Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Mirësitë e Ramazanit

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

O muslimanë! Ju jeni tani në një muaj të bekuar, gjegjësisht muajin e Ramazanit. Gjatë këtij muaji qëndrojmë gjatë netëve dhe falim namazin. Gjatë këtij muaji, disa lirohen tërësisht nga xhehenemi dhe disa të tjerët i falë Allahu. Gjatë këtij muaji jepet sadakaja dhe veprohen vepra të tjera të mira. Gjatë këtij muaji hapen portat e xhenetit dhe veprat e mira shpërblehen shumëfish. Gjatë këtij muaji pakësohen mëkatet dhe pranohen lutjet. Njerëzit ngrihen në grada të larta dhe mëkatet falen. Gjatë këtij muaji, Allahu i begaton robërit e Tij me begati nga më të ndryshmet dhe miqve të Tij të ngushtë u jep favore të shumta. Allahu ka bërë që agjërimi gjatë këtij muaji të jetë një nga shtyllat e Islamit. I zgjedhuri i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e ka agjëruar atë dhe urdhëroi besimtarët që ta agjërojnë. Ai na tregoi se ai që agjëron dhe falet gjatë netëve me bindje të plotë dhe shpreson që të shpërblehet tek Allahu për këtë gjë, mëkatet e tij të mëparshme do t’i falen nga Allahu. Në këtë muaj është një natë (nata e kadrit) që është më e mirë se një mijë muaj. Personi i cili privohet nga mirësia e saj është një humbës i vërtetë. Mirëpriteni atë me gëzim, lumturi dhe vendosmëri që ta agjëroni atë, të faleni gjatë netëve të tij dhe të garoni në vepra të mira Allahu ju mëshiroftë.

Ramazani ka shumë mirësive dhe veçori. Ndër to, janë ajo që transmeton Imam Ahmedi nëpërmjet Ebu Hurejras (radijAllahu anhu) i cili ka treguar se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

إِذَا كَانَ أَوَّلُ لَيْلَةٍ مِنْ شَهْرِ رَمَضَانَ صُفِّدَتْ الشَّيَاطِينُ وَمَرَدَةُ الْجِنِّ ، وَغُلِّقَتْ أَبْوَابُ النَّارِ فَلَمْ يُفْتَحْ مِنْهَا بَابٌ ، وَفُتِّحَتْ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ فَلَمْ يُغْلَقْ مِنْهَا بَابٌ ، وَيُنَادِي مُنَادٍ يَا بَاغِيَ الْخَيْرِ أَقْبِلْ وَيَا بَاغِيَ الشَّرِّ أَقْصِرْ ، وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنْ النَّارِ وَذَلكَ كُلُّ لَيْلَةٍ

“Kur të jetë nata e parë e muajit të Ramazanit, shejtanët prangosen, dyert e xhehenemit mbyllet saqë asnjë nuk do të hapet, kurse do të hapen dyert e xhenetit dhe nuk do të mbyllet asnjë prej tyre. Dhe një thirrës thërret: “O dashamirës i të mirës shpejto në punë të mira dhe o ti dashamirës i të këqijave, ndalohu nga to”. Dhe çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i Xhehenemit.” [1]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) thotë:

مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ

“Kush agjëron ramazanin me bindje të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e mëhershme. (3 herë)” [2]

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë

كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ يُضَاعَفُ الْحَسَنَةُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا إِلَى سَبْعمِائَة ضِعْفٍ ، قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ : ” إِلَّا الصَّوْمَ فَإِنَّهُ لِي ، وَأَنَا أَجْزِي بِهِ ، يَدَعُ شَهْوَتَهُ وَطَعَامَهُ مِنْ أَجْلِي ، لِلصَّائِمِ فَرْحَتَانِ : فَرْحَةٌ عِنْدَ فِطْرِهِ ، وَفَرْحَةٌ عِنْدَ لِقَاءِ رَبِّهِ ، وَلَخُلُوفُ فِيهِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللَّهِ مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ

“Çdo vepër e birit të Ademit shpërblimi i shumëfishohet me dhjetëfish e deri në shtatëqind. Allahu (azze ue xhel) thotë: Përveç agjërimin, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të, (njeriu) braktis epshin, e ushqimin për Mua. Agjëruesi i ka dy gëzime: një gëzim kur të hajë iftar dhe një gëzim kur të takojë Zotin e tij, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme te Allahu sesa era e miskut.” [3]

Hadithe rreth mirësive të agjërimit të Ramazanit dhe namazit gjatë netëve të tij janë të shumta. Kështu, besimtari duhet ta shfrytëzojë këtë rast. Sepse mundësia që ta përjetoj Ramazanin është një dhuratë për të nga Allahu (azze ue xhel). Besimtari duhet të nxitojë në vepra të mira dhe të qëndrojë larg nga mëkatet dhe të veprojë atë që Allahu ka obliguar.

Kini kujdes nga çdo gjë që dëmton agjërimin, që e zvogëlon shpërblimin dhe e zemëron Zotin (azze ue xhel) sikurse është kamata, imoraliteti (zinaja), vjedhja, vrasja e padrejtë, ngrënia e pasurisë së jetimit dhe forma të tjera të padrejtësisë që ndikojnë në jetën, pasurinë dhe nderin, siç janë dredhitë, mashtrimet, mosbindja ndaj prindërve, shkëputja e lidhjeve familjare, urrejtja, konsumimi i alkoolit, konsumimi i drogës si kat (“kat” është llojë droge) dhe duhanit, përgojimi, shpifja, gënjeshtra, dëshmia e rrejshme, pretendimi i rrejshëm, betimi i rrejshëm, rruajtja dhe shkurtimi i mjekrës, lënia e mustaqeve të gjata, arroganca, veshja e burrave e cila është nën zogun e këmbëve, dëgjimi i muzikës, veshja joadekuate tek gratë, përzierja me burra dhe përngjasimi i tyre me gra jomuslimane kur është fjala për veshje apo edhe në çdo gjë tjetër që Allahu dhe i Dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem) e kanë ndaluar.

Mëkatet e lartpërmendura janë të ndaluara, pa marrë parasysh kohën dhe vendin, por edhe më keq dhe më serioze ato janë gjatë Ramazanit duke pasur parasysh kohën e begatë dhe shenjtërinë e tij. Prandaj kijeni frikë Allahun, o muslimanë, dhe qëndroni larg nga ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem) e kanë ndaluar. Bëhuni të bindur ndaj Allahut në vazhdimësi gjatë Ramazanit dhe jashtë tij. Këshilloni njëri-tjetrin në këto porosi dhe bashkëpunoni ndërmjet vete. Urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja në mënyrë që të fitoni xhenetin, lumturinë, nderin dhe shpëtimin në të dy jetët.


[1] Tirmidhiu (682), Ibn Maxheh (1642) dhe Hakimi (1532). I mirë sipas Imam Albanit në ”Sahihul-Xhami´” (759).

[2] Buhariu (1901) dhe (2014) dhe gjithashtu Muslimi (670). Hadithi transmetohet i plotë tek Tirmidhiu (683) dhe Ahmedi (10159).
[3] Buhariu (7492) dhe Muslimi (1151).

Shpërndaje: