Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

33.I mençuri dhe kënaqësia

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- ka thënë:

”I dërguari i Allahut më kapi për krahu dhe më tha:

”Jeto në këtë botë si të ishe i huaj ose udhëtar.” 

40 hadithet e Neueuit, hadithi (40).

Nuk ka asnjë dyshim në lidhje me vërtetësinë e hadithit.

2 – Në këtë hadith profeti urdhëroi Ibn Umerin -radijAllahu anhu- që të jetë në këtë jetë si të ishte i huaj ose udhëtar. Është sikurse e urdhëron atë të jetë i kënaqur me pak nga kjo botë. Sepse kur i huaji dhe udhëtari janë larg nga shtëpitë e tyre nuk synojnë të arrijnë ndonjë pasuri të shumtë. Ata preferojnë më shumë që të jenë të kënaqur me pak sesa të fitojnë shumë nga gjërat e kësaj bote.

3 – Aktham bin Sejf ka thënë:

”Bir i dashur! Ai i cili nuk ka humbur shpresën për të humburën, e lodh trupin e tij. Ai që kënaqet me atë që posedon, është gjithmonë i lumtur.”

4 – Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë:

”Katër gjëra tashmë janë përcaktuar dhe askush nuk mund të fitoj më shumë se sa tjetri; krijimi, morali, furnizimi dhe jetëgjatësia.”

5 – Një nga dhuratat më të mëdha që Allahu mund t’ia jap robit të Tij është kënaqësia. Nuk ka asgjë që e pushon trupin me tepër sesa të qenurit i kënaqur me kënaqësinë dhe të mbështeturit në rrizkun që ia ka caktuar Allahu. Nëse dobia e vetme e kënaqësisë do të ishte se ajo e pushon trupin dhe e mbron atë nga vendet e këqija për të arritur pak më shumë, do të kishte qenë e mjaftueshme për të urdhëruar të mençurin që gjithmonë të jetë i kënaqur pa marr parasysh gjendjen e tij.

6 – Muhammed bin el-Munkadir ka thënë:

”Kënaqësia është një pronë pafund.”

7 – I mençuri e di se atij që i mungon kënaqësia kurrë nuk do ta shtojë atë me para. Është më mirë që të kesh pak të para dhe pak shqetësime sesa shumë para dhe shumë shqetësime. I mençuri i hakmerret zellit me kënaqësi ashtu siç i hakmerret armikut me hakmarrje. Ajo që e pengon të mençurit nga furnizimi është ajo që bën injorantin që të arrijë furnizim

8 – Ibnul Mubarak ka thënë:

”Kënaqësia është tipar më i mirë sesa bujaria.”

9 – Kënaqësia gjendet në zemër. Ai që ka zemër të pasur, i ka edhe duart e pasura. Ai që ka zemër të varfër nuk ka kurrfarë dobie nga pasuria e tij. Ai që është i kënaqur nuk ndjen asnjëherë zemërimin. Ai jeton në paqe dhe rehati. Ai që nuk është i kënaqur kurrë nuk ndalet përmalluari pas të humburës. Është sikurse pasuria dhe varfëria luftojnë me njerëzit.

10 – El-Medini ka thënë:

”Durimi në formë të përmbajtjes dhe të kënaqësisë në lidhje me nevojat dhe varfërinë është më e madhe sesa bujaria.”

11 – Ai që e detyron veten që të jetë i kënaqur dhe pastaj i ka zili njerëzit për atë që kanë ata, nuk është i tillë për shkak të kënaqësisë dhe bujarisë, është i tillë për shkak të paaftësisë dhe dështimit.

12 – Muhammed bin Ka’b el-Kuradhi ka thënë në lidhje me fjalët e Allahut -te ala-:

مَنْ عَمِلَ صَالِحًا مِّن ذَكَرٍ أَوْ أُنثَى وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَلَنُحْيِيَنَّهُ حَيَاةً طَيِّبَةً

Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” En-Nahl, 16:97

”Do të thotë kënaqësia.”

Shpërndaje: