Autor: Imam Muhammed bin Abdul-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 105-107
Përktheu: Valdet Gashi
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
وَمِنَ النَّاسِ مَن يَتَّخِذُ مِن دُونِ اللّهِ أَندَاداً يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللّهِ وَالَّذِينَ آمَنُواْ أَشَدُّ حُبًّا لِّلّهِ
”E nga njerëzit ka të atillë që adhurojnë të tjerë përveç Allahut, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë, i duan ata sikurse e duan Allahun, por ata që besojnë e duan shumë më tepër Allahun.” El-Bekare, 2:165
2 –
قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَآؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُم مِّنَ اللّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُواْ حَتَّى يَأْتِيَ اللّهُ بِأَمْرِهِ وَاللّهُ لاَ يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
”Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e shthurur.” Teube, 9:24
3 – Enesi transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Askush prej jush nuk ka besuar derisa unë të jem për të më i dashur se babai i tij, se biri i tij dhe se të gjithë njerëzit e tjerë.“
Transmetuar nga Bukhari (15) dhe Muslimi (44).
4 – Enesi -radijAllahu anhu- ka treguar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ai tek i cili gjenden këto tre cilësi ka shijuar ëmbëlsinë e besimit; Që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo tjetër, dhe të dojë dikë vetëm për hir të Allahut, dhe të urrejë të kthehet në kufër pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij sikurse urren të hidhet në zjarr.”
Transmeton Bukhari (16) dhe Muslimi (43).
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Askush nuk do të shijojë ëmbëlsinë e besimit derisa…” Bukhari (6041).
5 – Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Ai që do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, ka miqësi për hir të Allahut dhe armiqëson për hir të Allahut, arrin mbrojtjen e Allahut në këtë mënyrë. Robi nuk do të shijojë ëmbëlsinë e besimit përderisa nuk është i tillë edhe pse falet dhe agjëron shumë. Shumica e njerëzve kanë vëllazëri për qëllime materiale (dynjaje) që nuk do tu sjellin dobi asgjë.”
Transmeton Ibn Xheriri.
6 – Ibn Abbasi tha lidhur me fjalët e Allahut -te ala-:
إِذْ تَبَرَّأَ الَّذِينَ اتُّبِعُواْ مِنَ الَّذِينَ اتَّبَعُواْ وَرَأَوُاْ الْعَذَابَ وَتَقَطَّعَتْ بِهِمُ الأَسْبَابُ
”Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.” El-Bekare, 2:165
”Do të thotë dashuria që kanë për njëri-tjetrin.”
Shpjegimi
1 – Allahu -te ala- ka thënë:
وَمِنَ النَّاسِ مَن يَتَّخِذُ مِن دُونِ اللّهِ أَندَاداً يُحِبُّونَهُمْ كَحُبِّ اللّهِ وَالَّذِينَ آمَنُواْ أَشَدُّ حُبًّا لِّلّهِ
”E nga njerëzit ka të atillë që adhurojnë të tjerë përveç Allahut, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë, i duan ata sikurse e duan Allahun, por ata që besojnë e duan shumë më tepër Allahun.”
Ky kapitull ka të bëjë me dashurinë ndaj Allahut e cila është një nga adhurimet më të rëndësishme dhe më të mira, dhe është themeli i fesë sepse dashuria ndaj Allahut kërkon që ta adhurosh Allahun sinqerisht, që t’i nënshtrohesh urdhrave të Tij dhe t’i nënshtrohesh ndalesave të Tij.
Ajeti dëshmon se ka njerëz që adhurojnë të tjerë karshi Allahut sikurse xhinët, njerëzit dhe gurët. Ata i adhurojnë ata me dashuri të vërtetë që në fakt duhet t’i kushtohet vetëm Allahut. Ata i duan idhujt e tyre sikurse e duan Allahun ose sikurse besimtarët e duan Allahun. Këta njerëz janë të devijuar sepse i duan të tjerët karshi Allahut, përulen para tyre dhe u luten atyre. Dashuria ndaj të tjerëve përveç Allahut duhet të jetë në pasim të dashurisë ndaj Allahut. P.sh. ne i duam të dërguarit sepse ata janë të dërguarit e Allahut por ne nuk i adhurojmë ata me këtë dashuri. E njëjta gjë vlen edhe me besimtarët, ne i duam ata sepse ata i binden Allahut dhe prandaj i mbështesim ata. Ndërsa dashuria në formën e nënshtrimit dhe adhurimit lejohet t’i kushtohet vetëm Allahut. Askush tjetër nuk lejohet të merr pjesë të saj. Adhuruesit e idhujve ua kushtojnë këtë dashuri idhujve të tyre. Disa prej tyre kanë guxim të betohen rrejshëm në Allahun por jo në idhujt e tyre dhe në dijetarët e tyre për shkak se mendojnë se ata hakmerren më ashpër dhe më shpejt se Allahu.
