Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq. 83-84
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Sipas mendimit më të saktë, xhilbabi1 (جلباب), veshja e jashtme është një mbulesë (mantel) me të cilën gruaja i mbulon rrobat e saj dhe që e vesh zakonisht kur del jashtë, siç është transmetuar nga dy imamët, Bukhari dhe Muslimi dhe të tjerët përveç tyre, se Umu Atijjeh (radijAllahu anha) tha:
”Ne u urdhëruam të nxjerrim gratë e rritura dhe vajzat e reja (të cilat sapo e kanë mbushur moshën e pjekurisë) në të dy namazet e Bajrameve për të dëshmuar në mirësinë e xhematit dhe në mirësinë e lutjes së muslimanëve. Ndërsa gratë me menstruacione duhet të shmangnin vendin e faljes. Unë thashë: ”O i dërguari i Allahut! Ndonjëra prej nesh nuk ka veshje të jashtme (xhilbab) për të veshur?” Ai ﷺ tha: ”Motra e saj le t’i veshë një nga rrobat e saj të jashtme.”
Shejkh Anuar el-Kashmiri në ”Fejd el-Bari” vëll1/fq. 388 në komentin e hadithit tha:
”Kjo do të thotë që veshja e jashtme (xhilbabi) duhet të vishet kur ajo të dalë jashtë dhe se ajo nuk duhet të dalë jashtë nëse nuk ka veshje të jashtme. Veshja e jashtme është një mantel (mbulesë) që shtrihet nga koka deri tek këmbët. Tashmë e kemi sqaruar se shaminë, gratë e vendosin kur janë në shtëpi, ndërsa xhilbabin (veshjen e jashtme) kur të dalin jashtë shtëpisë dhe me këtë sqarim, shpjegova dy ajetet në lidhje me hixhabin, ajetin (nr 31) te Surja Nur:
وَلْيَضْرِبْنَ بِخُمُرِهِنَّ عَلَى جُيُوبِهِنَّ
“Dhe t’i mbulojnë kraharorët me khimar (shami).”
Dhe ajetin (nr 59) te surja Ahzab:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ
“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre.”
Ai gjithashtu, në vëll 1/fq. 256, pasi sqaroi se çfarë konsiderohet xhilbab dhe khimar (shami) sipas asaj që përmendëm, më pas tha:
“Nëse thua që me veshjen e jashtme nuk ka nevojë për vendosjen e shamisë, përkundrazi, unë them që veshja e jashtme është e domosdoshme kur ajo e ka të nevojshme të dalë nga shtëpia, pasi kur ajo duhet të vendosë shaminë (khimarin) në të tëra rastet, patjetër dhe në rastin e daljes nga shtëpia, ajo duhet të ketë të vendosur shaminë.”
Une them (shejkh Albani): Që të kufizohet vendosja e shamisë vetëm në shtëpi, kjo është diçka që duhet parë pasi bie në kundërshtim me atë që thuhet qartë në ajetin e parë:
وَلْيَضْرِبْنَ بِخُمُرِهِنَّ
“Dhe t’i mbulojnë kraharorët me khimar (shami).”
وَلَا يَضْرِبْنَ بِأَرْجُلِهِنَّ لِيُعْلَمَ مَا يُخْفِينَ مِنْ زِينَتِهِنَّ
“Dhe të mos i godasin këmbët e tyre për tokë që të shfaqin çfarë fshehin nga stolitë e tyre.”
Duke qenë se për gratë ka ndalesë sheriatike që ato të ecin duke i përplasur këmbët, ky është një tregues i qartë se gjithashtu për to është obligim të vendoset shamia kur gruaja del jashtë shtëpisë. E njëjta gjë mund të thuhet për fjalën e Tij në fillim të ajetit:
وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ
“Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimin (nga e ndaluara).”
1 Hafidh Ibn Haxheri në ”Fet’hul-Bari” (vell1/fq 336), përmendi shtatë mendime nga të cilat kjo është njëra prej tyre. Të njëjtin mendim pohoi me bindje el-Begaui dhe tha:
” Xhilbabi është veshja e jashtme që gruaja e vesh mbi fustanin dhe shaminë e saj.” (Ma’alim-ut-Tanzil (3/544).
Ibn Hazmi tha:
”Sipas gjuhës arabe me të cilën na foli i dërguari i Allahut ﷺ, xhilbabi është veshja e jashtme me të cilën gruaja e mbulon të tërë trupin e saj dhe jo pjesërisht.” (el-Muhalla (3/217))
El-Kurtubi e pohoi këtë mendim në ”el-Xhami” në Ahkam-il-Kuran.
Ibn Kethiri tha:
”Veshja e jashtme është një rrobë (mantel) që hidhet mbi shami dhe që është si izari që përdoret në ditët e sotme.” (Tefsir el-Kuran el-Adhim 3/518)
Them: Me sa duket kjo është veshja që përdoret për shembull, në Nexhd, në Irak etj.