Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

31.A ndëshkohet i vdekuri nga vajtimi i familjes së tij për të?

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lidhur me fjalët e profetit salAllahu alejhi ue selem:

إن الميت ليعذب ببكاء أهله عليه

“Me të vërtetë, i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit e familjes së tij për të.”

Dhe hadithi tjetër:

إن الميت يعذب بالنياحة عليه

“I vdekuri vuan nga vajtimi që bëhet për të…”

Selefët dhe pasuesit e tyre kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të këtyre haditheve.
1. Njëri grup prej tyre thonë se Allahu bën çfarë Ai dëshiron me krijesat e Tij dhe se veprat e Tij nuk duhet të vihen në pikëpyetje. Ata thonë se nuk ka dallim në mes asaj se ai mundohet për vajtimin që bëhet për të dhe gjëra të tjera që i atribuohen atij. Sepse Allahu ka krijuar gjithçka dhe Ai i krijon fëmijët, kafshët dhe i bën të çmendurit të ndien dhimbje edhe pse ata nuk kanë vepruar asgjë.

2. Një grup tjetër thonë se këto hadithe nuk janë autentike nga i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem dhe se Aishja radijallahu anha i hodhi poshtë ato, dhe në anën tjetër argumenton me fjalët e Allahut Te’ala:

وَلَا تَزِرُ وَازِرَةٌ وِزْرَ أُخْرَى

“Askush nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” 35:18

Përveç kësaj, ka hadithe me të cilat Aishja radijAllahu anha argumentoi e të cilat ne nuk i kemi përmendur. Një prej tyre janë fjalët e Urves në të cilën ai transmeton: “I treguan Aishes se Ibn Umeri radijAllahu anhuma ka treguar se Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë, i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit e familjes së tij për të.”Ajo tha: “Gabim është, ai ka thënë: “Ai ndëshkohet për mëkatin e tij, ndërsa familja e tij tani qajnë për të.” Kjo është e njëjtë sikurse gabimi në transmetim i fjalëve të Profetit sAllalhu alejhi ue selem që ua tha mushrikëve që ishin në varre:

إنهم ليسمعون ما أ قول

“Ata (të vdekurit) dëgjojnë atë që unë them tani.”

Transmetuesi në rastin e tillë gaboi. Ajo që Profeti salAllahu alejhi ue selem e kishte thënë, është:

إنهم ليعلمون أن ما كنت أقوله لهم

“Tani ata e dinë se ajo që u thosha atyre është e vërtetë.”

Pastaj lexoi fjalët e Allahut:

وَمَا يَسْتَوِي الْأَحْيَاء وَلَا الْأَمْوَاتُ إِنَّ اللَّهَ يُسْمِعُ مَن يَشَاء وَمَا أَنتَ بِمُسْمِعٍ مَّن فِي الْقُبُورِ

“Po ashtu, nuk janë kurrë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” 35:22

Ai tha:

تبوؤوا مقاعدهم من النار

“Ata kanë përgatitur vendet e tyre në Zjarr.”

Transmeton Buhariu dhe Muslim.

Abdullah bin Ubejdullah bin Ebi Mulejkeh ka thënë: “Vajza e Uthmanit kishte vdekur në Meke. Ne shkuam që të marrim pjesë në varrimin e saj, ndërsa aty ishte Umeri dhe Ibn Abbasi mes të të cilëve u ula. Abdullah bin Umeri i tha Ibn Abasit: “A nuk do t’i ndalosh ata nga të qarët? I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë, i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit e familjes së tij për të.” Ibn Abasi tha: “Umeri e kishte zakon të thoshte një pjesë të këtij hadithi. Një herë prej herësh isha me Umerin në udhëtim duke u kthyer nga Meka. Kur arritëm në el-Bejda, ne pamë një karvan. Ai tha: “Shiko kush është në atë karavan.” Unë shikova dhe e pash Suhejbin. Pastaj u ktheva dhe i tregova atij. Ai tha: “Thirre atë.” Unë u ktheva tek Suhejbi dhe i thashë: “Shpejto tek udhëheqësi i besimtarëve ngase ai të kërkon ty.” Kur Umeri u godit me thikë, Suhejbi erdhi duke qarë e duke thënë: “Oh vëllai im! Oh miku im!” Pastaj Umeri i tha: “O Suhejb! A po qanë për mua, pasi që i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue selem ka thënë:“Me të vërtetë, i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit e familjes së tij për të.”?Dhe pas vdekjes së Umerit, këtë ia tregova Aishes. Ajo tha: “Allahu e mëshiroftë Umerin! Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem fare nuk ka thënë: “Me të vërtetë, myslimani ndëshkohet për shkak të të qarit e familjes së tij për të.” Por ka thënë: “Me të vërtetë, jobesimtarit i shtohet ndëshkimi për shkak të të qarit e familjes së tij për të.” Mjafton për ju ajeti kuranor:

وَلَا تَزِرُ وَازِرَةٌ وِزْرَ أُخْرَى

“Askush nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” 35:18

Ibn Abasi radijallahu anhu në lidhje me ajetin:

وَأَنَّهُ هُوَ أَضْحَكَ وَأَبْكَى

“Me të vërtetë Ai jep harenë dhe pikëllimin (vajin).” 53:43

Ibn Ebi Mulejkeh ka thënë: “Betohem në Allahun se Ibn Umeri nuk tha asnjë fjalë në lidhje me këtë ajet.” Transmeton Buhariu dhe Muslim.
Gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Aishes i është thënë se Umeri dhe Ibn Umeri kishin thënë: “Me të vërtetë, i vdekuri ndëshkohet për shkak të të qarit për të.” Atëherë ajo tha: “Ju po më tregoni për dy njerëz të cilët nuk gënjyen e as nuk janë akuzuar për gënjeshtër, por dëgjimi i njeriut mund të gabojë.” Në një formulim tjetër, ajo tha: “Allahu e faltë Ebu Abdirr-Rrahmanin. Ai asnjëherë nuk ka gënjyer, por ai harroi dhe gaboi. Çështja është se, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka kaluar pranë një të vdekure jehudije për të cilën kishte të afërm të saj të cilët po qanin. Pastaj ai salAllahu alejhi ue selem tha:

إنهم ليبكون عليها و إنها لتعذب في قبرها

“Ata po qajnë për të, ndërsa ajo po ndëshkohet në varrin e saj.”

 3. Një grup i tjetër i selefëve thonë se, njeriu ndëshkohet për shkak të vajtimit të familjes së tij, nëse ai i ka urdhëruar që ata ta vajtojnë, ose nëse ai nuk i ndaloi ata që vajtojnë nëse kjo (vajtimi) i përket traditës së tyre. Urdhërimi i të tjerëve që të vajtojnë për dikë ishte e zakonshme në mesin e arabëve. Njëri poet i vjetër arab ka thënë:

Nëse unë vdes më vajto ashtu siç e meritoj
O bija e Ma’bedit, grisi rrobat tuaja për mua!

4. Një grup tjetër thanë se kjo ka të bëjë me personin që i takon një populli që e kanë zakon të qajnë dhe vajtojnë, e të cilët ai nuk i ka ndaluar para vdekjes së tij. Kjo në vetvete sugjeron se ai është i kënaqur me veprimit e tyre që ata do t’i bëjnë. Këtë mendim e ka Ibnul-Mubarak. Ky mendim dhe ai para tij pothuajse janë të njëjtë. Ebul-Berakat bin Tejmijeh ka thënë: “Ky është dhe mendimi i saktë në lidhje me këtë çështje. Nëse ai e di se të afërmit do të vajtojnë dhe nuk i ndalon ata para vdekjes, kjo do të thotë se ai është i kënaqur nga ky veprim. Në këtë rast, ai është sikurse personi i cili ka mundësin të dënojë të keqen por nuk e bën atë. Ndërsa nëse ndalesa e tij do të injorohej, Allahu nuk e dënon atë për veprimin e tyre.”

Shpërndaje: