“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

34.I mençuri dhe durimi me vështirësitë

Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

1 – Ibn Abbasi -radijAllahu anhuma- trasnmeton se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Vërtetë, gjëja e parë që e krijoi Allahu është lapsi, pastaj i tha: Shkruaj çdo gjë që do të ndodhë deri në ditën e gjykimit!”

Ebu Daudi (4700), hadithi është autentik sipas imam Albanit.

2 – Ebu Hatim ka thënë:

”Është obligim për të mençurin që të jetë i bindur se të gjitha gjërat janë sipas kaderit. Ka prej gjërave që do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme. Dhe ajo që nuk do të ndodhë, është e pamundur që njerëzit ta bëjnë që të ndodh.

3 – Nëse njeriu goditet nga një fatkeqësi, obligohet që të vesh dy rroba; atë të durimit dhe atë të kënaqësisë. Nëse vepron këtë do të përfitojë shpërblimin e plotë. Sa e sa fatkeqësi kanë qenë të vështira që të largohen dhe më pas janë larguar me lehtësi për një çast.

4 – Ebul Haxhxhaxh El-Ezdij ka thënë:

”E kemi pyetur Selmanin -radijAllahu anhu- se çka është besimi në kader?”

Ai u përgjigj: ”Kur ta mësoi robi se ajo që e ka goditur nuk ka pas mundësi që të mos e godasë [dhe ajo që nuk e ka goditur nuk ka mundësi ta godas atë].”

5 – Abdul-Uahid Ibn Zejd ka thënë:

”I kam thënë Hasen El-Basriut; O babai i Seidit: ”Nga ka ardhur ky moral?”

Ai u përgjigj: ”Nga mungesa e të qenurit i kënaqur me Allahun.”

I thashë: ”Nga vjen mungesa e të qenurit i kënaqur me Allahun?”

Ai u përgjigj: ”Nga mungesa e njohjes së Allahut.”

6 – Sufjan Ibn Ujejneh ka thënë:

”Kam dëgjuar një burrë nga pasuesit e librit i cili e pranoi Islamin duke thënë: ”Allahu i shpalli Daudit:

“O Daud! Duro në vështirësi dhe Unë do të ndihmojë.”

7 – Abdul-Uahid Ibn Zejd ka thënë:

”Nuk dua që ndonjë vepër t’i paraprij durimit përveçse kënaqësisë dhe nuk di ndonjë gradë më të çmuar dhe më të lartë se kënaqësia. Kënaqësia është koka (maja më e lartë) e dashurisë (ndaj Allahut).”

8 – Ebu Hatim ka thënë:

”Durimi bashkon të gjitha çështjet, durimi është rregulluesi i vendosmërisë dhe shtyllë e mençurisë, durimi mbjellë mirësinë dhe është zgjidhës (i problemeve) për ata që nuk kanë zgjidhje.”

9 – Mejmun Ibn Mehran ka thënë:

”Asnjë rob, profet apo jo profet nuk arrin diçka të mirë përveçse me durim.”

10 – Ebu Hatim ka thënë:

”Durimi mund të ndahet në tri pjesë; Durimi në lidhje me mëkatet, durimi në bindje dhe durimi në vështirësi dhe në fatkeqësi. Më i miri prej tyre është durimi në lidhje më largimin nga mëkatet. I mençuri mediton gjendjet e tij duke u bërë i qëndrueshëm në të tre gjendjet të cilat i përmendëm. Ai duhet të ketë durim në tre ndarjet që i cilësuam më parë në mënyrë që të ngrihet me to në gradat e kënaqësisë dhe të jetë i kënaqur me Allahun e Lartësuar në vështirësi dhe lehtësi. E lus Allahun që të arrijmë këto grada me ndihmën e Tij.

11 – Thabit El-Bunani transmeton nga Muadhetu, gruaja e Siletu Ibn Ushejm se ka thënë:

Silah bin Ushejm ishte në betejë me birin e tij.

Silah i tha atij: ”O biri im! Shko para dhe lufto derisa të vritesh në mënyrë që të shpresojë shpërblim për durimin tim. Ai veproi kështu dhe luftoi derisa u vra. Pastaj babai i tij luftoi dhe u vra.

Kur asaj i erdhi lajmi për vdekjen e burrit dhe birit të saj, i erdhën gratë dhe ajo tha; Nëse keni ardhur për të më uruar për atë me të cilën Allahu na ka nderuar, mirë se vini), përndryshe kthehuni.”

Shpërndaje: