Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- ka thënë:
”Një burrë tha: ”O i dërguari i Allahut! Unë kam disa të afërm me të cilët i mbaj lidhjet farefisnore, ndërsa ata i shkëpusin me mua, unë sillem mirë me ta, ndërsa ata sillen keq me mua, unë sillem butë me ta, ndërsa ata sillen me arrogancë ndaj meje.”
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: ”Nëse është ashtu si thua, kjo është sikurse t’u hedhësh hi të nxehtë në fytyrat e tyre. Me ty do të jetë një ndihmëtar prej Allahut përderisa vazhdosh kështu.”
Transmeton Muslimi (2558) dhe Ahmedi (9343).
Ebu Hatim ka thënë:
”I mençuri e ka obligim që të jetë i tolerueshëm me të gjithë njerëzit në përgjithësi dhe të mos hakmerret ndaj tyre sepse nuk ka ndonjë shkak që e parandalon të keqen më mirë sesa mirësia dhe nuk ka ndonjë shkak që e rrit të keqen më shumë sesa kthimi i të keqes me të keqe.”
Ejubi ka thënë:
”Burri nuk mund të jetë fisnik derisa të mos i ketë dy cilësi; të qenurit i përmbajtur ndaj asaj që kanë njerëzit dhe të jetë i tolerueshëm ndaj tyre.”
Umer Ibn Abdul Aziz ka thënë:
”Çështjet më të dashura tek Allahu janë tre; Të falësh kur ke mundësi të hakmerresh, të jesh mesatarë kur ke pasuri dhe të jesh i butë në adhurim. Secili që sillet butë ndaj dikujt në këtë dunja, Allahu do të sillet butë me të në ditën e kijametit.”
Ebu Hatim ka thënë:
”I mençuri e ka obligim që të jetë falës ndaj atyre të cilët e trajtojnë keq duke shpresuar që Allahu i Lartësuar do t’ia falë mëkatet të cilat i ka bërë më parë. Njeriu i tolerueshëm është i tillë në mënyrë që të fitojë shpërblime, ndërsa lidhur me personin i cili ndëshkon, është më se e mundur që ai të pendohet për shkak se ndëshkoi edhe pse në fakt kjo ishte hakmarrje. Ndërsa ai i cili e ka një vëlla të cilin e do, e arsyeton atë gjatë gjithë jetës për gabimet e tij.
El-Fudejl Ibn Ijad ka thënë: ”Arsyetoje vëllain tënd deri në 70 gabime.”
I tha thanë: ”Si mund të bëhet kjo, o babai i Aliut?!”
Ai u përgjigj: ”Sepse vëllai të cilin e vëllazërove për hir të Allahut, nuk mund të shtojë mbi 70 gabime.”
El-Fudejl Ibn Ijad ka thënë:
”Ai i cili kërkon një vëlla pa të meta, do të mbetet i vetëm.”
Ebu Hatim ka thënë:
”Njerëzit që janë më së shumti larg urrejtjes janë ata të cilët e rrisin shpërblimin (duke i falur të tjerët). Ndërsa njerëzit me shkallën më të lartë janë ata të cilët e mbulojnë injorancën me urtësi. Mirësia është vetëm për atë i cili sillet mirë me atë që është sjellë keq me të, ndërsa shpërblimi i të mirës me të mirë është vetëm një karakter i barabartë të cilën mund ta veprojnë edhe kafshët ndonjëherë.
Nëse tipari i vetëm i bukur i të qenurit i tolerueshëm dhe që të mos hakmarresh do të ishte rehatimi i shpirtit dhe lumturia e zemrës, kjo do të mjaftonte që të ishte obligim për të mençurin që të mos e humb kohën e tij duke u sjellë me moralin e kafshëve. Kush i përgjigjet të keqes me të keqe, ai është i keqi edhe pse nuk është ai që filloi i pari.
Lukmani ﷺ i tha birit të tij:
”Ka gënjyer ai i cili ka thënë se e keqja e shuan të keqen. Nëse ai është i sinqertë në këtë, atëherë le të ndezë një zjarr afër një zjarri tjetër dhe të shikoi a e shuajnë ata njëri tjetrin? Vetëm mirësia e shuan të keqen ashtu sikurse uji e shuan zjarrin.”