Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

29.Allahu vepron atë që do, andaj mos u brengos!

Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi 

Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 53-54
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Nëse shohim të gjitha artikujt në të cilët kemi folur më herët në lidhje me këtë temë (mbi fatkeqësitë dhe si duhet trajtuar ato (v.p.)), kuptojmë se argumentet e cekura janë të mjaftueshme për ta kuptuar ashtu siç duhet çështjen në fjalë. Si mund të mos jenë veprimet e cekura të ndaluara, kur ato e hidhërojnë Allahun, i Cili vepron atë që do dhe gjykon ashtu siç ai dëshiron? Allahu është Ai që vepron me krijesat e tij ashtu siç do, duke u sjellë atyre vdekjen, mbytjen në ujë, djegien në zjarr e sprova të tjera të cilat i ka caktuar për njerëzit. Ai nuk duhet të pyetet se çfarë vepron kurse njerëzit do të pyeten për veprat e tyre. Të gjitha veprat e ndaluara në lidhje me trajtimin e fatkeqësive, siç janë: vajtimin, grisja e rrobave, rrahja e vetes, shkulja e flokëve, veshja me të zeza, mallkimi, mjerimi dhe veprime e fjalë të tjera të ngjashme; nuk i japin njeriut asnjë zgjidhje, vijnë në kundërshtim me atë që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ kanë urdhëruar, vijnë në kundërshtim me durimin, të kënaqurit me atë që Allahu ka caktuar për njeriun dhe tek e fundit, këto veprime nuk ndikojnë aspak në caktimin e Allahut dhe se asgjë prej këtyre veprave nuk mund ta rikthej prapa atë.

Kam dëgjuar se, kur disa prej njerëzve që i njoh ishin sprovuar me fatkeqësi, u bënë shumë merak dhe u hidhëruan për së tepërmi për shkak të ndodhive që u kishin ndodhur. Kjo gjë u solli atyre sëmundje dhe fatkeqësi të tjera. Prandaj, kur i sprovuari ndalet dhe mendon, zmbrapset nga të gjitha ato reagime të liga që i ka bërë për shkak të fatkeqësisë, mbështetet tek Allahu ashtu siç duhet, e kupton se lumturia në dynja dhe ahiret arrihet vetëm duke pasuar të dërguarin e Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe në rastin në fjalë, i përmbahet mësimeve të tij ﷺ në trajtimin e fatkeqësisë, i lë anash të gjitha veprimet dhe fjalët e ndaluara, -nuk ka asgjë të keqe nëse syri i loton dhe zemra mërzitet, por nuk thotë asgjë që e hidhëron Allahun-, dhe i bindet porosive të tij ﷺ, pra në fjalë e vepra, mu atëherë do ta arrij lumturinë e përhershme. Allahu (azze ue xhel) thotë:

وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا

“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” El-Hashr, 59:7

Shpërndaje: