Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

51.Leximi në sunnetin e sabahut

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 97-98

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Kur profeti fali dy rekate para sabahut i fali ato shumë të shkurtëra1. Aishah -radijAllahu anha- ka thënë:

”Nuk e di a lexoi profeti El-Fatihan në to?”2

Ndonjëherë ai lexonte në rekatin e parë pas sures El-Fatihah:  

”Ju (muslimanë) thuani: “Ne besojmë Allahun dhe atë që na është dërguar neve dhe në atë që i është zbritur Ibrahimit, edhe Ismailit, edhe Is’hakut, edhe Jakubit edhe El-Esbat (dymbëdhjetë bijve të tij), edhe në atë që i është dhënë Musait, edhe Isait, edhe në çfarë u është dhënë të gjithë Pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre dhe Vetëm Atij (Zotit që ata adhuronin) ne i jemi nënshtruar si muslimanë në Islam.”3

dhe në rekatin e dytë:

“Thuaj (O Muhammed): “O ithtarë të librave të para! (jehudi e nasara): Ejani te një fjalë që është e drejtë dhe e përbashkët mes nesh dhe jush: që të mos adhurojmë askënd përveç Allahut, që të mos i vëmë ortak Atij në adhurim, dhe që asnjë prej nesh të mos marrë të tjerë për zot përveç vetëm Allahut.” Pastaj në qoftë se ata largohen, thuaju: “Dëshmoni për ne se jemi muslimanë.”4,5

Po ashtu mund të ndodhte që ai të lexonte:

”Atëherë kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim, tha: “Cilët do të jenë ndihmuesit e mi në çështjen e Allahut?” Hauarijunët e tij thanë: “Ne jemi ndihmësit e Allahut; ne besojmë Allahun dhe dëshmo se vërtetë jemi muslimanë.6,7

Ndonjëherë ai lexonte suren ”El-Kafirun” në rekatin e parë dhe suren ”El-Ikhlas” në rekatin e dytë.8 Ai e kishte zakon të thoshte:

”Sa të mira janë këto dy sure!”9

Kur ai dëgjoi një burrë duke lexuar suren e parë në rekatin e parë, ai tha:

”Ky është një rob që i beson Zotit të tij.”

Kur ai pastaj e dëgjoi atë duke lexuar suren e dytë në rekatin e dytë, ai tha:

”Ky është një rob që e njeh Zotin e tij.”10


1 Ahmedi me një zinxhir të mirë transmetimi.

2 Bukhari dhe Muslimi.

3 2:136.

4 3:64.

5 Muslimi, Ibn Khuzejmeh dhe Hakimi.

6 3:52.

7 Muslimi dhe Ebu Daudi.

8 Muslimi dhe Ebu Daudi.

9 Ibn Maxheh dhe Ibn Khuzejmeh.

10 Tahaui, Ibn Hibani në ”Es-Sahih” dhe Ibn Bishran. I mirë sipas Hafidh Ibn Haxherit në “El-Ahadith El-‘Alijeh (16)”.

Shpërndaje: