Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kur mysafiri e prish agjërimin nafile, ai nuk është i obliguar që ta kompensojë atë ditë. Për këtë çështje ekzistojnë dy hadithe:
1 – Ebu Seid el-Khudri -radijAllahu anhu- ka thënë:
“Një ditë i përgatita ushqim të dërguarit të Allahut ﷺ. Ai më vizitoi me shokët e tij. Kur u shërbye ushqimi, njëri nga të ftuarit tha:
“Unë jam agjërueshëm.”
I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Vëllai yt të ka ftuar dhe është munduar për ty, prishe agjërimin dhe agjëro një ditë tjetër në vend të saj nëse dëshiron.”1
2 – Ebu Xhuhejfeh ka thënë:
“I dërguari i Allahut ﷺ vëllazëroi Selmanin dhe Ebu Derdan. Një ditë Selmani shkoi për ta vizituar Ebu Derdan dhe e pa Ummu Derdan të veshur me rroba fare të thjeshta.
E pyeti: “Ç’është puna jote (pse dukesh e tillë)?”
Ajo u përgjigj: “Vërtet, vëllai yt, Ebu Derda nuk ka nevojë për asgjë nga gjërat e kësaj bote.”
Kur erdhi Ebu Derda, i uroi mirëseardhje Selamanit dhe ia shtroi ushqimin, pastaj i tha:
“Ti ha, kurse unë jam agjërueshëm.”
Selmani i tha: “Unë nuk do të ha derisa edhe ti të hash me mua.”
Ebu Derda hëngri me të.
Kur erdhi nata, Ebu Derda u ngrit për të falur namaz (nate), ndërsa Selmani e ndaloi dhe i tha:
“Vërtet, vetja jote ka të drejta ndaj teje, Zoti yt ka të drejta ndaj teje, mysafiri yt ka të drejta ndaj teje, familja jote ka të drejta ndaj teje, nganjëherë agjëro, nganjëherë mos agjëro, nganjëherë falu, dhe nganjëherë shpenzoje kohën me familjen tuaj. Jepja dhe plotësoja secilit të drejtën e tij!”
Pak para agimit i tha: “Tani ngrihu dhe falu nëse dëshiron.”
Të dy u ngritën, morën abdes dhe e falën namazin e natës. Pastaj shkuan për ta falur namazin e sabahut. Ebu Derda iu afrua të dërguarit të Allahut dhe i tregojë atë që kishte thënë Selmani.
I dërguari i Allahut tha: “O Ebu Derda!
“Vërtet, vetja jote ka të drejta ndaj teje.”
Ai ﷺ i tha njësoj sikurse Selmani.”
Në një transmetim tjetër thuhet:
“Selmani ka thënë të vërtetën.”2,3
1 Transmeton Bejhaki (4/279) me një zinxhir të mirë të transmetimit, siç ka thënë Hafidh Ibn Haxheri në “Fet’h-ul-Bari (4/170)”, gjithashtu Tabarani e transmetoi atë në “el-Eusat (1/132/1)” dhe Darakutni (24). Unë e kam bërë nxjerrjen e hadithit dhe kam treguar vërtetësinë tij në “Irua-ul-Ghalil (1952)”.
2 Transmeton Bukhari (1968), Tirmidhi (3/290), formulimi është i Bejhakiut (4/276), dhe Ibn Asakir (2/371/13).
Tirmidhi tha: “Hadithi është i saktë.”
Shtesa dhe transmetimi i fundit transmetohet përkatësisht nga Bukhari dhe Tirmidhi.
3 “I dërguari i Allahut ﷺ vëllazëroi Selmanin dhe Ebu Derdan. Një ditë Selmani shkoi për ta vizituar Ebu Derdan dhe e pa Ummu Derdan të veshur me rroba fare të thjeshta.
E pyeti: “Ç’është puna jote (pse dukesh e tillë)?”
Ajo u përgjigj: “Vërtet, vëllai yt, Ebu Derda nuk ka nevojë për asgjë nga gjërat e kësaj bote.”
Kur erdhi Ebu Derda, i përgatiti ushqim vëllait Selmanit dhe i tha:
“Ti ha, kurse unë jam agjërueshëm.”
Selmani i tha: “Unë nuk do të ha derisa edhe ti të hash me mua.”
Ebu Derda hëngri me të.
Kur erdhi nata, Ebu Derda u ngrit për të falur namaz (nate), kurse Selmani i tha:
“Fli!”
Ebu Derda ra të flejë, pastaj së shpejti u zgjua të falet.
Selmani prapë i tha: “Fli!”
Kur erdhi fundi i natës, Selmani i tha Ebu Derdas: “Tani zgjohu!” Dhe u falën së bashku, pastaj Selmani i tha vëllait të tij:
“Vërtet, Zoti yt ka të drejta ndaj teje, vetja jote ka të drejta ndaj teje, dhe familja jote ka të drejta ndaj teje. Jepja dhe plotësoja secilit të drejtën e tij!”
Pastaj shkuan te profeti ﷺ dhe ia rrëfyen ngjarjen.
Profeti ﷺ tha: “Selmani ka thënë të vërtetën.”
Transmeton Bukhari (1968).