Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

28.I vdekuri nuk përfiton nga të qarët e të gjallit për të

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Duhet ditur se të qarët nuk i sjell dobi të vdekurit në asnjë mënyrë. E vetmja gjë që i sjell atij dobi, janë veprat e tij. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Enes bin Malik radijAllahu anhu se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

يتبع الميت ثلاث أهله و ماله و عمله فيرجع اثنان و يبقى واحد : يرجع أهله و ماله و يبقى عمله

“Të vdekurin e përcjellin tre gjëra: Familja e tij, pasuria dhe veprat e tij. Dy prej tyre kthehen dhe mbetet një, kthehet familja dhe pasuria, ndërsa mbeten veprat.”

Muslimi (1631) transmeton hadithin tjetër:

“Kur vdes biri i Ademit, veprimet e tij ndërpriten me përjashtim të tri veprave; sadakaja e vazhdueshme, dituria e dobishme (nga e cila përfitojnë njerëzit) dhe fëmija i mirë që lutet për të.”

Prandaj i vdekuri nuk përfiton nga të qarët dhe nga mërzitja e njerëzve për të.

Ibnul-Xheuzi ka thënë: “Kam parë se shumica e njerëzve mërziten shumë kur ndonjërit prej tyre u ndodh ndonjë fatkeqësi. Disa prej tyre aq e teprojnë duke u mërzitur, saqë të bën të mendosh se ata nuk e dinë arsyen e ekzistimit të kësaj bote! Njeriu me shëndet të mirë, çfarë pret tjetër veçse sëmundjes?! I rrituri i moshës mesatare, çfarë pret tjetër veçse pleqërisë?! Dhe ajo që ekziston, çfarë pret tjetër veçse mos-ekzistencës?!

Siç thotë një fjalë e urtë: “Në këtë mënyrë njerëzit kanë jetuar: bashkim dhe ndarje, vdekje dhe lindje, gëzime e pikëllime.”

Transmetohet diku në kohën e të parëve tanë të mirë, se një njeri shkoi tek njëri prej Selefëve të cilin e gjeti duke ngrënë. Posa arriti, ai i dha lajmin se vëllai i tij (këtij nikoqirit (v.p.)) kishte vdekur. Ai ia ktheu: “Ulu dhe ha, e kam dëgjuar më herët këtë që thua.” Njeriu i tha: “Si e di kur askush para meje nuk të ka treguar?” Ai u përgjigj: “Allahu (te ala) ka thënë:

كُلُّ نَفْسٍ ذَآئِقَةُ الْمَوْتِ

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” 3:185”

Shpërndaje: