30.Kapitulli (rreth qortimit) për të kërkuar shi nga yjet
Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 102-105
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdil-Uehab (rahimehullah) ka thënë:
1 – Allahu (te ala) ka thënë:
وَتَجْعَلُونَ رِزْقَكُمْ أَنَّكُمْ تُكَذِّبُونَ
”Dhe në vend të falënderimit të Allahut për rrizkun (mirësitë e furnizimin) që Ai u jep juve, ju e mohoni Atë (me mosbesim)!”1
2 – Ebu Malik el-Eshari ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
”Në umetin tim janë katër gjëra nga koha pagane që ata nuk do t’i braktisin; të krenuarit me trungun familjar, fyerja e prejardhjes, dedikimi i shiut yjeve dhe vajtimi për të vdekurin.”
Ai gjithashtu ka thënë:
“Një grua që vajton, nëse nuk pendohet para vdekjes, do të ringjallet në Ditën e Gjykimit e veshur me rroba katrani dhe një fustan me zgjebe.”2
3 – Bukhari dhe Muslimi transmetuan nga Zejd bin Khalid (radijAllahu anhu) i cili tha:
“I dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin e sabahut me ne në Hudejbije. Kishte rënë shi gjatë natës. Kur ai e mbaroi namazin u kthye nga njerëzit dhe tha: “A e dini se çfarë ka thënë Zoti juaj?” Ata thanë: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: “Ai ka thënë: “Disa nga robërit e Mi janë gdhirë duke më besuar Mua dhe disa duke më mohuar. Ai i cili tha: “Na është dhuruar shiu falë Allahut dhe mëshirës së Tij,” më besoi Mua dhe ka mohuar se atë e bënë yjet. Dhe ai që tha: “Na është dhuruar shiu falë yllit të caktuar” më ka mohuar Mua dhe ka besuar në yje.”3
4 – el-Buhariu dhe Muslimi transmetuan nga Ibn Abasi një transmetim të ngjashëm në të cilin ai thotë:
“Disa thanë: “Ra shi falë këtij e atij ylli!”, atëherë Allahu i shpalli ajetet e mëposhtme:
فَلَا أُقْسِمُ بِمَوَاقِعِ النُّجُومِ وَإِنَّهُ لَقَسَمٌ لَّوْ تَعْلَمُونَ عَظِيمٌ إِنَّهُ لَقُرْآنٌ كَرِيمٌ فِي كِتَابٍ مَّكْنُونٍ لَّا يَمَسُّهُ إِلَّا الْمُطَهَّرُونَ تَنزِيلٌ مِّن رَّبِّ الْعَالَمِينَ أَفَبِهَذَا الْحَدِيثِ أَنتُم مُّدْهِنُونَ وَتَجْعَلُونَ رِزْقَكُمْ أَنَّكُمْ تُكَذِّبُونَ
”Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve. E ai është betim i madh, sikur ta dini! Se me të vërtetë ai është Kuran i famshëm. Është në një libër të ruajtur. Atë nuk e prek kush, vetëm të pastrit (melaiket). Është i zbritur prej Zotit të botëve. A, ndaj këtij ligjërimi (Kurani) ju jeni të luhatshëm (të pavendosur)? Dhe në vend të falënderimit të Allahut për rrizkun (mirësitë e furnizimin) që Ai u jep juve, ju e mohoni Atë (me mosbesim)!”4
Shpjegimi
Allahu ka ligjësuar që t’i kërkojmë shi Atij. Lutja për shi në kohë thatësire, do të thotë përulje ndaj Allahut. Në vend të asaj që veprojnë paganët, ku ata u kërkojnë shi yjeve, lidhen me ta dhe u kërkojnë ndihmë atyre. Ata e kishin zakon që t’i kërkonin shi yjeve. Yjet janë trupat qiellorë. Dielli dhe hëna rrotullohen rreth tyre. Hëna e bën këtë për një muaj ndërsa dielli e bën këtë për një vit. Në kohët pagane, ata e kishin zakon të lidhen me to dhe t’u kërkojnë ndihmë atyre. Kjo është një shembull i idhujtarisë dhe devijimit të tyre.
1 – Allahu (te ala) ka thënë:
وَتَجْعَلُونَ رِزْقَكُمْ أَنَّكُمْ تُكَذِّبُونَ
”Dhe në vend të falënderimit të Allahut për rrizkun (mirësitë e furnizimin) që Ai u jep juve, ju e mohoni Atë (me mosbesim)!”
D.m.th. ju përgënjeshtroni se është Allahu që ka bërë të bjerë shi dhe ju ka ndihmuar juve. Në vend të kësaj ju u luteni yjeve dhe u kërkoni ndihmë atyre. D.m.th. si pasojë ata e përgënjeshtruan Allahun, sepse këto yje as nuk sjellin dobi, as dëm e as nuk mund të disponojnë diçka lidhur me krijesat. Prandaj, është obligim për besimtarët që të besojnë në atë që është transmetuar nga profeti ﷺ, të praktikojnë atë dhe t’u shmangen praktikave të kohës pagane. Shembuj të këtyre praktikave janë:
2 – Ebu Malik el-Eshari ka transmetuar se profeti ﷺ ka thënë:
”Në umetin tim janë katër gjëra nga koha pagane që ata nuk do t’i braktisin; të krenuarit me trungun familjar, fyerja e prejardhjes, dedikimi i shiut yjeve dhe vajtimi për të vdekurin.”
Njerëzit gjithmonë do t’i praktikojnë këto gjëra dhe do të imitojnë kufarët, duke përfshirë:
1 – Të krenuarit me trungun familjar. Kjo do të thotë të krenohet me babain, të sillet me mendjemadhësi ndaj të tjerëve, dhe të argumentohet me trungun familjar për të justifikuar të kotën e tij. E gjithë kjo i referohet tipareve të parëve sikurse trimërisë dhe bujarisë. Këto janë tipike të kohës pagane. Një njeri ngrihet në gradë për shkak të veprave të tij dhe jo me veprat e të tjerëve.
2 – Fyerja e prejardhjes. Kjo do të thotë të fyej një person për shembull se ai është një marangoz ose farkëtar, të flitet në mënyrë denigruese për të. Megjithatë, nëse ai e tregon se çfarë pozite ka duke pasur për qëllim informimin, atëherë kjo është në rregull.
3 – Dedikimi i shiut yjeve. Ata ose thonë se atyre u është dhënë shi falë një ylli të veçantë, ose i kërkojnë shi atij direkt.
4 – Vajtimi. Kur një person vdes ato bërtasin, grisin rrobat, shkulin flokët dhe hedhin rërë në veten e tyre. Kjo praktikohet madje edhe në mesin e disa muslimanëve. Është e detyrueshme për të paralajmëruar kundër këtij veprimi dhe për ta luftuar atë. I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Ai që godet veten, gris rrobat dhe lutet si në kohën pagane, nuk na përket ne.”5
Ai ﷺ gjithashtu thotë:
”Unë distancohem nga gruaja që ngre zërin e saj në rast të fatkeqësive, që i rruan flokët e saj, dhe i gris rrobat e saj.”6
Ai ﷺ ka thënë:
”Një grua që vajton, nëse nuk pendohet para vdekjes, do të ringjallet në Ditën e Gjykimit e veshur me rroba katrani dhe një fustan me zgjebe.”
Zakonisht gratë vajtojnë. Prandaj profeti ﷺ e përmendi gruan. Është e mundur që edhe burri të vajtoj. Vërtetë vajtimi është i ndaluar për burrat dhe gratë. Katrani përmendet pjesërisht për shkak se ai ndezët më fuqishëm dhe pjesërisht për shkak se ai është më lëndues. Në mënyrë të ngjashme, fustani prej zgjebe është i bezdisshëm. Kjo dëshmon për përfundimin e saj të tmerrshëm nëse ajo nuk pendohet.
Çështje: Është në rregull për të mos u martuar me një grua që nuk vjen nga një familje e shquar edhe nëse është fetare, nëse burri ka frikë se familja e tij do ta bezdisin atë. Kushti është që ai të mos i injoroj ata nga nënçmimi dhe përbuzja.
Një mësim: Në disa fshatra ata therin kurban mbi majat e maleve për të rënë shi. Kjo është një idhujtari e madhe sepse kjo është një therje e përkushtuar xhinëve, gurëve apo statujave. Ndoshta atyre me të vërtetë u dhurohet shi, por kjo është vetëm një sprovë për ta.
3 – Bukhari dhe Muslimi transmetuan nga Zejd bin Khalid (radijAllahu anhu) i cili tha:
”I dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin e sabahut me ne në Hudejbije. Kishte rënë shi gjatë natës. Kur ai e mbaroi namazin u kthye nga njerëzit dhe tha: ”A e dini se çfarë ka thënë Zoti juaj?” Ata thanë: ”Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë.” Ai tha: ”Ai ka thënë: ”Disa nga robërit e Mi janë gdhirë duke më besuar Mua dhe disa duke më mohuar. Ai i cili tha: ”Na është dhuruar shiu falë Allahut dhe mëshirës së Tij,” më besoi Mua dhe ka mohuar se atë e bënë yjet. Dhe ai që tha: ”Na është dhuruar shiu falë yllit të caktuar” më ka mohuar Mua dhe ka besuar në yje.”
I dërguari i Allahut ﷺ e kishte zakon që pas namazit t’i kërkonte falje Allahut tre herë dhe të thotë:
اللَّهُمَّ أَنْتَ السَّلاَمُ وَمِنْك السَّلاَمُ تَبَارَكْتَ يَا ذَا الْجَلاَلِ وَالإِكْرام
“O Allah! Ti je Paqëdhënësi dhe prej Teje vjen paqja. I Lartësuar je Ti, Posedues i Madhështisë dhe Nderit.”
Pastaj kthehej nga njerëzit dhe lexonte pjesën tjetër të lutjeve.
Njerëzit thanë:
”Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri.”
Kjo ishte edukata e bukur e sahabëve (radijAllahu anhum). Pas vdekjes së profetit ﷺ thuhet vetëm ”Allahu e di më së miri.” Sepse shpallja ka mbaruar. Profeti ﷺ nuk e di se çfarë ndodh pasi të ketë vdekur. Dëshmi për këtë është hadithi për pellgun. Përjashtimi i vetëm është ajo që Allahu i lejon atij që të marr pjesë sikurse salavatet që i dërgohen atij ﷺ.
Allahu (azze ue xhel) tha:
“…më besoi Mua dhe ka mohuar se atë e bënë yjet.”
Sepse ai e di se është Allahu që lejon shiun të bjerë. Shiu i takon mëshirës dhe mirësive të Allahut.
Allahu (tebareke ue te ala) tha:
“Dhe ai që tha: ”Na është dhuruar shiu falë yllit të caktuar…”
Kjo është një formë e mosbesimit. Nuk duhet të thuhet se një trup qiellor i caktuar kishte të drejtë, ose se ka rënë shi falë tij. Ai duhet të thotë:
”Na është dhuruar shiu falë Allahut dhe mëshirës së Tij.”
Nëse dikush thotë se ka rënë shi falë një trupi qiellor të caktuar, thotë se trupat qiellor kanë krijuar shiun dhe e zotërojnë atë, kështu që ky është mosbesim i madh. Edhe nëse ai thotë se trupi qiellor është shkak për shi, kështu që është mosbesim i vogël, sepse ai beson se është Allahu (te ala) i cili e krijoi shiun dhe jo trupi qiellor. Ylli është një trup në të cilin ndodhin dukuritë sikurse që ndodhin në ditët dhe netët. Megjithatë, është në rregull për të thënë se, për shembull, ka pasur shi gjatë verës, sepse ky është informim për kohën. Pra sikurse u tha, është e detyrueshme të ruhemi nga tiparet e kohës pagane dhe të njohim dhe pranojmë se mirësitë janë vetëm prej Allahut (subhaneh).
1 El-Uakiah 56:82.
2 Muslimi (934).
3 Bukhari (1038) dhe Muslimi (71).
4 56:75-82
5 Bukhari (1294) dhe Muslimi (103).
6 Bukhari me një zinxhir të redaktuar dhe Muslimi (104).
- mars 25, 2016
- Comments are off