send.” 4

مَا كَانَ حَدِيثًا يُفْتَرَى وَلَكِن تَصْدِيقَ الَّذِي بَيْنَ يَدَيْهِ وَتَفْصِيلَ كُلَّ شَيْءٍ وَهُدًى وَرَحْمَةً لِّقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ

”Ai (Kurani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (librave të shenjta) dhe sqarues i çdo sendi, e edhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson.” 5

Kur është bërë e qartë se këto vlerësime dhe detaje të ciklit menstrual nuk gjenden në Kuran dhe në Sunnet, atëherë e dimë se ato nuk kanë asnjë provë dhe se cikli mujor i cili trajtohet nga vendimet e Sheriatit në vend të kësaj duhet të ndërlidhet me ekzistencën dhe mungesën. Kjo dëshmi (do të thotë që mungesa e saj në Kuran dhe në Sunnet dëshmon se ajo nuk duhet të ndikojë) do të sjell dobi ty si në këtë çështje ashtu edhe në çështje të tjera, sepse vendimet e Sheriatit konfirmohen vetëm nëpërmjet Kuranit, Sunnetit, konsensusit të njohur ose analogjisë së saktë.

Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë:

”Allahu ka lidhur disa vendime në Kuran dhe Sunnet me ciklin mujor pa përmendur minimumin e kohëzgjatjes apo kohëzgjatjen maksimale ose kohën për periudhën e pastër mes dy cikleve të dy muajve, edhe pse ky fenomen ka të bëjë me tërë umetin që janë në nevojë të madhe për këtë njohuri. Me anë të gjuhës nuk mund të bëhen dallime në mes të një periudhe dhe një tjetër. Ai që pastaj vendos një kufi ka devijuar nga Kurani dhe Sunneti. ”6

Dëshmia e katërt është analogjia e saktë. Allahu (te ala) ka thënë se gjaku menstrual është gjendje papastërtie dhe e neveritshme. Kur gjaku menstrual është ekzistues atëherë edhe papastërtia është ekzistuese. Nuk ka dallim në mes të ditës së dytë dhe të parës, mes ditës së katërt dhe të tretës sepse gjaku menstrual është gjaku menstrual dhe gjendja e papastër është gjendje e papastër. Si atëherë mund të ndryshojë gjykimi në mes të dy ditëve kur qëllimi është një dhe i njëjtë? A nuk e kundërshton kjo analogjinë e saktë? A nuk i jep analogjia e saktë të dy ditëve të njëjtin gjykimi pasi që ato kanë të njëjtin emërues të përbashkët?

Prova e pestë është se ekzistojnë mendime të ndryshme dhe kontradiktore në këtë çështje. Kjo dëshmon se nuk ka dëshmi për këtë çështje që është e detyrueshme për t’u pasuar. Ato janë vetëm gjykime të bazuara në ixhtihad që mund të jenë të sakta apo të gabuara. Asnjë mendim nuk ka më shumë të drejtë për t’u pasuar sesa tjetri. Në lidhje me mosmarrëveshjet duhet t’i referohet Kuranit dhe Sunnetit.

Kur të qartësohet se sa i fortë dhe përfshirës është mendimi që thotë se cikli mujor nuk ka periudhë minimale ose maksimale, atëherë duhet të dini se çdo gjak natyral që e sheh gruaja, dhe ai gjak nuk ka ndonjë shkak sikurse është plaga dhe të ngjashme, atëherë ky gjak është gjak menstrual pa marrë parasysh kohën apo moshën përderisa nuk është i vazhdueshëm çdoherë ose ndodhë të ndërpritet vetëm një ditë ose dy ditë në muaj, atëherë në këtë rast kjo është gjakderdhje. Gjykimet e gjakderdhjeve – nëse dëshiron Allahu – do të shpjegohen më vonë.

Shejkh-ul-Islam Ibn Tejmijjeh ka thënë:

”Në parim, çdo gjë që del nga mitra është gjak menstrual derisa të vërtetohet të jetë gjakderdhje.” 7

Ai gjithashtu ka thënë:

”Gjaku që del është gjaku menstrual për derisa nuk është gjak nga një venë apo një plagë.” 8

Ky mendim jo që vetëm është më i sakti duke pasur parasysh provat, ai është edhe më i lehtë për t’u kuptuar dhe praktikuar sesa mendimet që e kufizojnë kohën e ciklit menstrual. Prandaj është më mirë për të pasuar këtë mendim, sepse është në pajtim me shpirtin e fesë Islame, me rregullin e saj, e ai është lehtësimi.

Allahu (te ala) ka thënë:

هُوَ اجْتَبَاكُمْ وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ

”Ai ju zgjodhi ju (ju përcaktoi për të luftuar për rrugën e Tij) dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.”9

Profeti ka thënë:

”Feja është e lehtë. Askush nuk ashpërson tepër në fe vetë mse ajo e mund atë. Prandaj jini të mesëm, bëni aq sa mundeni dhe keni shpresë.”10

Nga karakteret e profetit ishte se ai gjithmonë zgjidhte alternativën më të lehtë për derisa ajo nuk ishte mëkat 11.


1 2:222.

2 Muslimi (1211).

3 Bukhari (1787).

4 16:89.

5 12:111.

6 Mexhmu-ul-Fataua (19/35).

7 Mexhmu-ul-Fataua (19/36).

8 Mexhmu-ul-Fataua (19/38).

9 22:78.

10 Bukhari (39).

11 Bukhari (6126) dhe Muslimi (2327).

Shpërndaje: