“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

30.Observim rreth fjalës “interpretim”

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Nisur nga ajo që thamë më lart na bëhet e ditur se kemi 3 kuptime të fjalës ”teuil” (interpretim):

1- Shpjegim dhe sqarim. Ky është kuptimi sipas shumicës së dijetarëve të tefsirit dhe këtu përfshihet dhe fjala e të dërguarit të Allahut kur thotë për Ibn Abbasin:

اللهم فقهه في الدين ، وعلمه التأويل

“O Allah, jepi atij kuptim në fe dhe mësoja atij teuilin (d.m.th  shpjegimin dhe sqarimin).’’

Ky kuptim i fjalës ”teuil’’ është i njohur në mesin e dijetarëve në lidhje me ajetet ku përmenden cilësitë e Allahut dhe ajetet e tjera përveç tyre.

2 – Kuptimi i dytë është realiteti i diçkaje. Ky është nga kuptimet e njohura të fjalës ”teuil” siç është përdorur në Kuran dhe sunnet, si p.sh kur thotë Allahu (te ala):

هَلْ يَنْظُرُونَ إِلَّا تَأْوِيلَهُ

“A mos vallë ata presin ndonjë gjë tjetër përveç teuilit (d.m.th realizimin konkret të tij, ardhjen e dënimit)?” 7:53

apo në ajetin tjetër:

ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

”Kjo është më e dobishmja dhe teuili më i mirë, d.m.th përfundimi më i mirë.” 4:59

Dhe interpretimi i ajeteve të cilësive të Allahut me këtë kuptim, pra se si janë ato në thelb dhe se si është realiteti i tyre, dija për këtë i takon veçse Allahut.

3 – Kuptimi i tretë i fjalës ”teuil” është ndryshimi i fjalës nga aparenca e saj në një kuptim tjetër, të ndryshëm nga ai tekstual. Kjo terminologji është përdorur nga të mëvonshmit prej pasuesve të Ehlul Kelamit dhe të tjerë përveç tyre dhe ndahet më tej në 2 kategori, njëra kategori është e saktë ndërsa tjetra është e pasaktë (e pavlefshme).

Kategoria e saktë është atëherë kur ka argument për ndryshimin e kuptimit të fjalës nga aparenca e saj në një kuptim tjetër të ndryshëm nga ai tekstual, si p.sh në ajetin:

فَإِذَا قَرَأْتَ ٱلْقُرْءَانَ فَٱسْتَعِذْ بِٱللَّهِ مِنَ ٱلشَّيْطَٰنِ ٱلرَّجِيمِ

“Kur të lexosh Kuran, kërko mbrojtjen e Allahut prej djallit të mallkuar.” 16:98

D.m.th. bëje këtë kur të duash të lexosh Kuranin.

Sa i përket kategorisë së pasaktë është ajo kategori kur nuk ka argument për ndryshimin e kuptimit të fjalës nga aparenca e saj në një kuptim tjetër si p.sh ndryshimi i kuptimit të ”isteuasë’’ (lartësimit të Allahut mbi arsh) në ”mbizotërimi (mbisundimi) i arshit’’ ose p.sh dora e Allahut ka për qëllim ”fuqinë’’ dhe ”mirësinë’’ apo deformime të këtij lloji.

Është transmetuar nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) se ka thënë:

”Kurani interpretohet në katër mënyra: një interpretim që arabët e kuptojnë përmes gjuhës së tyre, një interpretim për të cilin askujt nuk i lejohet që të jetë i paditur në lidhje me të, një interpretim që e dinë dijetarët dhe një interpretim që e di vetëm Allahu; ai që pretendon se e di atë gënjen.”

1 – Interpretimi që arabët e kuptojnë përmes gjuhës së tyre e që është shpjegimi i shprehjeve gjuhësore. Shembuj të kësaj janë domethënia e fjalës القرء d.m.th cikël menstrual apo ’’nemarik’’ (النمارق) d.m.th mbështetës, jastëk etj. apo ’’El-Kehf’’ (الكهف) d.m.th shpellë dhe të ngjashme si këto.

2 – Interpretimi për të cilën askujt nuk i lejohet që të jetë i paditur në lidhje me të: Kihen për qëllim ajetet ku çdonjëri është i obliguar për diturinë rreth tyre dhe që përfshijnë çështjet e akides dhe ibadetet që duhet të veprohet sipas tyre. Shembuj të kësaj janë njohja e Allahut nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij, dituria rreth ditës së gjykimit, abdesit, namazit, zekatit e kështu me radhë.

3 – Interpretimi që e dinë dijetarët por që është i panjohur për të tjerët dhe që është e mundur të arrihet njohja rreth tyre sikurse është njohja e shkaqeve të zbritjes së ajeteve, ajetet e abroguara dhe abroguese, ato të përgjithshme dhe të veçanta, ajetet e qarta dhe ato të paqarta etj.

4 – Interpretimin që e di vetëm Allahu. Ky është realiteti i asaj që Allahu na ka lajmëruar për veten e Tij dhe për ditën e gjykimit. Ne i kuptojmë ato por nuk e dimë se si është realiteti i tyre. Për shembull, e kuptojmë lartësimin e Allahut mbi arsh por nuk e dimë mënyrën se si ka ndodhur kjo gjë në realitet. Gjithashtu i kuptojmë frutat e ndryshme si p.sh. mjalti, uji, qumështi dhe gjërat e tjera për të cilat Allahu na ka lajmëruar që janë në xhennet. Megjithatë, ne nuk e dimë se si ato janë në të vërtetë.

Allahu (te ala) ka thënë:

فَلَا تَعْلَمُ نَفْسٌ مَا أُخْفِيَ لَهُمْ مِنْ قُرَّةِ أَعْيُنٍ جَزَاءً بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ

”Askush nuk di për atë kënaqësi që u është caktuar atyre si shpërblim për atë që kanë vepruar.” 32:17

Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma) ka thënë:

”Gjërat e kësaj bote me ato që janë në xhenet vetëm emrin e kanë të përbashkët.” 2

Me anë të kësaj bëhet e qartë se Kurani përmban ajete teuilin e të cilave e di vetëm Allahu siç është realiteti i emrave dhe cilësive të Tij dhe ato për të cilat na ka lajmëruar Allahu në lidhje me ditën e gjykimit. Ndërsa kuptimin e tyre ne e dijmë (por jo realitetin e tyre), përndryshe do të ishte e pakuptimtë të përmendeshin dhe Allahu e di më së miri.


1 Bukhari (143) dhe Muslimi (2477).

2 Shih ”ez-Zuhd” (1/51/8) nga Hannad dhe ”Tefsir el-Kuran el-Adhim” (1/64) nga Ibn Kethiri.

Shpërndaje:

Dela på facebook
Dela på whatsapp
Dela på telegram