Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

33.Pellgu (Haudi)

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

289 – Theubani, shërbëtori i profetit ka thënë se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Unë do të jem te pellgu (haudi) im në Ditën e Gjykimit.” Atëherë u pyet i dërguari i Allahut ﷺ në lidhje me madhësinë e pellgut. Ai ﷺ tha: “Ai shtrihet nga vendndodhja ime aktuale e deri në Aman.” Seidi tha: “Kjo është një muaj larg.” Pastaj ai u pyet në lidhje me pijen e pellgut. Ai ﷺ tha: “Është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Këto dy burime vijnë nga xheneti. Njëri është nga argjendi dhe tjetri nga ari.” 1

290 Theubani, ka treguar se profeti e përmendi pellgun. Sahabët e pyetën:

“O i dërguari i Allahut, kush janë të parët që do të vijnë tek ai?” Ai ﷺ tha: “Muhaxhirunët e varfër. Ata i kanë flokët e pakrehura dhe rrobat e zhytura. Dyert (në dunja) nuk iu hapen atyre2 dhe ata nuk martohen me gra të këndshme (për shkak të varfërisë)3.” 4

291 – Enes bin Malik (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë:

“Distanca në mes njërës anë të pellgut dhe tjetrës është sa distancën ndërmjet San’as dhe Medinës dhe në mes Medinës dhe Amanit.” 5

292 – Ebu Dherri (radijAllahu anhu) ka thënë se ai e pyeti të dërguarin e Allahut në lidhje me pellgun. Ai tha:

“Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit! Kupat e tij janë më shumë se yjet e qiellit dhe planetet në një mbrëmje pa re.6 Ai që pi nga uji i tij kurrë nuk do ndiej etje. Ai është aq i gjerë sa është i gjatë, sa distanca midis Amanit dhe Ejlah. Dy nga burimet e xhenetit derdhen në të. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti.” 7

293 – Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) ka thënë:

“E kam vizituar Ibn Zijadin dhe e pashë se ata bisedonin në lidhje me pellgun. Kur më panë mua, ata thanë, “Enesi ka ardhur. O Enes, çfarë thua në lidhje me pellgun? “I thashë: “Betohem në Allahun se unë nuk e ndieja se unë jam i gjallë derisa iu pashë juve. A po dyshoni në pellgun? I lash gratë e moshuara në Medine dhe asnjëra nuk falë namaz pa iu lutur Allahut (azze ue xhel) në namazin e saj që të pijë nga pellgu i profetit .”

294 – A nuk e shihni se Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) çuditej me ata që dyshonin në pellgun? Sipas tij, të gjithë njerëzit duhet të besojnë në të. Edhe gratë e moshuara e lusin Allahun (azze ue xhel) që të pinë nga pellgu i Muhammedit .

Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga ata të cilët nuk besojnë në pellgun dhe e mohojnë atë.


1 Muslimi (2301), Tirmidhi (2444), Ibn Maxheh (4303) dhe të tjerë.

2 Imam El-Mubarakfuri ka thënë: Dyert nuk iu hapen atyre, do të thotë se nëse ata trokasin, nuk u lejohet të hynë brenda. (Tuhhfat-ul-Ahuadhi (7/115)).

3 Imam El-Mubarakfuri ka thënë: Kjo do të thotë se nëse ata i kërkojnë për martës ato gra të këndshme, ata refuzohen. (Tuhhfat-ul-Ahuadhi (7/115)).

4 Ahmedi (/275), Tirmidhi (2/444), Ibn Ebi Asim (706) dhe të tjerë. Albani tha se hadithi është autentik në (Sahih Sunen Et-Tirmidhi (2/584).

5 Bukhari (6580), Muslimi (2303), Tirmidhi (2442) dhe të tjerë.

6 Imam En-Nevevi ka thënë: Sepse hëna fsheh shume yje. (Sherh Sahih Muslim (15/50)).

7 Muslimi (2300) dhe Tirmidhi (2447).

Shpërndaje: