3.Raporti i gruas së mirë me Allahun
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah, fq. 12-19
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Unë do të filloj me atë që është thënë në lidhje me cilësitë e gruas së drejtë në suren en-Nisa:
فَالصَّالِحَاتُ قَانِتَاتٌ حَافِظَاتٌ لِّلْغَيْبِ بِمَا حَفِظَ اللّهُ
“Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”4:34
Në këtë pjesë të ajetit, Allahu jep një përshkrim të plotë të të gjitha tipareve të shkëlqyeshme dhe fisnike që gruaja e drejtë duhet t’i ketë.
Ky tekst fisnik dhe i bekuar, na tregon se gruaja e drejtë zotëron dy karakteristika:
Cilësia e parë: raporti i saj me Zotin,
Cilësia e dytë: raporti i saj me bashkëshortin e saj.
Raporti i saj me Zotin shprehet qartazi në Fjalën e Allahut subhaneh:
“…të dëgjueshmet…”
Kjo do të thotë që ajo në vazhdimësi duhet t’i bindet Allahut, të kujdeset për adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut, t’i kushtojë vëmendje obligimeve të Islamit dhe të mos i lejë pas dore ato në asnjë çast.
Të gjitha këto hyjnë tek Fjalët e Allahut subhaneh:
“…të dëgjueshmet…”
Pjesa e dytë e fjalëve të Tij (subhanehu ue te ala):
“…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”
kjo do të thotë që ajo kujdeset për të drejtat e bashkëshortit të saj në fshehtësi dhe haptazi, ajo kujdeset për pasurinë e tij, në dhomën e gjumit, të drejtat e tij dhe detyrimet ndaj tij.
Pra:
“…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”
Pastaj, me suksesin e Allahut (subhanehu ue te ala) ajo mund ta përmbush këtë cilësi. Ai është i Cili ia lehtëson këtë gjë.
Prandaj, Allahu tha:
“…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”
d.m.th. se ajo nuk ka arritur ta bëjë atë për shkak se vetvetiu është e zonja, mendjemprehtë dhe e zgjuar, por sepse Allahu është Ai i Cili lejon që ajo ta bëjë këtë dhe Ai ia lehtëson.
Kjo na kujton atë që kam përmendur më herët, domethënë se mirësia dhe drejtësia është për shkak të suksesit të Allahut, lehtësimit dhe ndihmës.
Në fjalët e Allahut (subhanehu ue te ala):
“…të dëgjueshmet…”
ndër të tjerash ka për qëllim edhe gruan që kujdeset ndaj obligimeve islame.
Ka disa hadithe nga profeti ﷺ që janë transmetuar lidhur me këtë temë. Ndër të tjera, Ibn Hibbani në Sahihun e tij, e transmeton hadithin që përcillet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), se profeti ﷺ ka thënë:
“Nëse një grua fal pesë namazet farze, agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin dhe i bindet burrit të saj, do të futet në Xhenet nga cila portë që ajo dëshiron.”
Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Abdurr-Rrahman bin ‘Auf (radijAllahu anhu), se profeti ﷺ ka thënë:
“Nëse një grua fal pesë namazet farze, agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin dhe i bindet burrit të saj, i thuhet asaj: “Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
E përgëzojmë gruan myslimane për këtë premtim të çmuar dhe këtë virtyt gjithëpërfshirës dhe mirësinë që Allahu (subhanehu ue te ala) ia ka premtuar asaj.
Bëhet fjalë për katër vepra që ajo mund t’i numërojë në gishtat e njërës dorë. Nëse ajo përmbush katër vepra, i thuhet asaj në Ditën e Gjykimit:
“Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
A nuk duhet që gruaja, e cila ia dëshiron vetes të mirën, t’i kushtojë vëmendje dhe të kujdeset për këto cilësi e tipare, të kujdeset për këto veprime?
Ajo duhet të kujdeset për namazin e saj, agjërim, dëlirësinë dhe të drejtat e burrit, për të fituar këtë premtim të bekuar dhe këtë virtyt gjithëpërfshirës dhe mirësinë, në mënyrë që t’i thuhet asaj në Ditën e Gjykimit:
“Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
“Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
Baza e drejtësisë tek gruaja është në mirësinë e saj tek Zoti, kur ajo i bindet Atij, i afrohet Atij dhe kujdeset në adhurimin ndaj Tij.
Kjo drejtësi dhe ndershmëri është fshehtësia pas triumfit të saj, lumturisë dhe suksesit në jetën e saj, duke përfshirë martesën, fëmijët dhe pasardhësit e devotshëm, të bekuar, të rehatshëm e të shëndetshëm.
Prandaj, është e rëndësishme për atë që ia dëshiron vetes të mirën dhe kujdestarët të cilët ia duan vajzave të tyre të mirën, që t’i edukojnë ato në atë që është e mirë, e drejtë, e ndershme, në adhurim të duhur, në kryerje të obligimeve islame dhe në veçanti faljen e pesë namazeve dhe agjërimin e Ramazanit, duke u larguar nga çdo gjë që ndikon në dëlirësin dhe nderin e saj.
Kjo është ajo që shpjegohet në pjesën e hadithit:
“…e ruan nderin …”
Dëlirësia e ruajtur kërkohet edhe nga vetë ajo dhe nga kujdestari i saj, i cili duhet t’i mbyllë të gjitha dyert që e shkatërrojnë atë, që atë e shpien drejt së keqes dhe shkaktojnë mëkate.
Kjo është një gjë shumë madhështore, që kushdo që ia dëshiron të mirën vetes së tij, duhet të sigurohet që të rritet me të.
Ajo duhet të sigurohet që gjithmonë të jetë e bindur, ta adhurojë Allahun dhe t’i afrohet Allahut (subhanehu ue te ala) me fjalë të mira dhe të drejta dhe me veprat që e kënaqin Atë.
Nëse Allahu ia jep asaj një burrë të aftë dhe të mirë, ajo duhet t’i frikësohet Allahut lidhur me të drejtat e burrit të saj që nga fillimi i martesës.
Kjo gjë na bën që t’ua kujtojmë një gjë, në të cilën po gabojnë shumë njerëz, edhe atë me të madhe.
E ky gabim është: “Të shpenzuarit e tepërt dhe dhënia pas gjërave të liga natën e martesës.”
Kjo gjë ka pasoja shumë të mëdha dhe sjell dëme të pamohueshme. Shumë prej femrave, përqendrohen si femrat e tjera kanë vepruar kur janë martuar, duke thënë filan femra kur është martuar ka vepruar kështu, në dasmën e asaj kanë bërë këtë gjë.
Pra, në këtë formë shkon çështja deri tek shpenzimet e tepërta e të panevojshme. Kjo gjë bën që shpenzimet të jenë të mëdha, pasuria të nëpërkëmbet dhe të harxhohet pa të drejtë.
E jo rrallë raste ka që ndodhin edhe mëkate e ndalesa. Kështu qysh në fillim të martesës, shkohet tek jo bekimi, jo begatia dhe mirësia e paktë në martesë.
Në të kundërtën e kësaj, nëse femra e cila martohet dhe familja e saj qëndron larg këtyre gjërave, duke u larguar nga teprimi në shpenzime, largohen nga mëkatet dhe gjynahet përgjatë martesës, këtu realizohet mirësia dhe vetëm këtu vjen begatia.
Është një hadith autentik në Sunenin e Ebu Davudit që transmetohet nga ‘Ukbe bin ‘Amir, se profeti ﷺ ka thënë:
“Martesa më e mirë është ajo më e thjeshta.”
Në një hadith tjetër thuhet:
“Gratë më të begata janë ato të cilat janë të thjeshta në furnizim (kërkojnë pak).”
Prandaj, gratë më të mira janë gratë e thjeshta.
Prandaj, femra dhe prindërit e saj duhet të sigurohen që martesa dhe dasma të lehtësohet e jo të vështirësohet, të jenë sa më modeste e jo arrogante e të larta, e këndshme dhe e qetë e jo të kota dhe ekstravagante.
E gjithë kjo ndikon në jetën e martesës në mirësi dhe në ligësi të mëtejshme.
Nëse martesa është e thjeshtë e pa teprime, ajo është e prirë për të qenë e bekuar, e begatë dhe të ketë në të mirësi.
Nëse martesa është me teprime, luks të tepruar dhe me mëkate, këto janë disa nga arsyet kryesore që të mungojë bekimi, begatia e mirësia në martesë. Allahu na ruajt!
- april 18, 2016
- Comments are off