Allahu -te ala- ka thënë:
وَالَّذِينَ آمَنُواْ أَشَدُّ حُبًّا لِّلّهِ
”por ata që besojnë e duan shumë më tepër Allahun.”
Dashuria e tyre është më e fortë se dashuria e idhujtarëve që e kanë për idhujt e tyre sepse besimtarët e adhurojnë vetëm Allahun dhe i njohin të drejtat e Tij -te ala-.
Allahu -te ala- ka thënë:
وَلَوْ يَرَى الَّذِينَ ظَلَمُواْ إِذْ يَرَوْنَ الْعَذَابَ أَنَّ الْقُوَّةَ لِلّهِ جَمِيعاً وَأَنَّ اللّهَ شَدِيدُ الْعَذَابِ
”Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se Allahu është i Rreptë në ndëshkim.” El-Bekare, 2:165
Sikur të shihnin ata do ta kishin dashur Allahun më shumë, e kishin nderuar dhe adhuruar vetëm Atë. Megjithatë, injoranca e tyre dhe të kuptuarit e mangët i ka shtyrë të bien në idhujtari.
Allahu -te ala- ka thënë:
إِذْ تَبَرَّأَ الَّذِينَ اتُّبِعُواْ مِنَ الَّذِينَ اتَّبَعُواْ وَرَأَوُاْ الْعَذَابَ وَتَقَطَّعَتْ بِهِمُ الأَسْبَابُ
”Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.”
Kur miqtë e Allahut dhe të dërguarit që adhuroheshin e shohin dënimin, ata heqin dorë nga adhurimi që ia bënin atyre. Ata do të thonë:
تَبَرَّأْنَا إِلَيْكَ مَا كَانُوا إِيَّانَا يَعْبُدُونَ
”Ne deklarohemi të pafajshëm para Teje; ata nuk na kanë adhuruar ne”.” El-Kasas, 28:63
Për sa i përket dashurisë natyrore si dashuria ndaj ushqimit, grave dhe fëmijëve, kjo nuk e zvogëlon dashurinë ndaj Allahut për derisa asaj nuk i jepet përparësi para dashurisë ndaj Tij. Nëse ajo është aq e fortë sa që personi i bindet gruas së tij në një mëkat atëherë kjo dashuri ia zvogëlon besimin e tij aq sa i ka dhënë përparësi asaj para dashurisë ndaj Allahut. Prandaj kjo dashuri duhet të jetë e frenuar sipas librit të Allahut.
3 – Enesi transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Askush prej jush nuk ka besuar derisa unë të jem për të më i dashur se babai i tij, se biri i tij dhe se të gjithë njerëzit e tjerë.”
Transmetuar nga Bukhari (15) dhe Muslimi (44).
Kjo dëshmon se është e detyrueshme që ta duash të dërguarin e Allahut ﷺ siç duhet në mënyrë që ta pasosh atë dhe t’i bindesh atij në atë që urdhëron dhe ndalon. Megjithatë, dashuria ndaj tij ﷺ nuk lejohet të jetë adhurim; ajo duhet të jetë në përputhje me dashurinë ndaj Allahut.
4 – Bukhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Enesi -radijAllahu anhu- ka treguar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ai tek i cili gjenden këto tre cilësi ka shijuar ëmbëlsinë e besimit; Që Allahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo tjetër, dhe të dojë dikë vetëm për hir të Allahut, dhe të urrejë të kthehet në kufër pasi që Allahu e ka shpëtuar prej tij sikurse urren të hidhet në zjarr.”
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Askush nuk do të shijojë ëmbëlsinë e besimit derisa…”
Kjo dëshmon se dashuria ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij ﷺ duhet të vijë para dashurisë së etërve, fëmijëve, pasurisë dhe çdo gjëje tjetër. Prandaj personi duhet t’i bindet Allahut dhe të kryej urdhrat e Tij edhe pse ato nuk pajtohen me dëshirat e birit të tij, gruas së tij apo dikujt tjetër.
Allahu -te ala- ka thënë:
قُلْ إِن كَانَ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَآؤُكُمْ وَإِخْوَانُكُمْ وَأَزْوَاجُكُمْ وَعَشِيرَتُكُمْ وَأَمْوَالٌ اقْتَرَفْتُمُوهَا وَتِجَارَةٌ تَخْشَوْنَ كَسَادَهَا وَمَسَاكِنُ تَرْضَوْنَهَا أَحَبَّ إِلَيْكُم مِّنَ اللّهِ وَرَسُولِهِ وَجِهَادٍ فِي سَبِيلِهِ فَتَرَبَّصُواْ حَتَّى يَأْتِيَ اللّهُ بِأَمْرِهِ وَاللّهُ لاَ يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
”Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e shthurur.”
Kjo dëshmon se e ke obligim t’i japësh përparësi xhihadit të ligjësuar para dëshirave tua dhe të farefisit tënd. Përndryshe përfshihesh nga kërcënimi:
فَتَرَبَّصُواْ حَتَّى يَأْتِيَ اللّهُ بِأَمْرِهِ وَاللّهُ لاَ يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
”…atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e shthurur.”
Kjo rezulton në një besim të plotë. Është e detyrueshme që të urrejmë mosbesimin dhe kufarët, dhe ta konsiderojmë atë të kotë. Profeti ﷺ ka thënë:
“7 persona do të jenë nën hijen e Allahut në ditën kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij:
1- Prijësi i drejtë.
2- I riu që rritet me adhurimin e Allahut.
3- Personi që zemrën e tij e ka të lidhur me xhamitë.
4- Dy persona që u deshën për hir të Allahut, i bashkoi dhe i ndau dashuria për hir të Tij.
5- Personi të cilin e fton (për të bërë zina) një grua me pozitë dhe e bukur, e ai i thotë: “Unë i frikësohem Allahut”.
6- Personi që jep sadakë (lëmoshë) dhe e fsheh atë saqë dora e tij e majtë nuk e di se çfarë dha dora e tij e djathtë.
7- Personi që përkujton Allahun kur është vetëm dhe sytë i lotojnë.”
Transmeton Bukhari (660) dhe Muslimi (1031).
Vini re “Dy persona që u deshën për hir të Allahut, i bashkoi dhe i ndau dashuria për hir të Tij“.
5 – Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Ai që do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, ka miqësi për hir të Allahut dhe armiqëson për hir të Allahut, arrin mbrojtjen e Allahut në këtë mënyrë. Robi nuk do të shijojë ëmbëlsinë e besimit përderisa nuk është i tillë edhe pse falet dhe agjëron shumë. Shumica e njerëzve kanë vëllazëri për qëllime materiale (dynjaje) që nuk do tu sjellin dobi asgjë.”
Transmetuar nga Ibn Xheriri.
Shija e besimit është ëmbëlsia e besimit. Kjo dëshmon se mbrojtja e Allahut arrihet përmes dashurisë dhe urrejtjes për hir të Allahut.
Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- ka thënë:
”Robi nuk do të ndjej ëmbëlsinë e besimit përderisa ai nuk është i tillë…”
Do të thotë për derisa sa ai nuk do dhe urren për hir të Allahut.
Ai tha:
“Shumica e njerëzve kanë vëllazëri për qëllime materiale (dynjaje) që nuk do tu sjellin dobi asgjë.”
Ashtu ishte në kohën e tij -radijAllahu anhuma- njerëzit karakterizoheshin nga dashuria dhe urrejtja për qëllime të kësaj bote. Kjo është e rrezikshme. Kjo nuk u sjell dobi atyre. Kjo madje edhe mund t’i dëmtojë ata në qoftë se i largon nga e vërteta dhe shkakton që të kundërshtojnë librin e Allahut. Megjithatë, nuk ka të keqe që të punosh lidhur me gjërat e kësaj bote si në tregti dhe të punosh për të arritur furnizimin për të pasur mundësi që t’i bindesh Allahut për derisa kjo nuk do të dëmtojë besimin tënd dhe nuk të shkakton mëkate.
6 – Ibn Abbasi tha lidhur me fjalët e Allahut -te ala-:
إِذْ تَبَرَّأَ الَّذِينَ اتُّبِعُواْ مِنَ الَّذِينَ اتَّبَعُواْ وَرَأَوُاْ الْعَذَابَ وَتَقَطَّعَتْ بِهِمُ الأَسْبَابُ
”Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.”
”Do të thotë dashuria që kanë për njëri-tjetrin.”
Do të thotë dashuria që nuk është në përputhje me fenë e Allahut. Ajo do të pushojë në ditën e gjykimit, do t’i tradhtojë ata dhe do të shndërrohet në armiqësi.