Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

33.Prishja e agjërimit nafile për hir të gostisë

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com 

Lejohet të prishet agjërimi nëse është nafile, veçanërisht nëse ftuesi insiston. Kjo vërtetohet nga disa hadithe, disa prej të cilëve janë:

1 – Profeti ﷺ ka thënë:

“Nëse ndonjëri prej jush ftohet në gosti, duhet t’i përgjigjet ftesës, nëse dëshiron të hajë, le të hajë, e nëse nuk dëshiron, të mos hajë.”1

2 – Profeti ﷺ ka thënë:

Ai që agjëron nafile vendos për veten e tij, nëse dëshiron agjëron e nëse jo e prish agjërimin.”2

3 – Aishah -radijAllahu anha- ka thënë:

“Një ditë, i dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë dhe tha: 

“A ka diçka për të ngrënë?” 

Iu përgjigja: “Nuk ka.” 

Pasi kaloi një pjesë e ditës më sollën një ushqim prej hurmave, djathit dhe gjalpit. 

Një pjesë të ushqimit ia lashë të dërguarit të Allahut, ai e pëlqente shumë këtë ushqim. 

I thash: “O i dërguari i Allahut, më kanë sjell qull të hurmave të cilin e kam ruajtur për ty.” 

Ai ﷺ tha: “Ma sjell, me të vërtetë kam gdhirë duke qenë agjërues.” 

Ai hëngri dhe tha:

“Shembulli i agjërimit nafile është sikurse shembulli i njeriut i cili prej pasurisë së tij ka ndarë një pjesë për sadaka, nëse dëshiron e dhuron, nëse nuk dëshiron nuk e dhuron.”3


1 Transmeton Muslimi, Ahmedi (3/392), Abd bin Humejd në el-Muntakhab (1/116) dhe Tahaui në el-Mushkil (4/148) dhe Tirmidhi (718).

En-Neueui ka thënë: “Nëse agjërimi i tij është vullnetar dhe ftuesit nuk i vjen mirë që ai të agjërojë, është më mirë që ai ta prishë atë.”

Të njëjtën gjë tha Ibn Tejmijeh në “Mexhmu-ul-Fetaua (4/143)”.

2 Transmeton Nesai në “el-Kubra (2/64)”, Hakimi (1/439) dhe el-Bejhaki (4/276) përmes Simak bin Harb, nga Ebu Salih, nga Ummu Hani, nga profeti ﷺ. El-Hakim tha se zinxhiri i transmetimit është i saktë dhe Dhehebi e mbështeti në këtë gjykim. Përfundimi i tyre është i saktë sepse Simak nuk është i vetëm në transmetimin e hadithit. Shu’beh tregoi se Xhe’deh i tregoi atij nga Ummu Hani.

Ai tha: “E pyeta Xhe’deh nëse e kishte dëgjuar atë nga Ummu Hani. Ai u përgjigj: “Familja ime dhe Ebu Salih – shërbëtori i Ummu Hanit – më njoftuan për këtë nga Ummu Hani.” Darakutni në “el-Afrad (2/30-31)”, Bejhaki, Ahmedi (6/341) dhe Ibn Adi në “el-Kemil (2/59)”.

Kjo rrugë e dytë e transmetimit forcon kështu të parën. Hadithi gjithashtu ka një rrugë të tretë që është transmetuar nga Ebu Daudi përmes Jezid bin Ebi Zijadit, nga Abdullah bin el-Harith, nga Ummu Hani. Zinxhiri i transmetimit është i fortë.

Hafidh el-Iraki ka thënë: “Zinxhiri i transmetimit është i mirë.” (el-Mughni (2/331)).

Shejkh Shuajb el-Arnauti komentoi me disa fjalë këtë hadith në “Sherh-us-Sunneh, vëll 6, fq. 371’’ dhe në “Tehdhib kemal, vëll 4, fq. 569’’. Ai qortoi saktësimin që Hakimi i ka bërë hadithit për shkak se Ebu Salih Badham – shërbëtori i Ummu Hanit – është edhe i dobët dhe mashtrues, pastaj tha: “Shejkh Nasiri e ngatërroi atë me Ebu Salih es-Seman i cili është i besueshem (thikah), për këtë arsye ai (shejkh Nasir) u pajtua me Hakimin dhe Dhehebiun në saktësimin e hadithit, kështu që gaboi.’’

Pa ndonjë dobi që ia vlen të përmendet, ai u zhyt në këtë çështje dhe e dobësoi hadithin për shkak të kundërshtimit të Simakut, dhe gabimit të tij të rëndë në përmendjen “Dita e çlirimit të Mekës”, si dhe për faktin e të qenit i panjohur dhe i dobët. Për t’iu përgjigjur kësaj fjale dhe për të sqaruar të vërtetën, unë them këtë: Së pari supozimi i tij për mua është një mendim i keq i tij për vëllain e tij dhe një përpjekje tjetër e tij për të ekspozuar gabimet e vëllait, pasi në  kontekstin e fjalës sime përmenda që transmetuesi ishte Ebu Salih – shërbetori  i Ummu Hanit. Edhe sikur të mos ishte përmendur, edhe një fillestar do ta kishte ditur këtë sepse kjo është e njohur mirë te dijetarët. A mendon vërtet një person i paanshëm se një njeri që ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli në këtë shkencë nuk e di këtë? Padyshim që shejkh Shuajbi e di këtë mirë, por, por… Unë u pajtova vetëm me vërtetimin e Hakimit për shkak të rrugëve të tjera të transmetimit të hadithit. Në lidhje me transmetimin e dytë, kam shkruar:

“Rruga e dytë e transmetimit e forcon kështu të parën.”

Kjo që u tha, më së paku është një tregues se zinxhiri i parë i hadithit është i dobët, dobësinë e të cilit e kam sqaruar më parë në “Sahih Sunen Ebi Daud (2120).”

Së dyti, dobësimi i tij i hadithit në të tre rrugët e transmetimit të tij, përkatësisht për shkak të Ebu Salihut, Xhe’deh dhe Jezid bin Ebi Zijadit, është i saktë nëse kihet parasysh secila rrugë e transmetimit veçmas, por pse shejkhu (Shuajb Arnauti) e shpërfilli parimin që hadithi i dobët forcohet nëse transmetohet përmes disa rrugëve dhe përderisa në zinxhirët e transmetimeve nuk ka transmetues që akuzohen për gënjeshtër ose janë shumë të dobët? Në rastin tonë, këtyre zinxhirëve të transmetimit u mungojnë të dyja (si transmetuesit që akuzohen për gënjeshtra, ashtu edhe transmetuesit shumë të dobët). Shtoji faktin se Hafidh el-Iraki e klasifikoi një prej këtyre zinxhirëve të transmetimit si të mirë. A mos vallë shejkh (Shuajbi) kërkon të ndihmojë një medhheb të caktuar? Apo mos vallë ky kundërshtim ka të bëjë me dashurinë ndaj popullaritetit në mënyrë që të mos dihet se shumica e gjykimeve të tij janë marrë nga librat e Albanit, gjë që e thonë disa nga të afërmit e tij dhe tregon për këtë shumica e komenteve të tij. Dhe nëse kjo që kam përmendur rreth sqarimit të gabimit të tij në dobësimin e hadithit është e pamjaftueshme, unë gjithashtu kam forcuar këtë hadith me hadithin e  Aishes dhe hadithin tjetër që vjen pas tij, atë të Ebu Seid el-Khudrit. Shpresojmë që ai të bindet në mënyrë që t’i kthehet të vërtetës – nëse do Allahu.

3 Transmeton Nesai me një zinxhir të mirë transmetimi e cila sqarohet në “el-Irua (4/135/636)”.

Shpërndaje: