Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Prej parimeve të Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit është se imani shtohet dhe pakësohet. Kjo dëshmohet në Kuran dhe në sunnet.
Allahu (te ala) ka thënë:
لِيَزْدَادُوا إِيمَانًا مَعَ إِيمَانِهِمْ
“Që atyre t’u shtohej imani bashkë me imanin që kishin.” 48:4
Përveç kësaj profeti ﷺ ka thënë për gratë:
”Unë nuk kam parë më të mangëta në logjikë (mendje) dhe në fe se ju gratë dhe që e bëni një burrë mendjemprehtë të humbasë mendjen e tij.” 1
Ajeti argumenton për shtimin e imanit ndërsa hadithi argumenton për pakësimin e imanit.
Çdo tekst sheriatik që vërteton se imani shtohet njëkohësisht shërben si argument se imani pakësohet dhe anasjelltas. Shtimi dhe pakësimi i imanit detyrimisht janë të ndërlidhura dhe të pandashme nga njëra tjetra. Nuk është logjike të mendohet prania e njërës pa praninë e tjetrës.
Është vërtetuar nga sahabët gjithashtu se imani shtohet dhe pakësohet. Nuk njihet që dikush nga ata të ketë kundërshtuar në këtë. Shumica e selefëve kishin këtë mendim.
Ibn Abdil-Berr ka thënë: “Se imani shtohet dhe pakësohet është besim që kanë rënë dakord dijetarët e Hadithit, Fikhut, ata që janë kompetentë për dhënien e fetvave në tërë botën.” Pastaj përmendi dy transmetime nga imam Malik në lidhje me pakësimin e imanit. Në njërin transmetim është pa qëndrim në këtë çështje ndërsa transmetimi tjetër është në pajtim me shumicën.”
Dy grupe kundërshtuan këtë parim:
1 – Murxhiat e kulluar, ata që pretendojnë se imani përbëhet vetëm nga besimi i zemrës. Ata pretendojnë se besimi i zemrës nuk ndryshon, është gjithnjë i njëjtë. Sipas tyre mëkatari dhe i devotshmi kanë të njëjtin besim.
2 – Mutezilitë dhe Khauarixhët, ata që pasojnë vetëm tekstet sheriatike të ndëshkimit (të kërcënimit dhe të paralajmërimit) për mëkatet e mëdha dhe që i përjashtojnë nga imani ata që kryejnë mëkate të mëdha. Sipas tyre imani ose ekziston i tëri ose zhduket i tëri (nuk ekziston). Ata e mohojnë faktin që një person mund të jetë në një gradë imani më lart se sa një person tjetër.
Të dy këto grupe refuzohen nga argumentet e shpalljes dhe nga logjika. Argumentet e shpalljes tashmë janë parashtruar. Dhe sa u përket argumenteve logjike, besimi i Murxhiave refuzohet si më poshtë duke u thënë atyre:
1 – Specifikimi juaj se imani është vetëm besim i zemrës është në kundërshtim me Kuranin dhe sunnetin sepse imani përfshin edhe fjalën edhe veprat.
2 – Fjala juaj se: “besimi i zemrës nuk ndryshon por është gjithnjë në një nivel” është në kundërshtim me atë që përjetohet konkretisht. Dihet mirë se besimi i zemrës varet nga dija. Dija ndryshon në varësi të burimeve dhe rrugëve të saj. Ajo që përfitohet nga lajmi i një personi të vetëm nuk është njësoj si ajo që përfitohet nga lajmi i dy personave dhe kështu me radhë. Ajo çfarë njeriu përfiton nëpërmjet një haberi (lajmi) nuk krahasohet me atë që njeriu përfiton kur ai është vetë dëshmitar në atë gjë. Kështu që siguria (në besim) ndryshon dhe kjo çështje është e ditur te njerëzit sa që në fakt një person ndonjëherë mund të ndiejë se si besimi i tij është më i fortë në një kohë të caktuar në krahasim me një kohë tjetër.
Si mundet një njeri me logjikë të mendojë se i devotshmi që i bindet Allahut të Lartësuar, që vepron atë që është obligim si dhe nafilet (veprat e pëlqyeshme vullnetare), njëkohësisht u shmanget ndalesave të Allahut dhe sapo ndjen një dëshirë për të bërë mëkat, largohet menjëherë prej saj dhe pendohet tek Allahu, si mund të thuhet se ky person i devotshëm ka besim të njëjtë me një person tjetër që i shpërfill obligimet me të cilat Allahu e ka obliguar dhe bie në ndalesat e Tij pavarësisht se nuk ka vepra me të cilat do të bënte kufër, si munden këta të jenë me besim të njëjtë?
Sa i përket atyre që kapen vetëm pas teksteve të ndëshkimeve (Mutezilive dhe Khauarixhëve), atyre u themi që:
1 – Fjala juaj që: “Ata që kryejnë mëkate të mëdha përjashtohen nga besimi” bie në kundërshtim me Kuranin dhe sunnetin. Si mund të konsiderohen me besim të njëjtë dy njerëz ku njëri prej tyre i kryen obligimet dhe u shmanget mëkateve ndërsa tjetri bën të kundërtën pavarësisht se nuk ka vepra me të cilat do të bënte kufër?
2 – Le të supozojmë që ne e përjashtojmë nga besimi atë që kryen mëkate të mëdha. Si mund të konsiderohen me besim të njëjtë dy njerë, ku njëri është mesatar në zbatimin e veprave të mira ndërsa tjetri me ndihmën e Allahut e tejkalon atë në vepra të mira?
1 Bukhari (304) dhe Muslimi (80).